LAJMI I FUNDIT:

“Përplasjet”, një dramë kombëtare

“Përplasjet”, dramë kjo me motive politike dhe përmasa historike, e autorit Ekrem Kryeziu, ka hapur perdet artistike në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Çun Lajçi dhe Afrim Muçaj, me botën e tyre prej aktorësh me peshë, kanë nxjerr në podium botën e errët të “burg-teatrit” të Kryeziut.

“Përplasje” është teksti i radhës që inskenon Teatri Kombëtar i Kosovës. Është ky autori i radhës që vjen nga Fakulteti i Arteve të Kosovës. Reflektimi tematik erdhi aq dhembshurisht në raport me historinë shqiptare. Dhuna policore e kondensuar në formë ideje, pa prezencën e kostumeve reale do të mund të hetohet nga një kontest irreal në vetvete. Pra, metafora e burgjeve, dhunës sistematike ndaj intelektualëve sidomos, ishte bërë fiksion shpirtëror në trupin e protagonistit të kësaj drame. Kjo kulturë çnjerëzore e ushtruar, gradualisht, do ta shpërqendrojë protagonistin përderisa ky hero kombëtar do ta plas heroin (shoqëruesin) e burg-teatrit jugosllav, me idenë për t’i qepur ato plasaritjet e dyshimta të arteries sonë historike.


Përvuajtjet shqiptare, intelektuale dhe flakadanët e shtizës kombëtare, duke u nisur nga vet autori i cili duke shkruar në liri për lirinë, në robëri për robërinë, ka krijuar një burg-teatër të qëndresës kombëtare, të cilit, ky artist, ky shkrimtar i 15-dramave me motive kombëtare, akoma nuk i ka vu një emër rrjedhës sonë historike. Ato valixhe, ato letra librash të copëtuara dhe pa një radhitje, janë shthurjet tona historike. Janë data të cilat mbase nuk janë të vendosura në kohën dhe vendin e tyre.

Ishte dramë e karakterit me një botë të tërë filozofike në relacion me rrjedhën fabulare brenda mizanskenës së vet, skenografisë dhe ndriçimit filmik. Trumbetohej kaq filozofi, përderisa personazhet e tij ushqeheshin mbi atë shtratin filozofik në formë kryqi dhe udhëkryqi me lozë trungu, me fara të mollës së kuqe. Përplasej morali patriotik nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas, me dëshirën për të jetësuar në kopshtin e tij atdheun, përkatësisht këngën e vërtetë të gjumit mitik. Perla e asaj metafore lirie vërdallisej nëpër tymin e shpresës në formë gruaje. Ishte dramë me përplot intrigë, e cila përplaset brenda një dualizmi të fort.

Retorika politike, interpretimi, marrëdhëniet, atmosfera, regjisura sportive… mbi të gjitha, kjo sintezë e përvuajtjeve njerëzore gradualisht do t’i tejkalojë kufijtë e saj, për t’u bërë shembull i një matematike metaforike në relacion me kombin. Në të kundërtën, dëshira për ta emëruar me një emër gruan e ëndrrave të tij do ngelet mesazh, ndjesi e hapur për historinë dhe brezat e ri.

Shfaqja ishte qëndisur me një mjeshtri dore brenda një garniture estetike. Unë e kam parë kështu. Fundja kam të drejtë që të shpreh të vërtetën e optikës sime. Mbase dyert e burgjeve do të hapen në momentin që hapet kultura e të shikuarit, rezonuarit dhe vrojtuarit drejt. Kjo shfaqje transmeton dhe këtë koncept. Shoqëria shqiptare akoma ka përplot grila në kokë, në qasje, në ide, në dashuri, në atdhetari, në guxim, në shprehje, në tastierë, në pentagramin e tij rutinor. Pra, kjo filozofi skenike zbërthehet dhe shijohet edhe nga përmasat regjisoriale. Është shfaqje që të ngopë me sportivitet skenik. Personazhet e tij janë kanë plot dhembje, por nuk vajtojnë, nuk kukasin, nuk patetizojnë… Përkundrazi, jetësojnë shpresë duke luajtur saktë e pastër nëpër vijat regjisoriale.

Çun Lajçi edhe kësaj radhe erdhi me përplot sportivitet, kreacion artistik e fizik. Ai vërtet manovron dinamikë dramatike në raport me rrjedhën dhe rrethanat e dramës; krijon atmosferë të besueshme dhe të qëndruar. Është brenda karakterit, përderisa u rri besnik tipareve patriotike. Ka gojën plot jetë e buzëqeshje – edhe në rrethana morbide.

Afrim Muçaj është me po kaq intensitet, dashuri, pasion, vullnet, argëtim teatror, diksion të manovruar. Dhe, Gentiana Ratkoceri, e cila nuk mundi të shpalos ndonjë kreacion të qëndrueshëm artistik përkundër figurës dhe imazhit të saj të veçantë, përjetimi i saj do të trasojë pengesa në relacion me të tjerët. Mbase, roli të cilin ajo bartë mbi supet e saj nga konteksti dramaturgjik është në natyrën e saj. Muzika e Valton Beqirit ka një shtrirje të peshuar brenda shfaqjes. Ndërsa, skenografia e Zeni Ballazhit dhe ndriçimi i Asllan Hysenit ishin në funksion të idesë.