LAJMI I FUNDIT:

Nikson-Kenedi, historia e debatit televiziv që ndryshoi përgjithmonë politikën (Foto)

Nikson-Kenedi, historia e debatit televiziv që ndryshoi përgjithmonë politikën (Foto)

Mëngjesin e 26 shtatorit të vitit 1960, Xhon Kenedi ishte një senator i panjohur nga Masaçusets. Ai ishte i ri dhe katolik, gjëra këto që nuk e ndihmonin imazhin e tij, dhe do të përballej me një detyrë të re. Në fund të mbrëmjes, ai ishte kthyer në një yll.

Tani është e ditur që pa debatin e parë televiziv kombëtar, 50 vjet më parë, Kenedi nuk do të bëhej kurrë president. Por përtej sigurimit të karrierës së tij presidenciale, dueli 60 minutësh mes senatorit simpatik irlandezo-amerikan dhe zv/Presidentit Riçard Nikson, ndryshoi rrënjësisht fushatat elektorale, median televizive dhe historinë politike të Amerikës. “Është një nga ato pjesë të pazakonta të historisë kur mund të thuash që gjërat ndryshuan në një mënyrë krejt dramatike – në këtë rast, Brenda një nate,” thotë Alan Schroeder, një historian i medias dhe profesor në Universitetin Veri-Lindor më SHBA.


2

Ndihmësi dhe shkrimtari i fjalimeve të Kenedit, Ted Sorensen, kujton se si e përgatiti kandidatin për natën e madhe. Ata ishin në çatinë e hotelit të tyre në Çikago, duke kaluar nëpër duar një grumbull të madh shënimesh, duke e përgatitur Kenedin për temat e mundshme të debatit. “Ne e dinim se debati i parë televiziv ishte i rëndësishëm, por nuk e dinim se sa e rëndësishme do të bëhej,” tha Sorensen për TIME. Pas disa orësh praktike dhe fjalimi përpara unionit të punës, senatori shkoi të bënte një sy gjumë. “Historia që më pëlqen të tregoj është pjesa kur më çuan që ta zgjoja,” tha Sorensen. “Hapa derën dhe e pashë atë tek flinte i mbuluar nga letrat e fjalimit, dritat ishin ndezur”.

Ajo çka ndodhi pasi dy kandidatët dolën në skenë është një ‘përrallë’ e njohur. Nikson, i zbehtë dhe nënpeshë pas një shtrimi në spital kohët e fundit, u shfaq i lodhur dhe i djersitur, ndërsa Kenedi u shfaq i qetë dhe me besim në vetvete. Ata që e dëgjuan debatin në radio menduan se ishte Nikson ai që fitoi. Por ata dëgjues ishin në minoritet. Që nga viti 1960, 88% e familjeve amerikane kishin televizione në shtëpitë e tyre, 11% më shumë nga një dekadë më parë. Numri i shikuesve në televizion që ndoqën debatin arrinte në 74 mln. Ata që e panë debatin në TV menduan se Kenedi ishte fituesi i qartë. Shumë mendojnë se Kenedi i fitoi zgjedhjet që atë natë. Sorensen thotë se skuadra e Kenedit nuk e kuptoi se çfarë ndryshimi kishin sjellë deri ditën e nesërme gjatë fushatës në Ohajo. “Turmat që përshëndetnin atë ishin më të mëdhatë të para ndonjëherë,” tha ai. “Kenedi kishte firmosur mbështetjen nga Partia Demokratike”.

Nikson performoi më mirë në debatet e mëvonshme dhe pas dietës së tij ushqimore e mori veten dhe fizikisht. Por siç thotë dhe Schroeder, dëmi ishte bërë. “Njerëzit e kanë të vështirë të heqin nga mendja e tyre debatin e parë”. Edhe Kenedi kreditoi rolin e medias për fitoren e tij. Më 12 nëntor 1960, katër ditë pas fitores së zgjedhjeve me një diferencë të ngushtë, ai tha: “Televizioni ishte më vendimtar se çdo arsye tjetër”. Pas këtij debati, kandidatët nuk mund ta injoronin më fuqinë ndikuese të televizionit. Debatet e Nikson dhe Kenedi i bënë përballjet televizive mes kandidatëve ndër më të nxehtat gjatë fushatave.

Deri në atë pikë, politika nuk ishte shumë e ekspozuar në televizion. “Më shumë shërbente si medium argëtues,” thotë Schoeder. “Nuk ishte vend për debate serioze”. Debati presidencial televiziv i radhës ndodhi pas 16 vjetësh, sepse kandidatët u bënë të kujdesshëm për ndikimin e tyre. Lindon Xhonson ndihej në siklet nga ky medium përballë Barri Golduoter-it në vitin 1964, dhe Niksoni pasi dështoi njëherë, refuzoi të dilte në debat në vitin 1968 dhe 1972. Debatet televizive u rishfaqën në vitin 1976, kur presidenti në detyrë Gerald Ford pranoi të dilte përballë sfiduesit demokrat, Xhimi Karter.

Pas debatit televiziv, kishin rëndësi të gjitha, që nga mënyra si prezanton veten, si dukeshe, çfarë the dhe nëse u lidhe drejtpërdrejtë më audiencën, thotë Larry Sabato, një analist politike në Universitetin e Virxhinias. “Përpara debateve televizive shumica e amerikanëve as nuk i kishin parë kandidatët, kishin lexuar për ta dhe i kishin parë nëpër foto,” tha ai për TIME. “Debati e lejoi publiku të gjykonte kandidatët në baza plotësisht të ndryshme”. Është një realitet që vazhdon të ndikojë edhe sot nëpër fushata. “Kur partitë zgjedhin kandidatët marrin parasysh: Kush do dukej mirë në televizion? Kush debaton më mirë?” thotë Sabato.

3

Përtej asaj që debati nënkuptonte për arenën politike, duke katapultuar Kenedin në presidencë, Sorensen thotë se kjo gjë ndryshoi krejtësisht botën që ne njohim. Në vitin 1962, presidenti Kenedi refuzoi t’i përgjigjej rekomandimit të Shefave të Shtabit, për t’iu përgjigjur ushtarakisht vendosjes së raketave bërthamore të Bashkimit Sovjetik në Kubë. Sorensen thotë se ai është i sigurtë që Niksoni do të merrte këshillën e Shefave të Shtabit dhe kjo do të çonte drejt nisjes së një lufte nukleare nga e cila askush s’do të kishte mbijetuar,” thotë Sorensen. “Mendoj se duhet të jemi mirënjohës për fitoren e Xhon Kenedit në atë debat”.

4

Si u zhvillua debati

Ata qëndronin krah për krah në Çikago, shfaqur në televizorët bardhezi të Amerikës një mbrëmje të hëne, të shtatorit 1960: Xhon F. Kenedi, kandidati fotozhenik i Partisë Demokratike, dhe kundërshtari i tij, Riçard M. Nikson, i cili, sipas shumë shikuesve, qe shfaqur tepër i zbehtë në fytyrë dhe i djersitur.

Pasqyrimi i të parit debat presidencial të shfaqur në televizion, një prej katër të tillëve që u zhvilluan atë verë, shënoi një pikë kthese në ato zgjedhje dhe, më e rëndësishmja, një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si do të shiheshin tani e tutje garat politike.

Në shumë drejtime, zgjedhjet e vitit 1960 ishin fushata e parë politike amerikane, me të gjithë inskenimet e përshtatur për TV, me simbolizmin si dhe llamburitjen mikroskopike të medias – një gjë kaq shumë e pranishme në garat e sotme presidenciale, në një kohë kur, një tjetër mjet komunikimi, Interneti, po përpiqet të ndryshojë sërish rregullat. “Ata debate e ndryshuan krejtësisht temën”, thotë Larry Sabato, një politolog në Universitetin e Virxhinias. “Televizioni ka të bëjë me imazhin dhe jo substancën”, thotë Sabato, duke shtuar se “Kenedi u zgjodh pasi njerëzit u bazuan kryesisht në atë çfarë ndodhi në ato debate”.

Më shumë se 70 milionë njerëz (nga 179 milionë në të gjithë vendin) e panë atë debat të parë. Zëvendës presidenti Nikson, 47 vjeç, kish qenë një pjesëtar i ekipeve të debatuesve në kolegj dhe pritej nga të gjithë që ta “trulloste” Kenedin. Por senatori 43-vjeçar i Masaçusetsit, me qëndrimin e tij shumë miqësor për ekranin, duket se fitoi mbështetjen e shumë njerëzve, që më parë kishin e vënë në dyshim për shkak të mungesës së përvojës dhe moshës së re.

Në një studio në Çikago, shumë më e thjeshtë dhe e zymtë se çdonjëra nga ato që janë parë në fushatat e sotme, dyshja nisi të ezaurojë pyetje mbi arsimin, pagën minimale dhe borxhin federal.

Ditën tjetër, reagimi i kombit nxori në pah fuqinë e skenës televizive: njerëz që e kishin dëgjuar debatin në radio ishin më të prirur të mendonin se Niksoni kishte fituar, ndërkohë që ata që e kishin parë në televizion ishin më të prirur të mendonin se i pari kish dalë Kenedi. Teleshikuesit ishin të prirur të mendonin se Niksoni, i cili sapo ishte duke e rimarrë veten nga gripi, por që kishte refuzuar të bënte makiazh para nisjes së emisionit, dukej tmerrësisht i lodhur, deri madje në kostumin e tij ngjyrë gri të hapur, i cili e bënte të shkrihej fare në sfondin e studios. Mbresat e shikuesve nga qyteti i lindjes së Niksonit, Uhitier, Kaliforni, e bënin të qartë se sa të pashlyeshme kishin qenë pamjet televizive – qoftë edhe për një grup njerëzisht veçanërisht miqësorë. “Ai dukej i sëmurë, por edhe pak i pasigurtë”, i tha atëherë gazetës New York Times Albert Upton, i cili kish qenë profesor i dramës kur Niksoni ishte në Kolegj. Dhe ish-partneri ligjor i Nixonit, Tomas Beuli tha: “Ai thjeshtë nuk dukej se ishte mirë. Veshja ishte krejt e gabuar. Nuk kishte atë frymën e dikurshme”.

Në studio

5

Nixon nxori mësime. Në tre debatet që pasuan, ai mbajti veshur një kostum më të errët dhe nuk sprapsi “goditjet” e tij, gjë që shumë mendonin se e kish bërë në debatin e parë. Ashtu si interneti sot, televizioni u duk se u bë i gjithëpranishëm brenda natës. Mjeti i ri i komunikimit detyroi kandidatët dhe fushatat që të zhvilloheshin në rrugë e sipër: atë vit, si Niksoni ashtu edhe Kenedi u shfaqën në Jack Paar Show, pararendësja e “The Tonight Show”. Reklamat televizive, të përdorura për herë të parë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1952 nga kandidati republikan Duajt D. Eizenhauer, u bënë një pjesë shumë kritike e zgjedhjeve në vitin 1960. Historiani Teodor Uajt, i cili shkruajti për fushatën e 1960 ka thënë: “Televizioni është procesi politik; është terreni ku luhet politika. Sot, veprimi është në studiot televizive, dhe jo në prapaskena”.

Reklamat e Niksonit trumbetonin përvojën e tij si zëvendës i Eizenhauerit, ato premtonin ta mbanin Amerikën të sigurtë gjatë Luftës së Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik, dhe paralajmëronin se Kenedi do të rriste taksat.

6

Reklamat e Kenedit e paraqisnin atë si të gatshëm për të udhëhequr në një kohë tensionesh të mëdha në botë, nxirrnin në pah përkushtimin e tij për të krijuar vende pune dhe shanse të barabarta për të gjithë amerikanët, si dhe vinin në dyshim nëse Niksoni po ekzagjeronte kur theksonte përvojën e tij. (Një reklamë e tillë tregonte presidentin Eisenhauer në një klip ku ai e kish të pamundur të përmendte qoftë edhe një kontribut madhor të Niksonit si zëvendës president).

Amerikanët ishin të gozhduar. Me Eisenhauerin që po përfundonte mandatin e tij të dytë dhe jo në gjendje të kandidonte sërish, asnjë kandidat nuk e kish avantazhin e të qënurit në detyrë.

Dhe Kenedi po kërkonte që të bëhej kandidati i parë katolik që shkonte në krye të Shtëpisë së Bardhë – një herë e parë kjo po kaq dramatike për atë vit, sa edhe në vitin 2008 kur një njeri me ngjyrë, Obama, u bë president, apo që një grua, si Sarah Palin e Alaskës, mund të bëhej zëvendës presidente.

Pas një inaugurimi dramatik në janar 1961, Presidenti Kenedi, me një familje të re dhe tërheqëse që intrigoi një komb të tërë, vazhdoi duke përdorur mediat në mënyrë të tillë që asnjë president nuk e kish bërë deri atëherë, tiranaobserver.

Ai ftoi fotografë në Shtëpinë e Bardhë për të bërë fotografi të tijat dhe familjes së tij, gjë që ndikoi në krijimin e mistikës Kenedi, shumë e ngjashme me mistikën që ofronte Hollivudi. Ai lejoi që konferencat e tij presidenciale të transmetoheshin direkt në televizion – pas të cilave ai analizonte performancën e tij, madje deri në këndet e ndriçimit dhe të kamerave.