LAJMI I FUNDIT:

PD: Rama grabit pasuritë publike dhe fikson tenderat për miqtë e tij

PD: Rama grabit pasuritë publike dhe fikson tenderat për miqtë e tij

Partia Demokratike ka denoncuar këtë të hënë para mediave një skemë korrupsioni, që shënon sipas saj një tjetër kulm të babëzisë së Edi Ramës dhe oligarkëve në pushtet.

Sipas nënkryetares së Departamentit të Pushtetit Vendor, Dhurata Çupi, bëhet fjalë për marrjen dhe ndarjen e pasurive publike, të mijëra metrave katrorë tokë dhe truall për klientët dhe shërbëtorët e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës.


“Rasi i parë. Edi Rama i ka dhënë Kaselit, ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit”, ka deklaruar Çupi, e cila ka treguar edhe vendimin e qeverisë.

Rasti i dytë sipas saj është ai i 52 mijë metrave katrorë në mes të Elbasanit, “me ish-rezervat e shtetit që i shkojnë Lucës së Rozafës”.

“Rasti i tretë. Më i favorizuari mbetet komisari i Jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2.135 metra katrorë i jepet Koços. Pronë që do të kthehet në biznes privat, që të prodhojë para për komisarin e Jugut. Ja vendimi i qeverisë”, ka thënë Çupi.

Sipas saj, “në çdo mbledhje qeverie, Edi Rama ndan me konçesion, toka, pyje e kullota, pasuri publike, pa asnjë transparencë, pa kriter, duke ndjekur rregullin e vetëm që është në fuqi: Gjithçka për vete dhe oligarkët”.

“Ka 3 vite që nuk ka asnjë vendim transferimi të pronave publike tek njësitë vendore. Ka 3 vite që ish-pronarëve nuk u kthehet asnjë metër katror truall dhe prej 3 vitesh pasuria e tij dhe e oligarkëve vetëm shtohet dhe rritet. Ky është korrupsioni me të cilin sundon Rama, miliona euro, qindra pasuri publike të zhvatura, të plaçkitura, vjedhje në çdo drejtim, në çdo degë të qeverisë. Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri ka pllakosur zia ekonomike, ka më pak vende pune dhe punësim, më pak konsum dhe më pak investime, ka më shumë varfëri dhe mjerim”, ka thënë Çupi. /Telegrafi/