LAJMI I FUNDIT:

Posta nuk i mbulon shpenzimet e veta

Posta nuk i mbulon shpenzimet e veta

Që nga ndarja me PTK-në, Posta e Kosovës është duke operuar me humbje. Madje, në vitin e kaluar kjo kompani publike nuk ka mundur të realizojë as Planin e Biznesit, lidhur me planifikimin e të hyrave. Mbi dhjetë milionë euro i ka pasur të hyrat dhe mbi 13 milionë kanë qenë shpenzimet.

Gazeta posedon raportin vjetor të kësaj ndërmarrjeje për vitin 2015, i cili është miratuar para disa ditësh nga Bordi i Drejtorëve. Raporti pasqyron të dhënat për performacën e ndërmarrjes, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet.


Sipas raportit, planifikimi i të hyrave ka qenë 11 milionë e 749 mijë euro, ndërsa realizimi ka qenë 10 milionë e 659 mijë euro. Diferenca në mes të planifikimit dhe realizimit është minus 1 milion euro ose 9 për qind më pak se planifikimi. Megjithëkëtë, realizimi i njëjtë i të hyrave në të njëjtën periudhë me vitin 2014 është për 6 për qind më lart. Ndërkohë shpenzimet totale janë vlerë prej 13 milionë eurosh, duke përfshirë koston e mallrave të pashitura, shpenzimet operative, shpenzimet e të ardhurave personale, si dhe zhvlerësimin e mjeteve themelore, që janë për minus 9 për qind më të ulëta se planifikimi. Vetëm shpenzimet e personelit kanë qenë 9.2 milionë euro, ndërsa numri i stafit aktual të Postës është fiks 1000 punëtorë.

Edhe pse menaxhmenti pati marrë vendim për uljen e pagave, në Postë vazhdon të ketë paga tejet të larta krahasuar me pagat në shumë sektorë të tjerë në Kosovë.
Kryeshefi ekzekutiv i PK-së, Sejdi Hoxha, sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2015, ka deklaruar të hyra vjetore nga Posta në vlerë prej 37 mijë eurove, ndërsa një drejtor pagën vjetore e ka 26 mijë e 700 euro. /Zëri/Telegrafi/