LAJMI I FUNDIT:

Optimizëm për industrinë në Gjermani

Optimizëm për industrinë në Gjermani

Prodhimi industrial gjerman pritet të rritet me një hap më të shpejtë gjatë këtij viti, pavarësisht rritjes së ngadaltë të eksporteve, thekson shoqata e industrisë gjermane në raportin e fundit.

Kërkesa e brendshme ka zëvendësuar tregtinë e jashtme si shtylla kryesore e ekonomisë më të madhe të kontinentit, ndërkohë që qeveria projekton një zgjerim të ekonomisë me 1.7% gjatë këtij viti.

Optimizmi i qeverisë gjermane vazhdon pavarësisht shqetësimeve që lidhen me ngadalësimin e Kinës dhe tregjeve të tjera në zhvillim. Shoqata projekton që eksportet gjermane të rriten me rreth 2% përgjatë këtij viti, pas një rritje prej 6% përgjatë vitit të kaluar. Kërkesa e brendshmë vlerësohet se do nxisë rritjen e prodhimit industrial në 0.75% përgjatë këtij viti, nga 0.5% që ishte vitin paraardhës.

” Për industrinë e makinave, tregtia e jashtme mbetet shtysa kryesore, por kërkesa e brendshme vazhdon të forcojë peshën për sektorin gjatë vitit aktual”-vijon raporti. Për kompanitë inxhinierike projektohet një tjetër vit në stanjacion për sa i përket shitjeve.

Gjithsesi, sektori kimik projektohet në një rritje disi më optimiste se një vit më parë dhe se trendi i përgjithshëm i sektorit inxhinierik. Raporti thekson gjithashtu se, performanca dhe suksesi i sektorit industrial në tërësi varet kryesisht nga faktorë të jashtëm, si: nafta e lirë, normat ulëta të interesit dhe monedha e dobët europiane. Shoqata i kërkon Berlinit zyrtar të nxisë investimet në infrastrukturë. /Telegrafi/