LAJMI I FUNDIT:

Përgatitjet për presidentin Trump

Përgatitjet për presidentin Trump

Bill Emmott

Derisa miqtë dhe aleatët e Amerikës janë duke ndjekur me huti garën pothuajse të sigurt midis Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ata duhet të bëjnë më shumë. Ata duhet të shpresojnë për më të mirën, por të përgatiten edhe për më të keqen.


Pika kryesore e zgjedhjeve të 2016-s nuk është vetëm fakti se një yll i televizionit “reality” dhe manjat i patundshmërive, që kurrë nuk ka pasur post zyrtar, ka dalë të jetë kandidat i Partisë Republikane për presidencë. I rëndësishëm është dallimi që një fitore e Trumpit do të kishte në botë, krahasuar me fitoren e Clintonit.

Në secilën zgjedhje presidenciale amerikane në periudhën bashkëkohore, miqtë dhe aleatët e Amerikës kanë pasur preferencat e tyre private. Por kurrë nuk ka ndodhur më parë që kandidati demokrat dhe ai republikan të jenë si nata me ditën. Nuk ka pasur një hendek të pakapërcyeshëm midis Reaganit dhe Carterit, apo Clintonit dhe Bushit, apo Bushit dhe Gore, apo Obamas dhe McCainit. Një hendek i tillë ekziston midis Trumpit dhe Clintonit.

Për pjesën tjetër të botës, Clintoni përfaqëson vazhdimësi, teksa Trump nënkupton ndryshim drastik. Përmasat e këtij ndryshimi nuk dihen, por supozimi se kandidatët përqendrohen te përkrahësit kryesorë të partisë gjatë periudhës së garave për nominim, e pastaj përqendrohen në qendër për zgjedhjet kryesore, nuk vlen në rastin e Trumpit. Kandidatura e tij është abnormale.

Prandaj, përgatitjet marrin kuptim. Trump konfirmoi gjatë fjalimit të tij për politikën e jashtme, në Qendrën për Interesin Nacional në Washington DC, më 27 prill, se “Amerika e para” do të jetë elementi qendror i administratës së tij. Ai do të refuzonte marrëveshjet shumëpalëshe tregtare dhe institucionet, do të merrte qëndrim shumë më të ashpër për imigrimin e paligjshëm dhe do të kishte një qasje të re rreth aleancave të mbrojtjes dhe të sigurisë. Trump deklaroi gjatë atij fjalimi se dëshiron që SHBA-ja të jetë “e paparashikueshme”, por po ashtu e bëri të qartë se nuk do të hiqte dorë prej qëndrimit bazë. Aleatët do të duhet të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Dhe, ata duhet të presin masa të ashpra nga administrata e tij, po qe se kanë vazhdimisht suficit të madh tregtar me SHBA-në.

Marrëveshjet rajonale, si Marrëveshja Veriamerikane për Tregti të Lirë e 1994-s (NAFTA), midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë, paraqesin “fatkeqësi totale”, të cilat ia kanë lidhur duart Amerikës. Pra, mund të supozohet se ato do të shfuqizoheshin.

Pra, si mund të përgatiten për një president Trump miqtë dhe aleatët? Në mënyrë diskrete, natyrisht. Por, autori i bestsellerit të 1987-s, “The Art of the Deal” me siguri do të pajtohej se përgatitja e mirëfilltë është esenca e arritjes së një ujdie të mirë. Nëse Trump gjen dëshmi të saj, pasi që e fiton Shtëpinë e Bardhë, ai me siguri se do të admironte homologët e tij, ndonëse në mënyrë sekrete.

Janë dy gjëra që mund të bëhen prej miqve dhe aleatëve, për t’u përgatitur për më të keqen. Njëra është që ata të bëhen më të fortë, e rrjedhimisht edhe në gjendje që t’i bëjnë ballë atij. Tjetra është që të konsolidojnë miqësitë dhe aleancat njëra me tjetrën, në pritje të një “çarjeje” pas “Amerika e para”, që do të prekte partneritetet e vjetra dhe rendin liberal ndërkombëtar që ka mbizotëruar që nga vitet dyzet.

Një Japoni e dobët dhe një koleksion i përçarë i 28 shteteve në Bashkimin Evropian do të ishte shënjestër për presidentin Trump. Një Japoni që gjatë 12 muajve të ardhshëm mbështet strategjinë e liberalizimit, që përforcon rritjen, e cila shpesh është premtuar nga kryeministri Shinzo Abe, do të ishte në pozitë më të fortë. Më të forta do të ishin edhe shtetet evropiane që heqin dorë nga obsesioni me masa shtrënguese fiskale dhe të përdorin programet për investim publik për nxitjen e rritjes dhe uljen e papunësisë.Hapat e tillë, që janë të nevojshëm në secilin variant, do ta lehtësonin detyrën e ndërtimit të aleancave më të forta – të cilat mund të bëhen esenciale.

Nëse administrata Trump synon ta shfuqizojë NAFTA-n, Kanadaja dhe Meksika do të duhej të bashkoheshin rreth një kauze të përbashkët. Po qe se ai vendos që të heqë marrëveshjen tregtare të Partneritetit Trans-Pacifik (TPP), e negociuar nga administrata Obama me 12 ekonomi të Azisë-Paqësorit, atëherë këto shtete, mbase të udhëhequra nga Japonia apo Australia, duhet të jenë të gatshme ta vazhdojnë marrëveshjen midis vetes (edhe Clinton është shprehur kundër TPP-së, por kjo mund të jetë lëvizje thjesht taktike; në rastin e Trumpit nuk mund të supozohet diçka e tillë).E njëjta gjë vlen për Evropën.

Për t’iu shmangur varësisë nga Trumpi, sa i përket tregtisë apo sigurisë, anëtaret e BE-së dhe të NATO-s duhet të përgatiten për t’u lidhur njëra me tjetrën. Kjo mund të nënkuptojë edhe që ato të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre – një kërkesë kjo jo edhe e paarsyeshme e Trumpit.

Sidoqoftë, solidariteti evropian është në rënie, shkaku i krizës me migrantë dhe pasojave ekonomike të kolapsit financiar të 2008-s. Më 23 qershor, votuesit britanikë mund ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen, po qe se në referendumin e tyre votojnë për t’u larguar nga BE-ja. Për ta fuqizuar Britaninë, si dhe vetë BE-në, në përgatitje të një presidence Trump, ata do të këshilloheshin që të mbesin pjesë e bllokut.

Azia nuk është njohur për solidaritet. Ajo është varur, mbase edhe jashtë mase, nga ndikimi amerikan, për balancimin e rivaliteteve të brendshme. Japonia, për shembull, ka lidhje të ngushta me shtetet e Azisë Juglindore, por jo edhe raporte formale të sigurisë me to. Si Japonia, ashtu edhe fqinji më i afërt i saj, Koreja Jugore, kanë traktate të kamotshme të sigurisë me SHBA-në, por janë rivale njëra me tjetrën.

Duke e pasur parasysh mundësinë e luftërave tregtare, luftërave valutore, si dhe mundësinë e shfuqizimit të aleancave të kamotshme të sigurisë gjatë 9-12 muajve të ardhshëm, është koha që solidariteti të vihet para rivaliteteve të vjetra dhe forcave të përçarjes. Miqtë dhe aleatët e Amerikës duhet të nisin përgatitjet për një Amerikë më pak miqësore.