LAJMI I FUNDIT:

Planifikohet shkarkimi i Rexhepit?

Planifikohet shkarkimi i Rexhepit?

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, shumë shpejt mund të ballafaqohet më një kërkesë apo mocion për largim nga posti që mban.

Siç ka mësuar “Tribuna”, tri partitë opozitare, LDK-ja, Vetëvendosje dhe AAK-ja po planifikojnë që shkarkimin e Rexhepit ta bëjnë kërkesë të Kuvendit.

Një deputet që vjen nga radhët e këtyre partive, i ka thënë gazetës se çështja e ngritjes së mocionit nëpërmjet të cilit do t’i kërkohej Thaçit ta largonte Rexhepin është diskutuar mes përfaqësuesve të partive opozitare.


“Ne partitë opozitare kemi biseduar dhe jemi pajtuar se këto veprime në Ministri duhet të ndalen. Ka gatishmëri dhe kjo punë do të bëhet në Kuvend”, ka thënë burimi.

Opozita, sipas tij, është shtyrë për të bërë këso planesh pasi vetë ministri Rexhepi nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, ndërsa as kryeministri nuk po e shkarkon.

Tri partitë opozitare zyrtarisht nuk flasin për ngritjen e iniciativave, por shprehen të gatshëm të përkrahin çdo diskutim që mund të çonte në largimin e ministrit.

Dardan Mulliqaj, sekretar në lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se subjekti i tij do ta përkrahë çdo formë të reagimit që do çonte drejt largimit të Rexhepit nga pozita që mban. Por, ai ka insistuar që kjo të mos ndodhë pa një debat në Kuvend.

“Ne do ta mbështesim një iniciative të tillë. Po ashtu do të kërkojmë nga Kuvendi që të shprehë një mendim për largimin e tij nga ai pozicion dhe fillimin e hetimeve”, ka thënë Mulliqaj.

Qëndrime të njëjta për largimin e Rexhepit ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputeti, Arben Gashi ka thënë se jo vetëm ministri por e gjithë Qeveria duhet të shkarkohet.

“Janë të të njëjtit nivel të gjithë. Ne jemi që të shkarkohet krejt Qeveria”, ka deklaruar Gashi.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka ndërmend të rrijë duarkryq në këtë drejtim. Deputeti Ahmet Isufi ka thënë se edhe partia e tij do të ishte pro veprimeve për shkarkimin e Rexhepit. /Telegrafi/