LAJMI I FUNDIT:

Pesë studentë nga Kosova përfitojnë bursë për në SHBA

Pesë studentë nga Kosova përfitojnë bursë për në SHBA

Zëvendëskryeministrja dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Mimoza Kusari – Lila nënshkroi kontrata me pesë student, të cilët janë përfitues të programit të ndërmarrësisë në New Hempshire të SHBA-së.

Ministrja Mimoza Kusari – Lila tha se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e ndërmarrësisë në vend. “Këta studentë do të mësojnë nga praktikat më të mira për fillimin e një biznesi, i cili do ti kontribuoj zhvillimit të ndërmarrësisë. Unë shpresoj që me kthimin tuaj në Kosovë, do të keni ndikim edhe tek kolegët tjerë tuaj që të inkurajoni sa më tepër të rijnë të marrin guximin dhe përgjegjësinë për të hap dhe për të zhvilluar biznesin e tyre”, tha ajo.

Kjo iniciativë e MTI-së është bërë e mundur në bashkëpunim me Kolegjin Dartmouth dhe Institutin Ballkanik ku pesë student nga Kosova do të kenë rastin ideal për të mësuar se si të bëhet ideja e biznesit realitet. Kursi do të nis në janar të vitit 2013.


Kriteret që kandidatët është dashur t’i plotësojnë janë: të jenë të paktën në vitin e fundit të studimeve bachelor në sferën e menaxhmentit apo ndërmarrësisë. Por, nuk kanë qenë të përjashtuar ndërmarrësit të cilët nuk janë student. Aplikantët është dashur të prezantojnë një ide, e cila do të realizohet me kthimin e tyre në Kosovë.

Në mars të vitit 2013, kur kandidatët të kthehen nga SHBA-të, do ta kenë derën e hapur në Qendrën Inovative në Gjakovë, ku do të fillojnë biznesin e tyre. Kjo qendër ka për qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik, uljen e papunësisë dhe në veçanti përkrahjen e bizneseve fillestare.

Ndryshe, zyrtarët e MTI-së kanë thënë për Telegrafin, se tre studentë janë nga Gjakova, kurse nga një kanë Istogu e Peja, por që të pestit do të punojnë në Gjakovë. /Telegrafi/