LAJMI I FUNDIT:

Historia e një prej spiunëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore: Prishtinasi “Cicero”!

Historia e një prej spiunëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore: Prishtinasi “Cicero”!

Cila është historia e spiunit më madh të Luftës së Dytë Botërore? Si i vuri kontaktet me Ambasadën gjermane në Turqi? Si u infiltrua në dokumentet sekrete britanike? Si i kopjonte ato? Si u zbuluan takimet sekrete mes Londrës, Washingtonit dhe Moskës? Cili ishte reagimi i gjermanëve? Si u dekonspirua bashkëpunimi i Turqisë neutrale me shtetet e Aleancës? Pse ministri gjerman i Punëve të Jashtme nuk besonte në këto dokumente? Në ç'mënyrë ai e bind Hitlerin se gjoja "Ciceroni" po i mashtron gjermanët? Si u përkthyen - me ndihmën e "Ciceronit" - kodet britanike? Cili ishte momenti më i rrezikshëm në jetën e tij? Cili gabim gjerman mund t'i kushtonte me jetë "Ciceronit"? Pse anglezët nuk dyshonin tek ai dhe pse kurrë nuk u kontrollua apartamenti i tij? Si u infiltrua agjentja amerikane në ambasadën gjermane dhe si e dekonspiroi atë "Ciceroni"? Pse gjermanët neglizhuan informatën për sulmin në Normandi, sulm ky që ndërroi përfundimisht rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore? A do ta fitonin gjermanët luftën po t'i merrnin parasysh informatat e ofruara nga ai? Telegrafi ju sjell një nga historitë më interesante të Luftës së Dytë Botërore, për spiunin shqiptar, Ilaz Bazna - “Cicero”.

Konsiderohet si spiuni më i suksesshëm i Luftës së Dyte Botërore, e në fund suksesi i tij u shumëzua me zero. Arsyeja kyesore për këtë ka të bëjë me armiqësinë personale të ministrit (JoachimVon Ribbcrttrop), me shefin e Policisë Sekrete Gjermane (Ernst Kaltenbrunner), që hodhi në erë të gjitha përpjekjet për të shfrytëzuar plotësisht depërtimet sensacionale të “Ciceronit” në sekretet britanike. Arsyeja tjetër ndërlidhet me faktin se pjesa më e madhe e pagesës së “Ciceronit” – rreth 250 000 funte angleze – u krye me bankëno tafalse, të shtypura nga vetë gjermanët

Ambasada britanike

“Ciceroni” është pseudonimi me të cilin nazistët e kanë regjistruar shërbyesin personal të Hughe Knatchbull-Hugessen, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Turqi, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Në një hark kohor prej gjashtë muajsh (1943-1944), “Ciceroni” vodhi dokumentet sekrete britanike, të cilat ua shiti gjermanëve. Emri i vërtetë i tij qe llaz Bazna dhe nuk kishte as përvojë e as aftësi për t’u bërë mjeshtër i vërtetës spiunazhi.


Sipas fjalëve të shefit të tij të drejtpërdrejtë – bashkëpunëtorit austriak të SD-së (Shërbimi Sekret Gjerman) – Ludwig Moyzisch, “Ciceroni” shkon në rezidencën e Sekretarit të parë të Ambasadës gjermane, Albert Jenke, më 26 tetor të vitit 1943. Prej aty atë e shoqëruan tek Moyzisch, të cilit “Ciceroni” i ofroi dokumente sekrete për 20 mijë funte në dorë.

Versioni i thënë nga vetë “Ciceroni” të bën të dyshosh në fjalët e atasheut gjerman.

Gjermanët e njihnin edhe më parë atë, sepse kishte punuar si shofer tek Jenke. Mirëpo, është pushuar nga puna, pasi i kishte “futur hundët” në letrat e tij personale, disa nga të cilat i ka fotografuar”. Pas këtij rasti, sipas vetë fjalëve të “Ciceronit”, ai vendosi të bëhej spiun. Ai nuk përmend nëse – kur e zunë për spiunazh tek Jenke – e vunë para dilemës: ose të pranonte ndëshkimin, ose të bëhej spiun gjerman.

Sidoqoftë, një ditë ai iu përgjigj njoftimit të dhënë në një gazete turke, në të cilën thuhej se sekretarit të parë të Ambasadës britanike i duhej një shofer. Në bashkëbisedimin e bërë në Ambasadën angleze, ai shpjegoi se kishte lindur në Prishtinë, por se si fëmijë familja e tij ishte shpërngulur në Turqi. Ai mund të fliste turqisht, frëngjisht, pak gjermanisht dhe greqisht (lexonte dhe kuptonte edhe anglisht, por nuk e fliste mirë).

Shërbimi i sigurimit të ambasadës britanike, sillej disi pakujdesshëm. Vetë fakti që ky njeri kishte punuar në Ambasadën gjermane, ishte i mjaftueshëm që të ngjallte dyshime. Mirëpo nuk u bë asnjë verifikim: gjatë verës 1943, “Ciceroni” u pranua në punë si shofer personal i sekretarit të parë të ambasadës britanike. Nga vetë pohimet e tij, pa kaluar shumë kohë, kishte filluar të lexonte dokumentet sekrete, të cilat sekretari i parë i merrte në shtëpi për t’i punuar mbrëmjeve

Por, “Ciceroni” e kuptoi se për t’u bërë spiun i vërtetë, duhet të depërtonte në Ambasadën britanike. Gjate vjeshtës së vitit 1943, i erdhi shansi i cili nuk duhej humbur: mori vesh se ambasadorit britanik i duhej një shërbyes personal.

Bashkëpunëtori i “Ciceronit” në Ankara: ambasadori gjerman, Franz Von Papen

“Ciceroni” ishte njeri me fantazi, prandaj i vardisej Maras, dados tërheqëse që shërbente në familjen e sekretarit të parë (e cila para pak kohësh kishte përjetuar disfatë në dashuri). Ai i dha shenja se e dashuronte, ndaj “për të më mirë të saj”, “për t’iu shmangur një fatkeqësie të madhe”, tha se do të largohej nga puna!? Mara, së cilës i pëlqente t’i vinte rrotull, filloi të protestojë. Kështu, “Ciceroni”, me dinakëri tha se ndoshta nuk do të ishte keq sikur të bëhej shërbyes i ambasadorit; atëherë ata mund të vazhdonin të takoheshin, pa qenë të punësuar në të njëjtën ndërtesë.

“Do t’ishte mirë sikur t’i thoshe ndonjë fjalë, zonjës tënde, për mua”, tha ai. Dhe, Mara kështu veproi…

Në gjysmën e dytë të tetorit, “Ciceroni” u thirr për të biseduar me Knatchbull-Huggessen. Pasi i bëri disa pyetje, ai i tha “Ciceronit” se ishte pranuar dhe se mund të fillonte menjëherë nga puna. Më pas, duke injoruar praninë e tij, ambasadori vazhdoi të diskutonte me sekretarin e parë telegramet e rëndësishme, që sapo kishin mbërritur nga Londra.

Po atë mbrëmje, “Ciceroni” vuri re se sekretari i parë mori nga ambasada dokumentet e sapombërritura, për të punuar në shtëpi. Mirëpo, në mbrëmje kishte lënë një takim, kështu që me ndihmën e një fotoaparati të vogël të marrë borxh tek një i njohur – i fotografoi ato. Te dokumenti i parë jepeshin shifra të hollësishme për dërgesat e materialeve nga Shtetet e Bashkuara për në Rusi, gjatë dy vjetëve të para pas realizimit të marrëveshjes “lend-liz” (marrëveshje sipas së cilës ShBA-ja do të furnizonte vendet e koalicionit antifashist me armë).

Shefi i policisë sekrete gjermane: Ernst Kaltenbrunner

Dokumenti i dytë ishte protokolli i takimit të parë – të Konferencës së Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve aleate – në Moskë.

“Ciceroni” mendoi të bëjë hapin e dytë. Ai konstatoi se ndonëse dokumentet sekrete ruhen të sigurta në zyrën e Ambasadës, telegramet, mesazhet dhe memorandumet më të rëndësishme ambasadori i merrte në dhomën e gjumit, në një çante të mbyllur të Ministrisë së Punëve të
Jashtme. Natën vonë, ose herët në mëngjes, i shtrirë në shtrat, ambasadori i shfletonte ato.

Këmbimi i parë

Ajo që i duhej “Ciceronit” ishte çelësi i çantës. Ambasadori e dinte rëndësinë e këtyre çelësave, andaj zakonisht i mbante në xhepin e dollomasë. Por, një mëngjes, rastësisht i la mbi tavolinën e vogël, pranë krevatit. “Ciceroni”, me ndihmën e dyllit, bëri një kopje të çelësave para se ambasadori të
kthehej për t’i marrë.

Pas disa orëve “Ciceroni” kishte siguruar dublikatat e çelësave dhe, që nga ky moment, ai filloi të punojë sistematikisht kundër anglezëve. Pothuajse çdo mbrëmje zgjidhte dokumente me shënimin “sekret”, i fotografonte dhe i kthente në vend, pa ngjallur as dyshimin më të vogël lidhur me atë që po ndodhte.

Nga fundi i tetorit, “Ciceroni” kishte grumbulluar më shumë se pesëdhjetë fotografi telegramesh, memorandumesh dhe mesazhesh sekrete, që u përkisnin aspekteve të ndryshme të luftës.

Më 26 tetor, ai hyri në kontakt me gjermanët. A mbeti i shtangur atasheu i policisë së fshehtë nga ky informacion – siç do të theksonte ai më vonë – kjo nuk dihet, por nuk ka asnjë dyshim se atë e habiti pa masë shuma e kërkuar nga Ciceroni”: 20 funte funte në dorë.

Moyzisch deshi të kundërshtojë, por aty për aty “Ciceroni” e ndërpreu muhabetin dhe tregoi me gisht nga Ambasada sovjetike, që ndodhej aty afër (rusët do të t’i paguanin atij çdo lloj çmimi, për të
pasur dokumentet që kishte ai).

“Ciceronit” iu bë e qartë nga Moyzisch se paratë mund t’i paguhen me urdhër të Berlinit.

Takimi i dytë u caktua pas tri ditësh, tek vendroja e Ambasadës gjermane. Franz Von Papen (ambasadori gjerman në Ankara) mori vesh për propozimin e “Ciceronit”, andaj i nisi një mesazh ministrit të Punëve të Jashtme, Von Ribbentrop, duke e njoftuar se shërbyesi i ambasadorit britanik ka ofruar dokumente sekrete angleze.

“Në të ardhmen, për çdo film, duhet të paguajmë 15 mijë funte”, tha ai.

Ribbentropit iu deshën tri ditë për të dhënë përgjigje. Pastaj, Papen mori udhëzimin që të pranonte, “pasi të merrte të gjitha masat paraprake”. Në mesazh thuhej se pas disa orësh do të mbërrinte korrieri me 20 mijë funte.

Të nesërmen në mbrëmje, “Ciceroni” rrëshqiti brenda kopshtit të Ambasadës gjermane. Moyzisch po e priste. “Ciceroni” i dorëzoi atij dy mikrofilma dhe i kërkoi paratë. Moyzisch i numëroi bankënotat në sytë e tij, e më pas i tha se nuk mund t’ia jepte pa bërë zhvillimin.

“Ciceroni” e pranoi kushtin.

“E pabesueshme”

Në bodrumin e errët të Ambasadës tashmë po e priste fotografi. Pas pak Moyzisch mori fotot e dokumenteve britanike. Ato ishin origjinale dhe të hartuara sipas stilit karakteristik të shërbimit diplomatik britanik: “Nga sekretari i shtetit E.P. ambasadorit në Angorë” (askush pos anglezeve nuk e përdorte emërtimin e vjetër anglez të Ankarasë).

Moyzisch u ngjit lart dhe në heshtje i zgjati “Ciceronit” 20 000 funtet. I mori ato dhe duke dalë nga ambasada gjermane, pëshpëriti: “Nesër, po në këtë orë”. Në mëngjes Moyzisch mbante në duar dokumente sekrete ku asnjë prej tyre nuk i kalonte javët. Pjesën me sensacionale e përbënin telegramet që shkëmbenin Londra, Washingtoni dhe Moska, lidhur me çështjen e marrëdhënieve midis aleatëve.

Ministri që ia dha të “mbrapshtën” Gjermanisë: Joachim Von Ribbentrop

Telegrami më i papritur për diplomatët gjermanë ishte ai që zbulonte shkallën e depërtimit të aviacionit të Madhërisë (Britanisë), në territorin e Turqisë (zyrtarisht e njohur si shtet neutral). Gjer në atë moment, gjermanët pothuajse nuk dinin gjë rreth këtij problemi.

Kur Papen i lexonte dokumentet, mërmëriste: “Kjo është pabesueshme”.

Po atë ditë, në orën dhjetë të mbrëmjes, “Ciceroni” u fut në kopshtin e Ambasadës gjermane. Moyzisch pranoi se nuk i mjaftonin të hollat për të paguar filmat e ri, pasi Berlini nuk ka dërguar asgjë. Mirëpo, “Ciceronit” nuk iu duk kjo si problem, pasi fjala gjermane për të ishte e besueshme. Kësaj radhe përmbajtja e dokumenteve ishte akoma më sensacionale. Në një nga telegramet flitej për vështirësitë lidhur me rusët, të cilat kryeministri britanik, Winston Churchill, i kishte deklaruar në një mbledhje të mbyllur të Parlamentit.

Sapo dokumentet e dorëzuara nga “Ciceroni” u zhvilluan në laborator të koduara, ato u transmetuan në Berlin, ndërsa fotografitë u nisën me bagazhin e zakonshëm diplomatik. Kur mbërritën në Berlin, Papen dhe Moyzisch u “bombarduan” me pyetje. Organizma të tërë, që nga Ministria e Punëve të Jashtme e gjer tek zyra e shefit të sigurimit të Rajhut, kërkonin sqarime: “Si kishte arritur ‘Ciceroni’ t’i fotografonte këto dokumente? Si i merrte ato? A kishte ndonjë ndihmës”?

Hetimet në Berlin

Pyetja më e shpeshtë ishte kjo: “Duam informacion të saktë kush është ‘Ciceroni’…”?

Në Berlin Ribbentrop krijoi bindjen se e tërë kjo histori s’ishte gjë tjetër veçse një kurth anglez. Prandaj, refuzonte të besonte në autenticitetin e dokumenteve dhe nuk pranoi t’i shfrytëzonte në punën e tij.

Me në fund, Moyzisch mori urdhër të nisej me avion drejt Berlinit e të raportonte për çështjen. Fluturimi u krye me një ndalesë në Sofje të Bullgarisë, ku Kaltenbrunner kishte dërguar një avion personal.

Kaltenbrunner u grind me Ribbentropin lidhur me origjinalitetin e dokumenteve. Prandaj, sapo Moyzisch arriti në Berlin, e dërguan në zyrën e tij, ku e priste grupi i specialisteve të Gestapos, që merrej me studimin e dokumenteve britanike. Ata e pyetën mos “Ciceroni” ishte agjent i dyfishtë i anglezëve. Moyzisch u përgjigj se dokumentet kishin të gjitha cilësitë që vërtetonin autenticitetin e tyre.

Kaltenbrunner pranoi hapur se për shkak të kundërshtimit të Ribbentropit, shfrytëzimi i informacionit të “Ciceronit” ishte i pamundur. Ministri i Punëve të Jashtme, Ribbentrop, madje kishte arritur ta bindte Hitlerin që mos t’i besonte atij. Sidoqoftë, një rezultat i rëndësishëm u arrit. Stacionet e radio-përgjimit i regjistruan në shirita filmi të gjitha transmetimet e Ministrisë Britanike të Punëve të Jashtme, ndonëse nuk mundnin t’i deshifronin për t’i lexuar. Telegramet e siguruara nga “Ciceroni” tregonin kohën e transmetimeve, datën si dhe shënimet zyrtare. Gjermanët i ballafaqojnë mesazhet e regjistruara me tekstet e telegrameve dhe, si rezultat i kësaj, deshifrojnë disa nga shifrat kryesore britanike.

Moyzisch u paraqit edhe para ministrit nazist të Punëve të Jashtme. Që në fillim ai kishte mendim të ndryshëm me Ribbentropin, prandaj vizitën tek ai e priste ftohtë. Qëndrimi i ministrit të Jashtëm shprehej me këtë frazë: “Kjo është tepër e mirë për të qenë e vërtetë”!

Ai urdhëroi Moyzischin të qëndronte në Berlin. Aty qëndroi dy javë, gjersa me 22 nëntor 1943, iu ndalua kthimi në Ankara.

Konferenca e Teheranit

Po atë ditë, presidenti amerikan, Franklin Delano Roosevelt, arriti në Kajro për t’u takuar me Churchillin dhe gjeneralin kinez Chiang KaiShek. Dy javë pas këtij takimi u mbajt Konferenca e Teheranit, ku morën pjesë Roosevelt, Churchill dhe lideri sovjetik, Stalin.

Sapo Moyzisch mbërriti në Ankara, sekretari i raportoi se një i panjohur kërkonte urgjentisht të takohej me të. Pas pak u dëgjua thirrja telefonike e “Ciceronit”…

Para largimit të tij në Berlin, Moyzisch i kishte dhënë atij 15 mijë funte për mikrofilmat e dorëzuar.

Takimi sekret i Kajros, i zbuluar ng a “Ciceroni”: Roosevelt, Inonu dhe Churchull

Ne Berlin, Kaltenbrunner dha fjalën se 200 mijë funte do t’i dërgohen në Ankara, prandaj mund të vazhdonte ta paguante “Ciceronin”. Kështu, “Ciceroni” përgatiti edhe një film tjetër dhe e pyeti Moyzischin nëse ai mund t’i bënte një nder: nga 15 mijë funtet e premtuara për mikrofilmin, pesëmijë t’ia jepnin në dollarë amerikanë. Moyzisch e përmbushi këtë kërkesë.

Të nesërmen, mijë funte – nga 200 mijë të dërguara nga Kaltenbrunneri – i ktheu në dollarë, për t’ia dhënë në mbrëmje “Ciceronit”. Mirëpo, pas disa kohësh, drejtori i bankës – ku kryente veprimet e veta personeli i Ambasadës gjermane në Ankara – i shqetësuar telefonoi dhe deklaroi se paratë e konvertuara në dollarë banka ia kishte shitur një zvicerani. Pas pak, të hollat u gjendën në Londër, ku banka e Anglisë thotë se ishin false.

Moyzisch telegrafoi në Berlin, prej nga mori këtë përgjigje: bankënotat janë të vërteta!

Moyzisch sugjerohej t’i kompensojë në bankën turke, duke marrë shumën e duhur nga fondet e tjera
të Ambasadës.

“Ciceroni”, si dhe më parë, nuk dyshonte për asgjë.

Gjer në fillim të dhjetorit, “Ciceroni” takohej pothuajse çdo mbrëmje me Moyzischin. I ulur në ulësen e pasme të veturës “Opel admiral”, “Ciceroni” dorëzonte rulon me mikrofilma. Ndonëse thoshte se
nuk e njihte fare anglishten, “Ciceroni” e kishte bindur Moyzischin se të gjitha dokumentet ishin të një rëndësie të shkallës së parë. Dhe, të tilla ishin.

Momenti më i rrezikshëm

Moyzisch tashmë i përpunonte vetë mikrofilmat dhe – kur pas mesnatës i zhvilloi në dhomën e errësuar të ambasadës – në duart e tij rezultuan materialet e plota të protokollit të mbajtur në konferencat e Kajros dhe të Teheranit. Kur pas disa orësh ai dhe Papen studiuan dokumentet, u shtangën: materialet e dorëzuara prej “Ciceronit” kuptuan që vendimet e Konferencës së Teheranit do të thoshin dënim me vdekje për Gjermaninë naziste.

Të nesërmen, më 6 dhjetor, “Ciceroni” solli rulon e re me mikrofilma, që tronditën akoma më shumë gjermanët. Në dokumentet rezultonte se tri ditë më parë, në fshehtësi të plotë nga Ambasada gjermane në Ankara, presidenti i Turqisë (Ismet Inonu) dhe ministri i tij i Punëve të Jashtme (Numan Menemencioglu), ishin takuar në Kajro me presidentin Roosevelt dhe kryeministrin Churchill (aty liderët perëndimorë nuk kishin arritur t’i bindnin turqit për të hyrë në luftë). Hollësitë nga konferencat e Kajros, të Teheranit, si dhe e vizitës së liderëve turq në Kajro, u nisën për në Berlin. Mirëpo, si dhe më parë, Ribbentrop ishte i bindur se ky ishte një mashtrim britanik.

Pas disa mbrëmjesh, Moyzisch e takoi “Ciceronin” në vendin e caktuar. Ata po ecnin nëpër qytet, kur për një çast gjermani në timon vëren një dritë të fuqishme, që vinte nga pasqyra anësore. Ai mundi të dallojë se po i ndiqte një makinë e gjatë dhe e zezë amerikane.

Moyzisch ngadalëson veturën, po kështu edhe ndjekësit. Ata shpejtuan, amerikanët gjithashtu. Moyzisch u përpoq me të shpejtë të merrte kthesë në një rrugicë, por shoferi amerikan – mjeshtër në profesionin e vet – iu ngjit prapë. Pas xhamit të prapmë, “Ciceroni” dalloi fytyrën e dobët e të zgjatur të shoferit, prandaj nxori nga xhepi armën dhe u shtri në dyshemenë e veturës, për të mos e njohur askush. Më në fund, Moyzisch mundi t’u shmanget ndjekësve, mirëpo si ai, ashtu edhe “Ciceroni”, u tronditën nga ngjarja.

Kush ishte përpjekur t’i ndiqte?

Para këtij rasti, Shërbimi i Sigurimit Britanik kishte informata për rrjedhjen e informacionit nga ambasada në Ankara. Kolegët amerikanë të Degës së Shërbimeve Strategjike kishin spiunin e tyre në Berlin dhe thashethemet rreth asaj që po ndodhte ka të ngjarë të kenë arritur gjer në zyrën e ambasadorit Allen Dallas në Bernë. Prandaj, ka arsye të besohet se një agjent amerikan i kishte ndjekur, sidomos kur dihet se ata interesoheshin për “Ciceronin” dhe personin që fshihej pas tij.

Gabimi gjerman

Zbulimi i sekreteve të konferencave që habitën diplomatët gjermanë në Ankara, nuk beri përshtypje te Ribbentropi. Gjermanët krijuan bindjen se “Ciceroni” kishte një ndihmës. Thjesht, asnjë specialist normal nuk do të kishte besuar se pjesën më të madhe të fotografive të tij ai e siguronte duke mbërthyer dokumentin në xhamin e dritares dhe duke e fotografuar me fotoaparatin e vogël. Prandaj, në Ankara u dërgua një gjerman, i cili fshehur pas perdes – dëgjonte sesi Moyzisch e hetonte “Ciceronin” me pyetjet e formuluara nga specialistët në Berlin. Në fund, eksperti qe i detyruar të pranonte se fotografimet i bënte “Ciceroni”, ashtu siç kishte pohuar.

Pak kohë para krishtlindjeve të vitit 1943, “Ciceroni” përsëri solli një rulo me mikrofilma dokumentesh, që i përkisnin depërtimit britanik në Turqinë neutrale. Nga këto dokumente bëhej e qarte se – duke parë që situata e luftës për Gjermaninë po përkeqësohej Turqia kishte filluar t’i bënte lëshime presionit aleat dhe se një numër i konsiderueshëm marinsash, ushtarësh dhe oficerësh të tyre, tashmë ndodheshin në Turqi, të maskuar si nëpunës civilë.

Papen u alarmua. Ai ishte përpjekur shumë për të ruajtur neutralitetin e Turqisë, prandaj mori vendimin të vepronte menjëherë, madje pa u konsultuar me Ribbentropin. Ambasadori gjerman kërkoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Menemencioglu. Nisur nga burimi i informacionit, ai shprehu protestën lidhur me shkeljen e neutralitetit nga ana e Turqisë. Si përgjigje, Papen dëgjoi fjalë bindëse se dyshimet e tij ishin të zmadhuara. Por, sapo u largua, Menemencioglu thirri ambasadorin britanik dhe i tregoi atij për bisedën që pati.

Tashmë u alarmua edhe Knatchbull-Huggessen. Ai i dërgoi një telegram urgjent Ministrisë së Punëve të Jashtme në Londër, ku thuhej: “Von Papen di me tepër seç duhet”.

Pas njëzetekatër orësh “Ciceroni” u dorëzoi gjermanëve fotokopjen e këtij mesazhi. Sot mund të pohohet se veprimet e Papenit ishin të pamenduara, pasi për herë të parë i detyroi anglezët të dyshonin se në Turqi kishte rrjedhje serioze të informacionit. Kështu, të gjitha mjetet e sigurimit të ambasadës iu nënshtruan një kontrolli të hollësishëm: u kontrolluan të gjitha drita dhe bravat; pajisje speciale u vendosën nëpër kasaforta, por apartamenti i shërbyesit, ku ishin 100 mijë funte, nuk u kontrollua. Thjeshtë, askujt nuk i shkonte ndërmend se çdo mbrëmje, dokumentet sekrete liheshin të pasiguruara në tavolinën e vogël, pranë krevatit të ambasadorit, mu në kohën kur shërbyesi hekuroste pantallonat e ambasadorit.

“Overlord” – Dita D

Nga fundi i vitit 1943, “Ciceroni” fotografoi plane luftarake, të miratuara një muaj me parë nga shtabet britanike, amerikane dhe ruse. Ato përfshinin edhe programin e bombardimeve masive të objektivave të pushtuara nga gjermanët në Ballkan. Sulmi i aviacionit aleat ishte caktuar më 14 janar të vitit 1944, në Sofje.

Pjesë ng a “Operacioni Overlord” i njohur më vonë si D-Day: Pamje ng a zbarkimi në Normandi

Në Berlin arritën në përfundimin se dokumentet e “Ciceronit” do të konsideroheshin të besueshme, nëse sulmi do të kryhej me të vërtetë. Prandaj, nuk iu bë asnjë paralajmërim bullgarëve dhe, si rezultat i bombardimit, katërmijë njerëz – kryesisht gra e fëmijë – mbetën të vrarë. Disa ditë para bombardimit, Moyzischit i erdhi nga Sofja një ndihmëse e re, një bionde mahnitëse, njëzetedyvjeçare, vajza e një diplomati gjerman (sipas fjalëve të “Ciceronit”, ajo quhej Komelia Knopf). Pjesën me të madhe të jetës ajo e kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara, andaj si përkthyese nga anglishtja ishte caktuar në stafin e Moyzischit.

Gjatë javëve të para të vitit 1944, Moyzisch filloi të dallojë në dokumentet britanike emërtimin e koduar si “Overlord”. Të gjitha përfaqësive gjermane dhe të gjithë agjentëve iu shpërnda mesazhi me kërkesën që menjëherë ta dekodonin. Duke studiuar një mikrofilm të siguruar nga “Ciceroni”, Moyzisch vuri re se në fund të majit duhet të përfundonin bisedimet e panjohura midis Turqisë dhe shteteve Perëndimore. Kjo ngjalli kureshtjen e tij. Ai kontrolloi protokollin e Konferencës së Teheranit dhe arriti në përfundimin se “Operacioni Overlord” donte të thoshte hapja e Frontit të Dytë në Evropë.

Moyzisch njoftoi me dëshmi Berlinin rreth hamendësimeve të veta, por Ribbentrop nuk u kushtoi asnjë vëmendje. “E mundshme, por pak e besueshme”, ishte përgjigja që ai dërgoi në Ankara. Saktësia e konkluzioneve të bëra nga Moyzisch, u vërtetua më 6 qershor, kur trupat britanike, kanadeze dhe amerikane, nën komandën e gjeneralit Dwight D. Eisenhower, u dyndën në brigjet e Normandisë.

Gjatë javëve të para të vitit 1944, sjellja e përkthyeses së re po bëhej gjithnjë e më e pakënaqshme. Vajza ishte histerike dhe dembele. Sapo vinte në kulmin e qejfit, pas një minute fillonte të qante. Nganjëherë tregohej mjaft inteligjente dhe e mprehtë, ndërsa të nesërmen mund të bënte një mori gabimesh (dhe atë duke përkthyer gazetat). Moyzisch mendonte se si të çlirohej prej saj, por Papen, që ia njihte të atin, nuk deshi të ndërmerrte ndonjë veprim.

Dekonspirimi

Vajzës nuk i lejohej të kishte kontakte me dokument sekrete, por ajo kishte dijeni për “Ciceronin”, emrin e të cilit e kishte dëgjuar. “Cili është ky ‘Ciceroni’…?”, pyeste ajo.

Pas disa ditësh, rastisi që Moyzisch ta shoqëronte vajzën në qendër të Ankarasë. Pasi u futen në një dyqan, takoi “Ciceronin”, i cili blinte veshje të brendshme për dashnoren e tij. “Ciceroni” dhe Moyzischi as me fjalë e as me shikim nuk dhanë të kuptohej se njiheshin. Kur biondina e bukur u ndodh në një pozite të vështirë, iu afrua “Ciceroni”, me kurtuazi, dhe i ofroi ndihmën si përkthyes nga turqishtja. Pas disa minutave, ai i shërbeu si “kreator mode”, për të vlerësuar copat zgjedhura dhe për të parë nëse i shkojnë asaj. Ata u ndanë duke shkëmbyer komplimentet e rastit, në të cilat tepër i shqetësuar – mori pjesë edhe Moyzisch.

“5 fingers”: Posteri i një prej filmave më të shikuar të vitit 1952, që rrëfente për historinë e “Ciceros”

Pas pak ditësh, “Ciceroni” përjetoi një shok. Ne sallën e pritjeve të hotelit “Ankara Palace”, ai e pa përsëri bionden, të shoqëruar nga një amerikan shtatlartë. “Ciceroni” e vështroi në fytyrë: ai ishte shofer i makinës që e kishte ndjekur nëpër tërë Ankaranë.

Në gjysmën e dytë të marsit, sjellja histerike dhe gabimet vazhdueshme në punë e mbushenkupën e durimit për nëpunësit e Ambasadës. Ambasadori Papen ishkroi babait të vajzës (ambasador në Budapest), që ta merrte në shtëpi, meqë po bëhej gjithnjë e më nervoze. Në fillim të prillit, ajo vetë kërkoi të kalonte Pashkët me familjen e saj në Budapest. Moyzisch u shtir sikur pa dëshirën e tij po e jepte miratimin. Ai tha se do ta shoqëronte deri te stacioni i trenit, por kur treni u nis, biondja nuk ndodhej në të. Menjëherë u vunë në dijeni autoritetet turke, ama nuk e gjetën dot. Për këtë zhdukje u njoftua edhe Berlini.

Gjatë ditëve në vazhdim, Moyzisch torturohej nga telefonatat misterioze të zbulimeve aleate. Papritur, ai mori një letër me vulën postare të Ankarasë. Në zarf ndodhej një pusullë, ku gjermanisht shkruante: “Në Ambasadën britanike dinë gjithçka për ‘Ciceronin’…”. Ikja nga Ankaraja… Biondja ishte agjente sekrete amerikane. Në fillim të luftës ajo ishte kthyer në Gjermani, mirëpo simpatizonte Amerikën. Dhe, kur Moyzisch kërkoi një ndihmëse, me dredhi u përpoq ta zinte atë vend.

Shumë vjet më vonë, në Kaliforni ku jetonte me të shoqin amerikan ajo do të thotë: “Nuk kisha dyshim se ‘Ciceroni’ punonte në ambasadën britanike. Në fakt, unë kisha biseduar disa herë me të në telefon”.

Gjate tërë kohës në Ankara, ajo i ka furnizuar amerikanët me informata. Mirëpo, presioni i saj nervor, lidhur me veprimtarinë e saj si spiune, ishte aq i madh saqë u detyrua të merrte narkotikë (fakt i cili mund të shpjegonte sjelljen e saj të çuditshme).

Pas largimit nga Ankara, u nis me avion për në Kajro, ku u tregoi njerëzve të Shërbimit të Fshehtë Britanik për ekzistencën e “Ciceronit” brenda objektit të ambasadës. “Për anglezët kjo ishte një goditje e tmerrshme”, do të thotë më vonë.

Ky ishte fundi i “Ciceronit”, i mjeshtrit të madh të spiunazhit. Moyzisch e paralajmëroi “Ciceronin” se biondja e kishte dekonspiruar pseudonimin e tij, ndonëse nuk kishte dokumente komprometues për të. Zhdukja e saj donte të thoshte se ishte më se e arsyeshme që ai ta braktiste Ankaranë.

Partnerët e një veprimtarie nga më sensacionalet i shtrënguan duart njeri-tjetrit.

Operacioni Bernhard ishte plani sekret gjerman për ta desta bilizuar ekonominë angleze duke falsifikuar valutën e saj: Funtet false me të cila t është paguar “Ciceroni”

“Ciceroni” u zhduk… Moyzisch fshehurazi u njoftua se po e ndiqte Gestapoja. Atëherë ai filloi ta shtyjë nisjen për në Berlin, gjersa Turqia hyri në luftë në krahun e aleatëve. Pas kësaj ngjarjeje Moyzisch u internua, ndërsa pas luftës u kthye në vendlindje, në Austri.

“Ciceroni” me të hollat e fituara nga spiunazhi, kishte plane të mëdha për ndërtimin e një hoteli luksoz, në një nga vendet më turistike Turqisë. Kur projekti i tij filloi të konkretizohej, mori vesh se pjesa më e madhe e parave qenë false (Moyzisch ka pohuar se “Ciceroni” kishte marrë nga gjermanët mbi 300 mijë funte, 40 mijë nga të cilat ishin para të vërteta dhe bizhuteri). Ai falimentoi, prandaj një kohë të gjatë jetoi në rrugicat e Stambollit.

Më vonë paditi Qeverinë gjermane, nga e cila arrin të siguroj një kompensim shumë të vogël. Vdes në vitin 1970, në Munih të Gjermanisë (ku punonte si roje nate). /Telegrafi/