LAJMI I FUNDIT:

Nuk pajtohen për deponitë e naftës

Nuk pajtohen për deponitë e naftës

Projektligji për Tregti me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtritshme ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht se në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thonë se në parim ky projektligj ka kaluar nëpër të gjitha komisionet, kundërshtim të fortë vazhdojnë të kenë përfaqësuesit e naftëtarëve.
Rregullat në tregun e derivateve në Kosovë pritet të ndryshojnë, pasi që në projektligj figuron edhe një nen sipas të cilit shitësit e derivateve duhet të posedojnë deponi nëse duan të marrin licencën për import dhe shitje me shumicë, shkruan Gazeta Fjala.


Fadil Beriani nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës tha se asnjëherë sa është diskutuar për këtë ligj në mes shoqatës dhe MTI-së nuk ishte prezentuar neni kontestues.

Sipas tij, ky draft-ligj të cilin ministria e ka dërgua në Qeveri ka qenë ligj i centralizuar që nga koha e Bujar Dugollit. “Por ky ligj nuk flet për një treg të hapur”, deklaroi Beriani.

Ndërkohë që në departamentin e naftës në MTI thanë se së shpejti pritet miratimi i tij në Parlamentin e Kosovës, Beriani ka thënë për Gazetën Fjala se ky ligj nuk ka shanca që të kaloj.
“Ky ligj ka qenë në Kohën e Mimozës, Bujarit, e që vet LDK para 3 viteve e ka refuzuar. por tash interesant në MTI po e shtyjnë këtë projekt. Ligji duhet të kalojë sa më parë por duhet të jetë treg i hapur e pa këtë nenin për deponi”, tha ai.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thuhet se kjo po bëhet për të pasur një mbikëqyrje të efektshme të tregut të naftës si dhe për të siguruar treg konkurrent me cilësi të produkteve të naftës.

“Një prej kushteve do të jetë edhe kapaciteti i deponimit e që me ligjin në fuqi mund të anashkalohet nëse subjekti e posedon së paku një pikë shitëse. Sipas këtij Projektligji licencat aktuale të cilat janë te vlefshme do të mbesin në fuqi deri në skadimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Departamenti i Naftës në një përgjigje për Gazetën Fjala tha se subjektet afariste të cilat mund të marrin leje për import dhe shitje me shumicë të karburanteve që posedojnë deponi duhet të plotësojnë disa kapacitete minimale për secilin produkt.

“Dizell benzinë dhe karburant Jet 950 m3. Për vajra të rënda për ngrohje, gazoili vajguri dhe GLN 300 m3. Benzinë për aeroplan, bikarburante dhe biolëngje 100 m3”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.
Momentalisht, të licencuara për import të Dizell – benzinës, në Kosovë sipas MTI-së janë 55 kompani.

Kurse në treg të shitjes me pakicë janë rreth 400 operatorë me rreth 640 pika të shitjes me pakicë.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, për kontroll të cilësisë së naftës dhe derivateve të saj ka të licencuara 5 trupa për vlerësim të konformitetit. Prej të tyre 4 janë trupa inspektuese kurse dhe një laborator.

Licenca e dy prej kompanive “Adriaisnpekt” sh.p.k, dhe N.SH.”Euro Inspekt” skadon gjatë kësaj jave (08.05.2016) ndërsa “KPU Inspekt” dhe “Saybolt Pan Adriatika” deri me 2017.
Ndërkohe që laboratori Testues i Autorizuar “Kosova Lab” ka licencë deri në muajin shtator 2016. /Telegrafi/