LAJMI I FUNDIT:

OBT ulë parashikimet e tregtisë globale

OBT ulë parashikimet e tregtisë globale
Cargo containers sit idle at the Port of Los Angeles as a back-log of over 30 container ships sit anchored outside the Port in Los Angeles, California, February 18, 2015. REUTERS/Bob Riha, Jr.

Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), ka ulur parashikimet për rritjen e tregtisë globale këtë vit, me më shumë se 1/3-tën, gjë që reflekton ngadalësimin e ekonomisë kineze dhe rënien e nivelit të importeve drejt Shteteve të Bashkuara.

Shifrat e reja prej 1.7% rritje, që vijnë poshtë 2.8% që vlerësohej më parë, shënojnë herën e parë në 15 vite që tregtia ndërkombëtare duket se po frenon ekonominë botërore.


Të dhënat duhet të përbëjnë një paralajmërim për qeveritë, thotë drejtori i përgjithshëm i Organizatës, Roberto Azevedo, në raportin 6-mujor mbi perspektivën e tregtisë. “Duhet të sigurohemi se kjo nuk do të përkthehet në politika të keq-menaxhuara që mund të përkeqësojnë situatën, jo vetëm në perspektivën e tregtisë, por edhe në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike, që lidhen ngushtë me një sistem të hapur të tregtisë”, shkruhet në raportin e Organizatës.

Të dhënat theksojnë shqetësimet se, pas një periudhe të tejzgjatur të rritjes nëpërmjet globalizimit dhe varësisë nga tregtia globale, qeveritë po synojnë të mbrojnë industritë vendase në një kohë të vështirësive ekonomike dhe po nxiten gjithnjë e më shumë nga konsumi i brendshëm. Edhe pse të gjithë qeveritë e mohojnë proteksionizmin, tregtia nuk po e kalon më rritjen ekonomike, siç ka bërë më përpara.

Tregtia është rritur 1.5 herë më shpejtë se Produkti i Brendshëm Bruto në terma afat-gjatë, dhe dyfish më shpejtë kur globalizimi u përshpejtua në vitet 90′. Këtë vit, tregtia do të rritet vetëm 0.8 herë më shpejtë se ekonomia globale, tregon Organizata Botërore e Tregtisë, gjë që përbën herën e parë të ngadalësimit të globalizimit që prej vitit 2001 dhe herën e dytë në të gjitha kohët.

Kreu i organizatës tha se përfitimet nga tregtia duhet të shpërndahen më gjerësisht, nën një sistem që përpiqet të përfshijë vendet e varfra, firmat e vogla dhe sipërmarrësit, duke kundërshtuar aktivistët anti-globalizim, që thonë se synimi është te ndihma e bizneseve të mëdha. Organizata deklaroi se pret një rritje më të ngadaltë të tregtisë se parashikohej edhe për 2017-ën, apo me 1.8% nga 3.6% që vlerësohej më parë. /Telegrafi/