LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës nis patrullimet edhe në Shqipëri

Policia e Kosovës nis patrullimet edhe në Shqipëri

Policia e Kosovës do të patrullojë edhe në territorin e Shqipërisë, për qëllim të rritjes së efikasitetit e të luftës kundër humbjes së jetëve në aksidentet rrugore.

Në konferencën e përbashkët për medie që u mbajt në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë, Nexhmi Krasniqi, drejtor në Stacionin e Policisë në Prizren, tha se kjo marrëveshje ka për synim sigurinë në komunikacion dhe sigurinë e pronave.


Koloneli Sheremet Ahmeti, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në PK, tha se zyrtarët e parë policorë sot do të udhëtojnë për në Shqipëri.

“Do të shkojmë në asistencë të kolegëve tanë nga Shqipëria. Ne i dërgojmë gjashtë zyrtarë… dhe i formojmë atje gjatë patrulla. Një policë i Kosovës dhe një polic i Shqipërisë shkojmë me tri vetura, përkatësisht një veturë e jona e një veturë e Shqipërisë. Kjo praktikë deri më tash është mirëpritur nga të gjithë në Shqipëri e mbi të gjitha nga pushuesit kosovarë”, tha Ahmeti.

Shef i Seksionit të Kontrollit rrugor në Shqipëri, Sokol Zefi, tha se kanë mirëpritur bashkëpunimin për këtë sezon, ndërsa uron që ky bashkëpunim të jetë i suksesshëm.

“Në emër të Policisë shqiptare i urojmë mirëseardhje forcave tuaja në mbështetjen tonë”, tha ai.

Gjatë takimit mes dy drejtorëve është vendosur që të krijohen kushte lehtësuese për qytetarët e të dyja vendeve për përdorimin e pikave kufitare dhe atyre turistike.