LAJMI I FUNDIT:

Penerologjia politike

“Kam një ide si propozim në formë të një amendamenti për ndryshime kushtetuese”, kështu një ditë e filloi bisedën bashkëshoqëruesi im me të cilin ne gati çdo ditë e pimë së bashku kafen e mëngjesit.

“Kisha propozuar që me Kushtetutë të përcaktohet detyrimi që çdo politikani, para se të propozohet dhe pranohet në ndonjë funksion të lartë shtetëror, së pari t’i kërkohet certifikata mjekësore. Ajo duhet të përbëhet jo vetëm nga raporti pozitiv shëndetësor fizik, por, detyrimisht asaj duhet t’i bashkëngjitet edhe rezultati i testimit neuro-psiko-analitik i personalitetit të tij”.

“Ide e mirë”, e inkurajova unë po ashtu me ironi, “por sigurisht zbatimi i saj nuk do të kishte efekte të pritshme në praktikë”. “Pse?”, më pyeti. “Meqë dihet se sot te ne politika dhe ndikimi i saj është evident në çdo pore të jetës, ku edhe diplomat e fakultetit merren brenda dite. Ta zëmë, po të realizohet vërtetë kjo ide e jote, a ke menduar mirë se cili institucion profesional i pavarur mjekësor do të ishte kompetent që paanshëm ta jep këtë analizë të mirëfilltë”? “Jo! Ke të drejtë”, më tha dhe qeshëm së bashku.

Edhe pse kjo vërejtje e mikut tim si propozim ishte bërë me stilin e tij karakteristik ironizues me dukuritë tona qesharake shoqërore, posa u ndava nga ai, po atë ditë, mendimet e mia u preokupuan nga një analizë serioze të sjelljeve të dukshme, së paku në paraqitjet e tyre publike, të shumë politikanëve tanë që aktualisht kanë poste të larta udhëheqëse – shtetërore dhe partiake në Kosovë.

Personaliteti i dyfishtë i shumicës së tyre, injoranca shumë e shprehur, mediokriteti, egocentrizmi i tepruar, dyfytyrësia, demantimi kontradiktor dhe gënjeshtra e paturpshme ashiqare (aty për aty) e një lajmi të njëjtë, ngarendja për pasurim të shpejtë pa hezituar ta përdorin edhe hajninë si veprim të kundërligjshëm, “bëja rrafsh” çdokujt, vetëlavdërimi kudo që paraqiten gjatë bisedave dhe intervistave në medie, smira, zilia, eliminimi i pamoralshëm i kundërshtarëve politik, sjelljet e çuditshme dhe të pahijshme para gazetarëve, mimika histerike e arrogancës në fytyrat e tyre, gjestikulime të çakorduara të trupit dhe gjymtyrëve etj. Athua, të gjitha këto “virtyte” publikisht të shprehura dhe të vërejtura në paraqitjet dhe veprimet e disa politikanëve tanë të përzgjedhur në poste të larta shtetërore, mund të konsiderohen si defekte serioze psiko-patologjike të ndërtimit të personalitetit të tyre individual?!

Edhe pse nuk jam ndonjë ekspert i mirëfilltë psiko-analitik i kësaj fushe profesionale, në vazhdim të hulumtimit dhe përsiatjes sime kureshtare rreth kësaj dukurie tejet të përhapur në praktikat individuale dhe grupore të politikës dhe politikëbërjes kosovare në përgjithësi, hasa në diçka shumë interesante që nuk e kisha ditur më parë: në këtë drejtim, po na ekzistuaka edhe një shkencë e veçantë, si nëndegë e psikologjisë hulumtuese, e quajtur “penerologjia”?! Për ata që nuk e dinë, “penerologjia” është emri për një dege të re të shkencës së psikologjisë që merret me studimin e fenomenit të së keqes në përgjithësi, por edhe asaj në politikë – në veçanti.

Në kontekst të kërkim të materialit adekuat që trajton këtë fushë konkrete, gjeta dhe shkarkova nga interneti një libër shumë interesant, që ishte e përkthyer në gjuhën boshnjake, me titull: “Penerologjia politike" – studim shkencor mbi natyrën e së keqes, e adaptuar për qëllime politike, të autorit, Andrew M. Lobaczewski. Pra, konkretisht, libri në fjalë kishte të bënte me trajtimin e së “keqes” në kuptimin e saj edhe më të ngushtë: analizës psiko-etike të mentalitetit të elitës politike në një shoqëri të caktuar.

Gjithmonë, lavdi përjashtimeve kuptohet, por gjatë tërë kohës sa e lexoja këtë vepër tejet interesante empirike me shumë të dhëna të përshkrimit psiko-analitik shkencor të tipareve të personaliteteve të ndryshme politike, gjithnjë në parafytyrimet e mija më shfaqeshin sekuencat e ngjashmërive të ndryshme të cilat, përmes bërjes së një krahasimi sado amator, në tërësi përputheshin edhe me elementet e sjelljes së mjaftë politikanëve tanë aktualë në pushtet.

Meqë nuk jam ekspert meritor i kësaj fushe të ngushtë profesionale, në vazhdim me qëllim nuk do t’i hyja më detajisht analizës krahasuese të kësaj vepre dhe rasteve konkrete nga politika kosovare, por atë që me plotë gojë e kam thënë gjithnjë si parim, dhe do ta përsëris edhe shumë herë tjera, është se urtësia si vlerë dallon shumë prej mençurisë akademike të arritur me “diplomë”! Mençuria është intelekti që mund të dëshmohet edhe me “letër”, ndërsa urtësia është inteligjenca, shkathtësia operacionale mentale që dëshmohet vetëm me vepra: dy vlera këto të kundërta në mes vete të cilat gjithsesi duhet t’i posedojë një njeri i arsimuar, e veçanërisht një politikan që pretendon të jetë lidership. E para në vete ngërthen dijen dhe mendjen, ndërsa e dyta e pasuron atë me nivel të lartë të ngritjes shpirtërore (morale) .

Paevitueshëm, këtë zbulim një ditë ia tregova edhe mikut tim të çdoditshëm të kafeve të mëngjesit dhe “thashethemeve” ditore. Posa më dëgjoi me vëmendje, edhe këtë herë e bëri interpretimin si gjithnjë me atë stil të vetin karakteristik hokatar. Në fakt, nuk komentoi asgjë drejtpërdrejt, por e thuri përgjigjen me një barsoletë figurative domethënëse me të cilën edhe unë do ta përfundoj këtë artikull ndoshta pak sa më specifik:

“Një ditë një torollak e kishte çuar radioaparatin e vet te mjeshtri për riparim. Kur mjeshtri e pyet se çfarë prishje ka radioja, ai iu ishte përgjigjur: ‘Kohën e fundit gjithnjë po ma tregon orën me 10 minuta përpara’. Po e kupton, a po’!? Në vend se ta kërkoj gabimin dhe ta rregulloi orën që ecën përpara, ai shkon te mjeshtri ta ndreq radion?! Andaj, për ta tejkalua këtë gjendje të përgjithshme morale dhe shoqërore-politike që e kemi, a thua ne duhet të kërkojmë riparimin e Kosovës, apo të politikanëve në pushtet që e udhëheqin atë…”?!

Në trend

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori