LAJMI I FUNDIT:

Princes krofne

Princes krofne

Fikrie Gagica- Ukelli
Autore e librit “1000 receta për çdo familje”

Përbërësit:

* 1 filxhan kafeje vaj,
* 2 filxhanë kafeje ujë,
* 100 gr miell (1 gotë 2.1/2 dcl),
* 1/2 qeskë pluhur paste,
* 4 vezë.

Kremi: 1 litër qumësht, 10 lugë supe sheqer, 8 lugë miell, 2 vezë, 1 sheqer vanileje.

Përgatitja:

Vlohet uji me yndyrë. Largohet ena nga zjarri dhe, duke e përzier, hidhet gradualisht mielli i përzier me pluhur paste. Ena kthehet në zjarr për t’u fërguar brumi gjersa të shkëputet nga luga dhe ena. Brumi ftohet, pastaj hidhen vezët një nga një duke e tundur brumin me mikser ose me lugë druri në masë të njëllojtë. Me kaush ose me lugë të mesme, në madhësi të një arre, të larguara njëra nga tjetra, vendosen topthat në tepsi të shtruar me letër të yndyrshme. Futen në furrë të nxehtë me temperaturë 200 gradë C për t’u pjekur për 30-35 minuta. Nuk çilet furra edhe 20 minuta pas pjekjes. Nëse dëshirohen krofne-mjellma, nga brumi i mbetur, me kaush të hollë kuzhine, formohen disa “qafa” mjellmash në formë të shkronjës S. Piqen në temperaturë 180 gradë C për 10 minuta, pastaj qëndrojnë në furrë deri sa të ftohen.

Të verdhat e vezëve, sheqeri, mielli, sheqeri vanilje dhe 1 gotë qumësht i ftohtë, tunden me mikser. Masa derdhet në qumështin e nxehtë, duke e përzier kremin vazhdimisht me tel kuzhine gjersa t’i marrë disa valë dhe të trashet. Të bardhat e vezëve tunden në shkumë të qëndrueshme dhe bashkohen me kremin e ftohur duke e përzier me lugë gjersa masa të bëhet homogjene. Krofnet e pjekura priten horizontalisht përgjysmë dhe mbushen me kremin e ftohur. Nëse përgatiten “mjellmat”, korja e sipërme pritet përgjysmë, mbushen me krem, e në mes vendoset qafa në mënyrë që të marrë formën e mjellmës. Mbi hidhet sheqer pluhur.
/Telegrafi/
Nga i njëjti brumë dhe krem, përgatiten profiterolet dhe moka ekler’s.