LAJMI I FUNDIT:

Për zgjerimin e rrugës Zahaq – Pejë do të investohen 10 milionë euro

Për zgjerimin e rrugës Zahaq – Pejë do të investohen 10 milionë euro

Nga viti i ardhshëm, hyrja e Pejës nga Prishtina parashihet të jetë më e lirë nga komunikacioni, një problem me të cilin ka kohë që përballet, për shkak të rritjes së volumit të komunikacionit.


Këto punime që kanë nisur në kohën e verës kur edhe rritet numri i automjeteve është financim i Ministrisë së Infrastrukturës, raporton KTV.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, që i ka parë për së afërmi punimet, ka thënë se fokusi i qeverisë është vazhdimi i mbështetjes së kësaj komune. Kjo rrugë e gjatë mbi 8 kilometra, ka kushtuar 9.9 milionë euro.

Ky investim dhe disa të tjera në këtë komunë, janë mirëpritur nga i pari i saj. E njëjta do të lidhet me magjistralen Prishtinë-Pejë, punimet e së cilës janë tejzgjatur.

Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë bërë të ditur se po presin miratimin e kredisë afatgjate të BERZH-it, vlera e së cilës parashihet të jetë deri në 100 milionë euro.

Ata kanë bërë të ditur se është arritur dakordimi që rruga aktuale të mos zgjerohet, por të shkojë përmes një traseje të re.

Sa i përket magjistrales po aq të rëndësishme siç është ajo e Mitrovicës, përgjegjësit e Ministrisë së Infrastrukturës kanë thënë se kanë shpresa që punimet të nisin brenda këtij viti, pasi vonesat janë bërë nga Banka Islamike si financuese dhe përzgjedhëse e kompanive që do të kryejnë projektin.