LAJMI I FUNDIT:

Paralajmëron Selmanaj: Protesta e nesërme në Deçan do të jetë masovike

Paralajmëron Selmanaj: Protesta e nesërme në Deçan do të jetë masovike

Dita e Çlirimit të Deçanit, 16 Qershori, sivjet do të festohet më ndryshe nga vitet e tjera.

Nesër, 16 Qershori në Deçan do të shënohet me protestën e radhës, kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.


Tashmë deçanasit kanë bërë të gjitha përgatitjet që protesta e nesërme të jetë sa më masovike. E, që protesta do të jetë masovike, e thotë edhe vetë kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se pas kësaj proteste pret që të reflektojë Manastiri por edhe miqtë ndërkombëtar.

“Protesta do të jetë masovike edhe Deçani tashmë është përgatitur për këtë protestë. Ne do të shohim si do të zhvillohet situata pas kësaj proteste dhe presim që të ketë reflektim nga Manastiri por edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar”, ka thënë Selmanaj, për Telegrafin, duke shtuar se nuk do ta ndalin kundërshtimin ndaj këtij vendimi.

I pari i Deçanit iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nesër të marrin pjesë dhe të protestojnë, siç tha ai, kundër vendimeve politike që i shkaktojnë dëm qytetarëve të kësaj komune.

Lidhur me këtë vendim të Kushtetueses, sot është mbajtur një tryezë ku temë e debatit ka qenë “Aktgjykimi kushtetues i bazuar në drejtësi apo rast i veçantë”.

Deçanasit kishin protestuar edhe më 26 maj të këtij viti kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila konsideron të vlefshëm vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2012, me të cilën i njihet e drejta në pronësi Manastirit të Deçanit, si çështje të mbyllur./Telegrafi/