LAJMI I FUNDIT:

Pas grabitjes në Rinas, ndalohen pesë persona për shpërdorim detyre

Pas grabitjes në Rinas, ndalohen pesë persona për shpërdorim detyre

Hetimet e nisura për supergrabitjen e parave të një banke të nivelit të dytë në Aeroportin “Nënë Tereza” në Shqipëri, vetëm një ditë më parë nga tre persona të maskuar në mes të ditës, kanë çuar sot në firmosjen e urdhërndalimeve dhe ekzekutimin e tyre për disa persona, mes të cilëve drejtues dhe punonjës të kompanisë së sigurisë së aeroportit, ICTS.

Prokuroria e Krujës njofton se personat e ndaluar mbi bazën e dyshimeve për “shpërdorim detyre”, duke u krijuar kështu mundësinë tre3 personave të maskuar e të armatosur të realizojnë vjedhjen e parave nga mjeti që i transportonte ato për në bordin e një avioni, janë Arben Karafili, drejtor operacional i kompanisë “ICTS”; Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, të dy agjentë sigurie; Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare të bankës së nivelit të dytë; si dhe Vangjel Nikolla, kreu i Degës Teknike të Aeroportit.


Sipas njoftimit të Prokurorisë së Krujës, ekziston dyshimi i arsyeshëm se personat e ndaluar nuk kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar qarkullimin e vlerave monetare në ambientet e brendshme të Aeroportit të Rinasit.

Urdhërndalimet janë ekzekutuar nga ana e forcave të policisë mbrëmjen e kësaj të premteje, ndërsa vijojnë hetimet për vjedhjen, të cilat po zhvillohen edhe nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi ka dyshime se vepra penale është konsumuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. /Top Channel/