LAJMI I FUNDIT:

Pajtimi ka rregulla

Pajtimi ka rregulla

Babai im më ka treguar shumë herë dhe me shumë detaje, atë çfarë kishte parë e përjetuar në fundprillin e vitit 1999 në fshatin tonë fqinj, Vërbovc. Me dhimbje, por me vendosmëri se duhen treguar, ai m’i ka pikturuar orët e pambarimta të ditës së 30 prillit, që i kishte kaluar bashkë me kushërinj e fatzinjë të tjerë në malin mbi fshat, ku po bëhej gjuetia makabre. Afër shtatëmijë forca policore, ushtarake e paramilitare serbe kishin rrethuar zonën dhe kishin filluar gjuetinë. Sepse, nuk ishte as luftë, as fushatë, as operacion ushtarak e as pastrim i terrenit. Babai im dhe të gjithë dëshmitarët e asaj dite fatkeqe më kanë thënë se ajo ishte një gjueti morbide. Mijëra serbë po e gostitnin veten, nën një dehje kolektive, me vrasje të shqiptarëve të pafajshëm.

Babai tregon se pas një dite, që dukej se kurrë s’do të përfundonte, ku vdekja kishte shtrirë mbretërinë e saj kudo përreth (në Vërbovc janë vrarë rreth 350 vetë, shumë prej tyre fëmijë – shumë viktima ende nuk janë gjetur), bashkë me 6-7 vetë të mbijetuar po përpiqeshin të dilnin jashtë rrethimit të hekurt. Derisa po ecnin me hapin e breshkës, nga kujdesi, frika, lodhja dhe tmerri, u duhej të kalonin nëpër një rrugë të ngushtë qerresh. Në errësirë, kishin vërejtur se kishte diçka në rrugë. Kur, me kujdes maksimal, kishin hyrë brenda rrugës së rrethuar me ferra, me lemeri kishin kuptuar se po ecnin nëpër trupa të vdekur. Dhjetëra kufoma ishin hedhur aty dhe të ngjeshur pranë njëri-tjetrit, të ngrirë e të palëvizshëm, sikur s’po donin t’ia nganin plagët shokut pranë, klithnin fuqishëm me heshtjen e tyre.


Babai më ka thënë se, thjesht, ishte e pamundur të mos hidhje hapin mbi trupa të pajetë dhe as ai e as unë s’po përdorim kurrfarë metafore këtu. Me dhimbje të papërshkrueshme, që i ndjen edhe sot dhe që ia shtojnë rrudhat e thella, babai thotë se krejt çfarë ishte përpjekur të bënte, ishte të mos i shkelte viktimat fatkeqe në kokë. Një mendim i atypëratyshëm po e urdhëronte se, së paku, nuk duhej t’i shkelte në kokë. Dhe ashtu, në një skenë të paimagjinueshme, kishin kaluar rrugën e frikshme për të kuptuar të nesërmen se ploja ishte shumë më e madhe. Qindra njerëz ishin vrarë, qindra të tjerë kishin qenë më pak fatlumë (mirë dëgjuat!), sepse ishin zënë të gjallë dhe gjatë ditëve në vijim, nën tortura të paimagjinueshme e të papërshkrueshme me fjalë dhe shkronja, kishin kërkuar vdekjen qindra herë. Zëri i tyre dhe heshtja e trupave të pajetë në baltën e fundprillit ’99 ende jehon. Jehon zhurmshëm në kokat tona!

Të udhëtojmë më tej në histori!… Rashit K. kishte qenë komit. Shumë i vështirë, i egër e i papërmbajtshëm në jetë, kishte vrarë dhjetëra vetë. Me një fjalë, ai ishte nga ata, me të cilin askush s’do të donte të kishte punë. Kalëronte atin e tij dhe kërkonte belanë. Njëherë, po kalëronte bashkë me një të sojit të tij. Papritmas, u duk një fshatar i varfër, shëndetlig dhe leckaman në fund të rrugës së ngushtë. Pa një, pa dy, Rashiti kërceu nga kali dhe vazhdoi të ecte kokulur. Shoku u çudit shumë se çfarë pati ky, po nuk foli derisa fshatari i frikësuar kaloi afër tyre dhe humbi në punë të vet. Rebeli i pandreqshëm i tregoj dostit që pyeste, se më herët ia kishte dhënë një shuplakë atij varfanjakut, prandaj, sa herë takohej, nuk mund ta shikonte nga kali dhe të sillej kinse asgjë s’kishte ndodhur. Pasi që ia kishte shkelur dinjitetin tjetrit, s’mund të ishte më lart se viktima. Duhej të ulte kokën, sepse i kishte borxh.

Kështu thotë tradita, por të shohim shembuj tjerë!… Pasi kishin kaluar disa vjet nën zgjedhën naziste, të ndihmuar nga aleatët dhe të zgjuar nga apatia e pushtimit, holandezët kishin filluar t’i shtynin gjermanët, jo vetëm jashtë Holandës. Miku im holandez më tregonte se gjyshi i tij me shokë iu kishin bashkuar aleatëve dhe po ndiqnin nazistët edhe brenda Gjermanisë. Sidoqoftë, pas kësaj, lufta shpejt kishte përfunduar dhe gjyshi i shokut tim po kthehej në shtëpi. Po jeta di të të befasojë dhe diku gjatë marshimit, shikimi i tij ishte takuar me sytë e kaltër të një gjermaneje të re. Thënë shkurt, holandezi i hijshëm u kthye në vendin e vet me një gjermane të re e shumë të bukur. Megjithatë, krejt kjo histori lufte dhe dashurie s’do të kishte kurrfarë vlere për t’u trajtuar shtatëdhjetë më pas.

Ajo që e bën të vlefshëm këtë tregim është tjetër gjë. Miku dhe ish-kolegu im holandez, nipi i këtij çifti interesant, më pat treguar se gjyshja e tij e kishte kaluar krejt jetën e izoluar në shtëpi. Kishte qenë e lumtur me burrin e saj, por ishte e vendosur që jeta e saj shoqërore të mos kalonte jashtë oborrit të shtëpisë së tyre. Miku më pat thënë se edhe vet ndjehej e izoluar (“unë jam gjermane, pjesëtare e një kombi që ka shkaktuar turpin e luftës më të madhe në histori”), por edhe nga frika se holandezët më të drejtë do të bëjnë me gisht nga ajo (“shih gjermanen si sillet, sikur asgjë të mos ketë ndodhur”). Vendimi i saj kishte qenë i prerë dhe ajo kishte jetuar ashtu e tërhequr deri në fund të shekullit. E lumtur me dashurinë e saj, me martesën, me familjen dhe rrethin e ngushtë, por duke mbajtur mbi supe ngarkesën e fajit kolektiv të kombit të saj.

Kur pashë serbët në Mushtisht, më ra në mend se para do kohësh, dhe duke shpresuar se do të jetë shkrimi im i fundit I këtij lloji, në lidhje me ta, kam shkruar: “Kanë kaluar vitet. Kosova duket se po i mbyll disa nga plagët e veta. Vazhdojmë të jetojmë dhe të punojmë. Fillojmë të falim dhe, sidomos, të harrojmë. Krejt papritur, e kuptojmë se jo që nuk po na kërkojnë falje, por po përpiqen të vazhdojnë temën e njëjtë. Temë e cila e dimë se çfarë sjell. S’ka mea culpa, s’ka katarsis, s’ka asnjë shenjë pendese. Përkundrazi, punë – duhet thënë sistematike – që të shfrytëzojnë çdo mundësi të minojnë shtetin tonë, edhe ashtu të brishtë. Që ta vazhdojnë dehumanizimin tonë. Dhe, kanë gjetur partnerë të mirë. Në mesin tonë dhe nga bashkësia ndërkombëtare…”(https://telegrafi.com/as-nuk-kam-harruar-as-nuk-kam-falur/)

Pavarësisht sa shpejt harrojmë, pavarësisht sa e injorojmë thirrjen e viktimave të pafajshme, shumë prej të cilave ende nuk kanë një varr dhe pavarësisht se kemi një klasë injorantësh në krye të vendit që nuk e di si arrihet pajtimi, tashmë është e qartë se lufta, për serbët, ende nuk ka përfunduar. Jo që nuk ka një pendim, jo që nuk ka një katharsis nga ana e tyre, por përpjekje të çdoditshme, të ethshme e sistematike që të kthehen në vendin e krimit. Dhe këtu duhet të ndalemi: çdo serb i Kosovës ka të drejtë të pamohueshme që të kthehet në pronën e vet. Por, sikur tha dikush, jo me ndihmën e shtetit serb. Jo me Serbinë. Sepse është shteti serb që nuk po e do pajtimin. Pajtimi duhet të ndodhë, por ai ka rregullat e veta, të cilat edhe po të mos i dinin, do t’i mësonin nga shembulli i kombit gjerman.

Topi është në duart e shtetit Serb. Kërkimfalje, katarzë, premtim i reparacioneve dhe garanca të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për mospërsëritjen e historisë, janë vetëm disa nga hapat drejt pajtimit. Duke parë elitat që e sundojnë shtetin serb dhe disponimin e tyre ndaj fqinjëve, kjo ditë duket e largët, shumë e largët. Deri atëherë, populli serb, edhe më të pafajshmit, mund të bëjnë diçka, bile diçka:

Duhet të mos sillen sikur asgjë s’ka ndodhur në këtë vend.

Së paku!

Në trend

Më shumë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Pep Guardiola shpjegoi se pse ai nxori nga loja në kohën shtesë dy gjuajtësit më të mirë të penalltive

Pep Guardiola shpjegoi se pse ai nxori nga loja në kohën shtesë dy gjuajtësit më të mirë të penalltive

Liga e Kampionëve
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

La Liga
Brnabiq e Vulin në Republikën Serbe - tubim ku mohohet gjenocidi serb në Srebrenicë dhe lartësohet lufta e Rusisë në Ukrainë

Brnabiq e Vulin në Republikën Serbe - tubim ku mohohet gjenocidi serb në Srebrenicë dhe lartësohet lufta e Rusisë në Ukrainë

Bosnja
Kalo në kategori