LAJMI I FUNDIT:

Një buqetë për Elian

Një buqetë për Elian

Jeta në Paris, Festivali i teatrit në Avinjon dhe ngjitja në skenën e Teatrit Kombëtar!

Nga: Irma Toptani

Kur interpreton në dramë apo komedi do të thotë të jetosh shumë jetë njëherësh. Vështirësitë dhe lumturia bëhen më të prekshme kur mendon se edhe jeta si e tillë është një teatër më vete, që kërkon guxim e kurajë përveç talentit dhe dashurisë. Elia Zaharia është e re, e hijshme, pasionante dhe e guximshme.

“Franca më ka dhënë shumë! Është e natyrshme që kam një lidhje shumë të fortë me atë vend pasi në njëfarë mënyrë aty u formova. Që në fillim u ndesha me sfida, duke filluar që nga gjuha, të cilën nuk e zotëroja ende, konkurset që duhet të kaloja për tu pranuar në konservator, përpjekjet për të gjetur apartament, punë etj. Fillimi është gjithmonë pak i vështirë, por falë atij vendi të mrekullueshëm, nuk u dekurajova në asnjë moment. Nuk di ta shpjegoj, por në Paris e kam ndier veten si në shtëpi qëkur se shkela për herë të parë. M’u duk absolutisht e natyrshme të isha pjesë e atij qyteti. Ishte dashuri me shikim të parë”, thotë Elia.


Jeta në Paris, kryeqytetin e botës është më shumë se një kujtim.
“Në Paris kam mësuar të kënaqem me gjëra në dukje të vogla, por që ndihmojnë të njohësh më mirë veten. Atje më frymëzon çdo gjë, por ajo çka është thelbësore është përpjekja për të dhënë më të mirën e vetes… Në shtëpi kthehesh me një buqetë buzëqeshjesh. Më frymëzon liria, aty çdokush jeton për veten e tij. Nuk besoj se ka vend tjetër ku vetmia të të shijojë aq shumë. Ka aq shumë gjëra për të bërë, aq shumë muze, teatro, parqe për të eksploruar, saqë koha fluturon pa e kuptuar dhe befas kalojnë 8 vjet”, rrëfen Elia.


Elia është e vetmja femër musketjere që vjen nga Franca, pas rolit që luajti në një skenë prestigjoze si ajo e Avinjonit (Avignon). Një version ndryshe i “Tre musketjerëve” të Dymasë, një histori e katër femrave që shfronësojnë dhe i zënë vendin burrave duke marrë skeptrin e historisë në dorë.
“Për një aktor pjesëmarrja në Festivalin e Avinjonit është shumë e rëndësishme, pasi është një nga më prestigjiozët në Evropë. Komedia trajton një këndvështrim të historisë së gjerdanit të mbretëreshës tek “Tre Musketjerët” (Sacrees Mousquetaires)! Pjesa është me tre akte dhe secili prej tyre sjell variante të ndryshme të fakteve, të para nga tre këndvështrime të ndryshme: ai i Kostancës sjell një atmosferë romantike dhe naive, ai i mbretëreshës Ana serviret në një version tragjik ku respektohen vargjet dhe kodet e tragjedisë, dhe ai i Miledit. Unë interpretoja këtë të fundit, dhe isha protagonist ja e aktit të tretë. Versioni im ishte policesk thriller”, tregon aktorja.

Hapi i parë është gjithmonë më i vështiri, por dhe ai që mbahet mend gjatë në memorien e një artisti. “Roli i Miledit është një nga eksperiencat e mia më të bukura! Ishte shumë kompleks dhe e kam interpretuar me shumë dashuri, pasi ndërthurja e humorit me intrigat dhe karakterin ‘femme fatale’ ishte një eksperiencë më vete! Kjo shfaqje u nis si një aventurë miqësie, por pati një rrugë shumë të gjatë dhe të larmishme! Në kohën që e kemi interpretuar, personazhet u kthyen në një mënyrë jetese. Më shi¬jon pafund humori i zi dhe ky rol ishte pikërisht ajo çka kërkoja…”, thotë Elia.


“Përpiquni të imagjinoni një qytet të vjetër në një kodër të rrethuar nga lumi, përqark të cilit ngrihen mure mbrojtëse, dhe në majë të kodrës gjendet Pallati gjigant i Papëve, i cili ngjan tmerrësisht me akademinë e Harry Poter! Qyteti lidhet me tokën matanë lumit nga disa ura njëra prej të cilave është shumë e famshme, madje, i është kushtuar edhe një këngë. Ajo ndalet në mes të lumit, pasi është ndërtuar dhe shembur disa herë, dhe sot është një nga atraksionet turistike të Francës. Kur shëtisja pranë saj, mendoja që, nëse do ishte në Shqipëri, do të kishim murosur dikë dhe do ta kishim çuar deri në fund si kalanë e Rozafës”.

“Çdo ditë në orën 5 të pasdites zhvillohej parada e artistëve. Të gjithë niseshim nga një pikë e caktuar dhe përshkoni m bulevardin kryesor ‘Avenue de la Republique’, të veshur me kostumet e roleve përkatëse. Trotuaret mbusheshin me njerëz, të cilët në fund të paradës përfundonin me një thes të mbushur me fletëpalosje! Artistët këndonin, improvizonin pjesëza të spektakleve të tyre etj…Mbrëmjeve vonë, të gjithë dilnim dhe mbushnim rrugët me postera e publicitete, ishe me fat po të gjeje hapësira të lira. Në orët e vona restorantet dhe baret në ‘Place de l’Horloge’ (Sheshi i orës) bëheshin strehimi i preferuar i atyre artistëve, të cilët më në fund merrnin pak kohë për të shkëmbyer eksperiencat vetjake të ditës rreth një gate birrë apo monaco”, vijon tregimin Elia.

Dy vjet në Konservatorin Kombëtar të Bordosë, po aq në Kursin Florent (një shkollë private aktrimi) dhe më pas diplomimi në Universitetin Paris 8 mbyllën një periudhë të ngjeshur studimesh, plot tetë vjet, por hapën dhe një tjetër kapitull, atë të miqësive të vërteta.
“Shkollat që kam frekuentuar më kanë dhënë përveç njohurive, miqësi shumë të rëndësishme, të cilat nuk zbehen nga distanca, pasi kanë qenë të vërteta deri në fund. Aty miqësitë marrin shumë kohë për t’u konsoliduar, por kur nyja lidhet, është përgjithmonë. Me miqtë dhe kolegët e mi kemi realizuar disa projekte teatrale dhe kemi luajtur në disa skena pariziane”, tregon Elia.


Kthimi në Tiranë dhe ëndrra për të luajtur në Teatrin Kombëtar morën jetë në dramën e Artur Miller “Shtrigat e Salemit”.
“I jam mirënjohëse regjisorit Spiro Duni, të cilin nuk do ta falënderoj dot kurrë aq sa duhet, pasi më plotësoi një ëndërr të madhe që lidhet ngushtë me fëmijërinë time: Të interpretoj në skenën e Teatrit Kombëtar. Ndoshta jo të gjithë e dinë që në atë skenë unë kam qenë te barku i mamit, kur ajo luante ‘Natën e dymbëdhjetë’. Lidhja afektive me atë aromë druri është shuuuumë e hershme, është e përhershme. Roli i Abigeil Uilliamsit më ka intriguar gjithmonë dhe jam shumë e lumtur që eksperienca ime e parë këtu u realizua me këtë shfaqje. Abigeil është një rol mjaft i vështirë pasi ka pak skena në dispozicion për të arritur metamorfozën e saj. Mendoj sinqerisht që secila prej nesh ka pak Abigeil brenda. Puna ime ishte ta kërkoja dhe ta vendosja në rrethanat e personazhit”, rrëfen aktorja e re.


Çfarë këshille ju dha nëna juaj Yllka Mujo para se të ngjiteshit në skenën e Teatrit Kombëtar dhe çfarë ju tha pas shfaqjes?
“Këshilla e saj ishte: Shijoje skenën, janë momentet e tua! Mami ndaj meje është shumë kritike, kërkon gjithmonë perfeksionin. Ndoshta kështu janë të gjitha mamatë, por mua, imja më duket unike. I besoj verbërisht, pasi e di që gjërat që thotë i burojnë nga zemra dhe mbi të gjitha ka gjithmonë të drejtë. Besoj se e kam kënaqur me interpretimin tim”.
Pasioni është ai që të bën të jetosh pa limite, ndaj dhe arratisjet brenda tij plotësojnë atë dëshirë që ka dikush për t’u ndier i lirë…në rastin konkret përmes dhuntisë në ngjyra e kontraste.
“Piktura për mua është shumë e rëndësishme. Është një art i lirë dhe i pavarur. Unë mund të kaloj ditë pa fund, e kyçur në studion time dhe e shkëputur nga bota përjashta. Arti skenik është gjithmonë i kushtëzuar nga të tjerët, ndërsa piktura është aty në çdo kohë, është në pritje. Marrëdhënia me telajon është tejet vetjake, është një proces krijimi ku jep e merr me veten. Për vite të tëra nuk kam pasur kohë të pikturoj dhe më ka munguar pa masë, ndaj tani që jam kthyer i kushtoj një pjesë të konsiderueshme të kohës. Ajo çka njeriu reflekton në telajo tregon shumë botën e tij. Nëpërmjet saj unë zbuloj më shumë nga vetja”, thotë Elia.

Cili është bilanci që do të bënit në fundin e një dite, më afër ëndrrës dhe lirisë apo më e lidhur fort pas dashurisë?
“Dashuria kur është e vërtetë është e lirë! Të jesh pranë njeriut që do, të mendosh për të, të gatuash për dy, kjo është liria”, shprehet Elia.

Nëse do ta quanim jetën e përditshme një teatër të mbushur me personazhe, skenare e intriga, ju kë rol do zgjidhnit për të qenë një femër e suksesshme dhe mbi të gjitha e lumtur?
“Unë besoj në Zot, me gjithë fuqinë time! Fatkeqësisht nuk ka gjë më të vështirë në realitetin ku jetojmë sesa të jesh i drejtë dhe i vërtetë. Por mua vështirësitë më pëlqejnë, pasi janë dëshmia se Zoti na vë të gjithëve në provë dhe me asnjë rol në botë nuk do ta ndërroja atë të të qenit njeri!”

Elia Zaharia është e bija e Gjergj Zaharisë dhe e Yllka Mujit. Gjergji punon prej mëse 35 vjetësh në arsim, ndërsa Yllka, nderuar me çmimin "Mjeshtre e Madhe", është aktore në Teatrin Kombëtar prej më shumë se 30 vitesh.
Elia Zaharia është e fejuara e princit Leka.


Në trend

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve

Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve

Liga e Kampionëve
Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

Makina larëse harxhon dy herë më shumë energji elektrike për shkak të një gabimi që bëjmë

A e dini se...
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision:

Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision: "Ushtrinë time do ta bëj" ma ke kushtuar mua, sepse po e bëja ushtrinë në atë kohë

Magazina
Kalo në kategori