LAJMI I FUNDIT:

Nis ndërtimi i Qendrës Rinore në Vushtrri

Nis ndërtimi i Qendrës Rinore në Vushtrri

Gurthemeli i Qendrës Rinore u vendos sot nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku.

Projekti i Qendrës Rinore në Vushtrri është investim i tërësishëm i MKRS-së me një vlerë rreth 275 mijë euro, dhe i cili do të ketë një infrastrukturë moderne.


Ministri Shala u shpreh se ky projekt kapital është në vazhdën e investimeve që po bën MKRS-ja nëpër komunat e Kosovës në fushën e rinisë.

“Qendra të rinisë, këtë vit, janë duke u ndërtuar edhe në Pejë e Lipjan. Kjo qendër do të jetë një hapësirë e rëndësishme për të rinjtë e Vushtrrisë, ku ata do të zhvillojnë takimet dhe aktivitetet e tyre”, tha ministri.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, për projektin e Qendrës Rinore, e falënderoi ministri Shala, për përkrahjen që MKRS-ja po tregon, jo vetëm në këtë projekt por edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ministria ka me Komunën, e që janë në dobi të qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë.

Ai theksoi se ky projekt është i mirëseardhur për të rinjtë vushtrrias ngase do të krijohet një mjedis me shumë funksione në shërbim për ta. /Telegrafi/