LAJMI I FUNDIT:

OEK përkrah kërkesat e Feronikelit

OEK përkrah kërkesat e Feronikelit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) përkrah kërkesat e Feronikelit drejtuar institucioneve të vendit dhe kërkon që të merren parasysh dhe që në kuadër të mundësive reale dhe zgjidhjeve ligjore të gjendet zgjidhje për problemet me të cilat është duke u ballafaquar kompania e cila paraqet njërin ndër investimet më të rëndësishme të huaja në vendin tonë.

“OEK përkrah kërkesat të cilat i ka parashtruar Feronikeli në adresë të institucioneve të vendit dhe pret që ato, duke pas parasysh mundësitë ligjore dhe vullnetin e mirë të shqyrtohen dhe të sigurohet përkrahja për kompaninë e cila aktualisht ka të punësuar mbi një mijë punëtor dhe e cila për shkak të rrjedhave aktuale në bursat botërore po ballafaqohet me probleme të shumta”, tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Ai konsideron se Kosova është shumë e interesuar për investime direkte të huaja dhe se përkrahja e Feronikelit, në suazat ligjore, do të ishte edhe një konfirmim i një përcaktimi të tillë të institucioneve të vendit.

OEK konsideron se duhet ndërmarr të gjitha masat që Feronikeli të del nga situata e krijuar dhe se do të ishte lajm i keq për Kosovën nëse do të vihet në situatë që një kompani e tillë të ndërpret punën. /Telegrafi/