LAJMI I FUNDIT:

Prishtina ende s’ka vendosur

Prishtina ende s’ka vendosur
OLYMPUS DIGITAL CAMERA

FC Prishtina ende nuk ka vendosur për të hyrë në pako me klubet tjera të Superligës, të drejtat televizive të të cilave Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka shitur për 150 mijë euro, shumë kjo që u vlerësua e ulët jo vetëm nga klubi më i madh kosovar, por edhe nga disa klube tjera dhe analistë.

Megjithëkëtë, 11 klubet tjera kanë pranuar propozimin e FFK-së që paratë e shitjes së të drejtave televizive t’u ndahen në mënyrë të barabartë, në një takim të përbashkët që patën ditë më parë, shkruan sot, gazeta Zëri.


Kurse, FC Prishtina as nuk e ka pranuar e as nuk e ka refuzuar këtë propozim, duke ia lënë Bordit të Klubit për të vendosur, ndonëse presidenti Remzi Ejupi nuk e kishte përjashtuar mundësinë për t’u bërë pjesë e kësaj pakoje, por kishte thënë se vendimin përfundimtar do ta marrë Bordi. Aksionarët e FC Prishtinës pritet të mblidhen të hënën, ku pos tjerash do të diskutojnë dhe do të marrin vendim edhe rreth kësaj çështjeje. Burime brenda klubit i kanë thënë “Zërit” se FC Prishtinën ende nuk e ka kontaktuar askush për t’i dhënë sqarime ofertuese. “Krejt çka na është thënë është ajo në atë takimin e para disa ditësh se të gjitha klubeve do t’u ndahen nga 15 mijë euro prej shitjes së të drejtave televizive. Asgjë tjetër, asnjë shpjegim, asnjë opsion, asnjë negocim, asgjë. Këto gjëra nuk kryhen kështu. Duhet ta dimë se çka po nënshkruajmë, çfarë obligime kemi, duhet ditur përgjegjësitë e palëve”, tha një burim i “Zërit” në FC Prishtinë.

“Ne nuk kemi thënë se kemi pranuar të hyjmë në atë pako, por kemi thënë se për këtë do të vendosë Bordi. Por, siç po e shihni gjatë këtyre ditëve të fundit nuk ka pasur më asnjë kontakt, asnjë ofertë. Sidoqoftë, Bordi ende nuk ka vendosur dhe vendimin mund ta marrë të hënën”, theksoi i njëjti burim.

Të drejtat televizive të Superligës janë shitur për 150 mijë euro, shumë e vogël në krahasim me shpenzimet që u janë shtuar klubeve, të cilat sivjet do të luftojnë me të madhe në Superligë për kualifikim në gara evropiane. Nga kjo dhe nga investimet që po i bëjnë klubet pritet të rritet kampionati kosovar. FC Prishtina gjithmonë ka dhënë vërejtje për çmimin e ulët të shitjes së të drejtave televizive dhe për mënyrën e ndarjes së parave. Bardhekaltrit kanë insistuar se kur paratë ndahen, klubet duhet të dallohen e jo të barazohet i madh me të voglin, kampioni me atë që bie nga Superliga apo shpenzuesi i madh me shpenzuesin shumëfish më të vogël.