LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës reagon ndaj raportit monitorues të QKSS-së

Policia e Kosovës reagon ndaj raportit monitorues të QKSS-së

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot dy raporte monitoruese për integritetin dhe qeverisjen e brendshme në sektorin e sigurisë në Kosovë, për Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në raportin monitorues të PK-së, QKSS-ja ka gjetur se ka ndikim politik në punët e brendshme të Policisë së Kosovës, po ashtu sa i përket transparencës në raport theksohet se PK-ja ka tendencë për të burokratizuar qasjen e publikut në informacionet e paklasifikuara.


E lidhur me këtë raport ka reaguar Policia e Kosovës, ku përmes një njoftimi për media ka thënë se nuk pajtohet në disa pika të këtij raporti.

“Sa i përket vlerësimit të transparencës, që në raportin e QKSS-së vlerësohet si një shkallë e transparencës solide të PK-së, vlerësojmë se ky raport nuk qëndron, pasi që Policia e Kosovës çdo herë ka qenë e hapur dhe transparente duke ofruar përgjigje zyrtare në të gjitha kërkesat e pranuara nga mediat, organizatat qeveritare dhe joqeveritare si dhe nga personat fizikë dhe të njëjtat i bënë publike në web-faqet zyrtare”, thuhet në njoftim.

Reagimi i plotë i PK-së:

Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik lidhur me raportin vlerësues dhe monitorues të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), si dhe shkrimin e publikuar në disa portale që i referohet integritetit në Policinë e Kosovës, reagon ndaj disa pikave të këtij hulumtimi që kryesisht i referohen transparencës, sistemit të gradimit, pavarësisë në vendimmarrje, mospublikimit të rasteve të hetimeve të brendshme për shkelje disiplinore të personelit policor dhe shqetësimit të tejkalimeve të autorizimeve policore gjatë protestës së 28 nëntorit 2015, dhe sqaron me sa vijon:
Policia e Kosovës, në respektim të plotë të legjislacionit në fuqi, udhëzimeve administrative dhe procedurave të parapara ligjore, në të gjitha rastet ka ndërmarrë veprimet policore konform autorizimeve ligjore që ka.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës në të gjitha rastet e realizimit të hulumtimeve të realizuara nga QKSS-ja, por edhe nga organizata tjera ka qenë shumë bashkëpunuese dhe transparente, duke përfshirë edhe realizimin e hulumtimit në fjalë nga QKSS-ja, ku paraprakisht me të njëjtit janë realizuar takime si dhe janë dhënë përgjigje zyrtare në dhjetëra pyetje e nënpyetje të adresuara në PK.
Po ashtu edhe në konferencën e organizuar sot 26.05.2016 nga QKSS-ja, Policia e Kosovës ka qenë prezente me zëvendësdrejtorin z. Naim Rexha, i cili ka dhënë sqarimet argumentuese të bazuara në raportet zyrtare, ndaj disa të gjeturave në raportin hulumtues të QKSS-së.
Sa i përket vlerësimit të transparencës, që në raportin e QKSS-së vlerësohet si një shkallë e transparencës solide të PK-së, vlerësojmë se ky raport nuk qëndron, pasi që Policia e Kosovës çdo herë ka qenë e hapur dhe transparente duke ofruar përgjigje zyrtare në të gjitha kërkesat e pranuara nga mediat, organizatat qeveritare dhe joqeveritare si dhe nga personat fizikë dhe të njëjtat i bënë publike në ëeb-faqet zyrtare.
Policia e Kosovës, me qëllim të ngritjes së vazhdueshme të transparencës dhe komunikimit, në strukturimin e saj ka tetë (8) zyra për informim në drejtoritë rajonale si dhe një (1) zyrë për informim në nivel qendror, me qëllim të mundësimit të qasjes më të lehtë nga të gjitha palët kërkuese dhe për këtë PK-ja është vlerësuar çdo herë si institucioni më i besueshëm dhe më transparent nga faktorë vendorë e ndërkombëtarë.
Po ashtu edhe rastet e hetimeve të brendshme për shkelje disiplinore të personelit policor dhe shqetësimit të tejkalimeve të autorizimeve policore, në të gjitha rastet bëhen publike, duke përfshirë largimet nga puna, përveç rasteve ku vlerësohet se publikimi mund të ndikojë në procesin e hetimeve ndaj zyrtarëve policorë.
Sa i përket procedurës së gradimit gradimi i zyrtarëve policorë në Policinë e Kosovës është i bazuar në Ligjin për Policinë dhe aktet nënligjore si: Udhëzimi administrativ për gradimin e zyrtarëve policorë, Parimi për Komisionin e procesit të gradimit dhe Procedurat Standarde të Operimit për gradimin e zyrtarëve policorë. Bazuar në rezultatet që tregojnë zyrtarët policorë në testime, përpilohet listat përfundimtare meritore dhe nga kjo listë gradohen zyrtarët policorë bazuar në nevojat për personel të graduar. Procesi i gradimit është transparent për të gjithë zyrtarët policorë dhe gjatë procesit të gradimit pas përfundimit të secilës fazë të testimit publikohen rezultat e arritura nga secili kandidat në rrjetin e brendshëm të Policisë (intranet). Për çdo proces të gradimit themelohet Komisioni për procesin e gradimit si trup i pavarur, kompetent për shqyrtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të gradimit për zyrtarë policorë. Është përgjegjësi e këtij komisioni që procesi i gradimit të zhvillohet në mënyrë transparente, objektive dhe jo-diskriminuese. Gjithashtu për secilin proces të gradimit themelohen edhe panelet vlerësuese për secilin fazë të testimit për secilën gradë. Para fillimit të çdo procesi të gradimit bëhet analiza e nevojave për zyrtarë të graduar, pastaj organizohet procesi i gradimit. Për çdo parregullsi apo lëshim të mundshëm gjatë procesit të gradimit, Policia e Kosovës e fton Inspektoratin Policor (IPK) për hetim të pavarur dhe konform të gjeturave dhe rekomandimeve të IPK-së, Policia bën implementimin.
Referuar pavarësisë në vendimmarrje, Policia e Kosovës është plotësisht e pavarur në realizimin e detyrave dhe autorizime që ka dhe në asnjë rast të vetëm nuk merr vendime jashtë autorizimeve policore-operacionale të bazuara në legjislacionin në fuqi. Të gjitha rastet apo ankesat që adresohen në PK, trajtohen sipas dispozitave ligjore dhe mekanizmave të brendshëm për trajtimin e tyre.
Kurse sa i përket pikës së raportit për tejkalim të autorizimeve në protestën e 28 janarit 2015, e veçojmë se Policia e Kosovës (PK) njeh të drejtën kushtetuese të secilit person, grup apo qytetar, për të shprehur kundërshtimet e tyre përmes demonstratave dhe protestave paqësore dhe demokratike. Edhe në këtë rast Policia e Kosovës veprimet e saja i ka bazuar në autorizimet ligjore, urdhërarrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë dhe planifikimeve operacionale për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Për më tepër, Policia e Kosovës i kushton kujdes të madh, bazuar në procedurat ligjore dhe planifikimin operativ, mbajtjes së rendit dhe ofrimit të sigurisë publike për të gjithë qytetarët, duke përfshirë protestuesit. Burrat dhe gratë e Policisë së Kosovës i marrin përgjegjësitë e tyre seriozisht dhe me vullnet vendosin veten e tyre në rrezik, duke u siguruar që të gjithë qytetarëve t’u ofrohet një ambient i sigurt për ushtrimin e lirive të tyre. Reputacioni i Policisë së Kosovës si një nga institucionet më të besuara në Kosovë, është rezultat i drejtpërdrejtë i përpjekjeve të tyre të palodhshme për të vepruar me paanshmëri, profesionalizëm dhe transparencë.
PK-ja ka qenë e angazhuar në një varg protestash të dhunshme dhe në secilin rast, PK-ja ka kryer obligimet e saj me planifikime të matura, staf adekuat, vetëpërmbajtje të duhur, durim dhe dinjitet përballë sulmeve të dhunshme të drejtuara ndaj institucioneve qeveritare të Kosovës dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Ne edhe një herë sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se Policia e Kosovës në kryerjen e detyrave të saja respekton në përpikëri legjislacionin në fuqi dhe kujdeset që çdo herë të jetë sa më transparente dhe llogaridhënëse ndaj institucioneve dhe qytetarëve të saj.

Në trend Lajme

Më shumë
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori