LAJMI I FUNDIT:

Proces i zorshëm

Proces i zorshëm

Procesi i privatizimit të PTK-së rrezikohet sërish. Express mëson se kompanitë në garë po kërkojnë kushte me të mira nga Qeveria për ta blerë këtë kompani. Në të kundërtën, nuk ofertojnë fare. Si pasojë, është shtyrë për herë të dytë afati për dorëzimin e ofertave deri më 15 mars.

Prej 3 mijë punëtorëve sa i ka Postë-Telekomi i Kosovës, rreth 1600 vlerësohen tepricë nga kompanitë në garë. Ky mbipunësim dhe kushti i vendosur nga Qeveria e Kosovës që pas privatizimit punëtorëve t’u vazhdohen kontratat edhe për tri vite nuk po u pëlqejnë kompanive në garë.

Si pasojë, Komiteti Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave deri më 14 mars. Ndërkohë, kjo është shtyrja e dytë e këtij procesi për këtë vit.


Për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kjo po bëhet për t’u dhënë më shumë kohë kompanive në garë, por Express mëson se përveç kësaj, kompanitë nuk po i pëlqejnë kushtet e vendosura nga qeveria. “Rreth 1600 punëtorë ka dalë se janë tepër në PTK. Rroga mesatare i bie 590 euro apo 944 mijë euro në muaj për këta 1600 punëtorë. E për katër vite i bie 45 milionë euro paga për këta 1600 punëtorë. Pra, 45 milionë euro ka ulje të vlerës se PTK-së”, ka thënë një zyrtar i afërt me këtë proces.

Sipas tij, kështu siç po ecin punët, procesi i privatizimit të PTK-së po shkon edhe njëherë drejt dështimit. Prej katër kompanive në garë thotë se tri janë aty veç formalisht. “Nga bisedat me kompanitë deri tash më serioz është konsorciumi AvicienaCapital. Tjerat janë aty vetëm sa për sy e faqe”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se shtyrja e afatit për dorëzimin e ofertave është bërë me kërkesë të investuesve dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare. “Pra zgjatet afati për dorëzimin e ofertave deri më datën 14 mars. Dhe arsye për një proces të tillë është të kemi oferta sa ma të qarta, të kemi mundësi që kompanitë që janë në proces të konkurrimit të japin oferta sa më të larta. Ne kishim para disa ditësh një takim edhe me BERZH-in dhe një ndër kërkesat e tyre ka qenë që ata të kenë kohë për të marrë pjesë në këtë proces”, ka thënë Beqaj.

Gjithashtu ka pasur edhe ndërrim të anëtarëve të konsorciumeve. Saktësisht konsorciumi që ka qenë i përberë nga ColumbiaCapital bashkë me ACP AxosCapital është shpërbërë. Tash konsorciumi AxosCapital do të vazhdojë me një kompani tjetër, gjithashtu nga Shtet e Bashkuara dhe me British Telecom dhe Italian Telecom. Ndërkaq do të largohet nga konsorciumi ColumbiaCapital.

Ministri Beqaj ka thënë së interesi i qeverisë është që të ketë transaksion të suksesshëm, transaksion i cili merr vlerën maksimale dhe që u jep mundësi institucioneve financiare ndërkombëtare të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve. “Kemi institucione financiare ndërkombëtare që janë të gatshme me komuniku me investitorët potencialë për të gjetur formën dhe mundësinë e përkrahjes së tyre për financim. Pra, flasim për një shtyrje të afatit, i cili mundëson që transaksioni të na sjellë oferta jo me kushte dhe oferta të cilat mund të kenë vlerë me të madhe financiare. Kjo është arsyeja. Nuk duhet të jemi le të themi robër të afateve kohore”, ka thënë Beqaj.
Tani për tani në garë kanë mbetur katër kompani. Ato janë: konsorciumi Akxos me grupin e kompanive të cilat janë pjesë e saj, Avicenna Capital LLC në konsorcium me Twelve HORNBEAMS (Mbretëria e Bashkuar, Poloni), M1 International Limited (British Virgin Islands) dhe Turkcell (Turqi). /Telegrafi/Express/