LAJMI I FUNDIT:

Presidenca amerikane dhe provincializmi shqiptar

Presidenca amerikane dhe provincializmi shqiptar

Bledar Kurti

Një ditë më parë, dy kandidatët për presidentin e ardhshëm të SHBA, Hillary Clinton dhe Donald Trump zhvilluan debatin e parë televiziv midis tyre. Mediat e majta dhe liberale, ashtu siç tashmë kanë bërë që prej fillimit të garës, i bënë jehonë fitores së Clintonit, ndërsa pjesa tjetër e djathtë dhe konservatore mbështetën Trumpin si fitues të këtij debati.


E gjithë bota duket si e ndarë për opinionet mbi këta dy kandidatë. Edhe në Shqipëri ka një eufori qëndrimesh, tejet të fryra, kryesisht kundër Trumpit, duke harruar që po flitet për vendin më demokratik dhe pararojë në të gjitha fushat, në botë.

Në SHBA asnjë politikan apo drejtues është i rastësishëm. Një kandidat për president, i cilitdo spektri politik, përfaqëson një apo disa kategori të rëndësishme të shoqërisë, i shërben një momentumi politik apo social, apo një misioni ideologjik e pragmatik.

Nuk mund të thuhet sot, pavarësisht programeve dhe personaliteteve nëse një kandidat për president do jetë apo jo një president i mirë. Sistemi amerikan është i mirë, ndaj edhe cilido kandidat do i shërbejë sistemit; Kushtetuta amerikane është e mirë ndaj Presidenti betohet solemnisht që do e mbrojë dhe ruajë atë; populli amerikan është i zgjuar ndaj do krenohet më këdo që do të zgjedhë, ndryshe nga një vend si Shqipëria, ku sistemin e bën Kryeministri, Kushtetutën e ndryshon Kryeministri me të tijtë, dhe zgjidhet në krye të shtetit ai që blen më shumë vota të popullit.

Debatet televizive presidenciale datojnë që nga viti 1960. Kjo traditë demokratike zgjedhore, transparence, shpalosje programesh dhe personaliteti, nisi gjatë fushatës presidenciale amerikane për garën e Presidentit të 35-të të SHBA. Në atë kohë John. F. Kennedy kandidonte për postin e Presidentit kundër zv/presidentit Richard Nixon.

Kennedy, i ri në moshë, solli një stil dhe klas të paprecedent në politikën amerikane, madje edhe atë botërore. Edhe Nixon kishte moshë të re, vetëm 47 vjeç, njeri me eksperiencë shtetarie, veteran lufte, megjithatë Kennedy arriti fitoren më të ngushtë në historinë e zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Debati i parë televiziv midis dy kandidatëve u fitua nga Kennedy, i cili i veshur me kostum të zi dallonte prej kundërshtarit të tij. Ai dukej i qetë dhe në kontroll. Nixoni refuzoi të bënte grimin, ai dukej i tensionuar dhe kostumi i tij gri nuk dallonte nga sfondi, zëvendëspresident prej tetë vitesh, Nixoni dukej më pak presidencial sesa Kennedy. Rëndësia e imazhit u vërtetua kur sondazhet treguan se ata që e kishin ndjekur debatin Kennedy-Nixon në televizion shpallnin Kennedyn fitues, ndërsa ata që e kishin ndjekur në radio vlerësonin Nixon.

Gjatë kësaj fushate, Kennedy revolucionoi konceptin e fushatës presidenciale. Fushata e tij siguron edhe sot një formulë suksesi për këdo që kërkon të ngjisë shkallët e pushtetit. Pjesë e kësaj formule ishte demonstrimi i madhështisë së tij duke e përfshirë veten në rangun e George Washingtonit, Abraham Lincolnit dhe F.D. Rooseveltit. Si edhe kopjoi gjestet e Winston Churchillit dhe evangjelistit Billy Graham. Kennedy e kuptoi se për të fituar nuk ishte e nevojshme të merrej me politika kontroverse. Ai nisi të reflektonte te populli atë imazh që njerëzit kërkonin. Qëllimi i Kennedyt ishte pragmatik, ai nuk bënte politika, por siguronte vota. Ai kuptoi se votuesi kërkonte një lider me personalitet dhe jo politika konkrete. Këtë shembull ndoqën edhe shumë politikanë të tjerë të së ardhmes.

Por, gjatë presidencës së tij, Kennedy-t iu desh të përballet me momentet më të vështira të SHBA dhe mbarë botës, duke filluar me fiaskon e Gjirit të Derrave në Kubë, ngritjen e Murit të Berlinit, dhe përplasjen me Bashkimin Sovjetik për shpërnguljen e raketave në Kubë. Të gjitha këto, momente historike që kërkonin një shtetar të qetë dhe largpamës e jo një politikan mjeshtër të imazhit dhe retorikës.

Richard Nixon humbi ndaj Kennedyt, por arriti të bëhet president i SHBA-ve, dhe të shërbejë në këtë detyrë gjatë viteve 1969-1974. Ndryshe nga Kennedy, Nixon ishte politikan përvoje dhe jo aventurier, dhe në politikën e jashtme arriti më shumë se sa çdo president tjetër, sidomos në raportet me Kinën dhe Bashkimin Sovjetik, por pavarësisht këtij atributi prej shtetari, ishte paranojak dhe si rezultat u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të skandalit të Watergate.

Askush nuk do e kishte parashikuar presidencën e Kennedyt dhe Nixonit. Askush nuk do kishte parashikuar fitoret dhe humbjet e tyre. Sikurse askush nuk mund të parashikojë se çfarë presidence ofron Trumpi apo Clintoni. SHBA dhe pjesa tjetër e botës thjesht duhet të presë e të shikojë, por mbi të gjitha të admirojë standardin demokratik që ofron Amerika për mbarë botën, për votën e lirë, debatet e lira, dhe madje vetë lirinë që mbart në vetvete ai vend.

Edhe Shqipëria është amerikanizuar, por jo në aspektet ku duhet të ishte. Jemi amerikanizuar vetëm në imazhin e fushatave, ku ashtu si në SHBA shpenzohen me miliona dollarë për flamuj, fletushka, banderola etj. etj. Por, ndryshe nga Amerika burimi dhe shpenzimi i parave nuk bëhen transparente, kandidatët i kanë llogaritë bankare në emër të gruas, dhe pretendentët kryesorë për karrigen e Kryeministrit as denjojnë të shtrëngojnë duart e jo më të dalin në debate televizive për të shpalosur programet e tyre dhe për të informuar qytetarët.

Me provincializmin tonë ne fryhemi e krekosemi më shumë se Amerika (dhe çdo vend tjetër në botë) dhe guxojmë të gjykojmë me arrogancë kandidatët për president të vendit më të fuqishëm të botës. Dhe si provincial në mendim harrojmë që kur Amerika ftohet e gjithë bota teshtin, apo kur Amerika teshtin e gjithë bota ftohet.

Nga Kennedy te Clintoni dhe nga Nixoni te Trumpi, brezat kanë ndryshuar, shoqëria ka evoluar, megjithatë, një gjë vazhdon e mbetet e njëjtë: Liria dhe demokracia e vërtetë. Shqipëria i ka sytë për nga Amerika, por fatkeqësisht, jemi shumë e shumë larg, jo vetëm gjeografikisht, por absolutisht në çdo aspekt.