LAJMI I FUNDIT:

Prodhuesit e grurit takohen me Hotin e Bajramin, kërkojnë mbështetje më të madhe të Qeverisë

Prodhuesit e grurit takohen me Hotin e Bajramin, kërkojnë mbështetje më të madhe të Qeverisë

Sot është mbajtur takimi mes përfaqësuesve të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit në Kosovë, ministrit të Financave Avdullah Hoti, dhe ministres të Tregtisë dhe Industrisë , Hykmete Bajrami.

Gjatë takimit janë diskutuar përgatitjet për korrjet e këtij viti. Ndërsa, Shoqata ka prezantuar problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e grurit në Kosovë, duke kërkuar përkrahje më të madhe nga Qeveria, sidomos kur dihet se gruri konsiderohet si produkt strategjik.


Gjatë takimit është thënë se politikat bujqësore qeveritare duhet të fokusohen në drejtim të përkrahjes së prodhuesve për t’u rritur prodhimtaria e grurit dhe që të arrihet momenti kur Kosova do të sigurojë 100 për qind të nevojave për grurë e të eliminojë varshmërinë nga importi. Po ashtu është diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen bujqit e Kosovës, siç janë problemet me konkurrencën joluajale nga importi i grurit në rajon, informaliteti në këtë industri në tregun e Kosovës, si dhe për mundësinë e ndryshimit të mënyrës së subvencionimit të grurit. Ndaj, është kërkuar që të përkrahen të gjithë bujqit e Kosovës, duke u krijuar kushte të barabarta sikurse edhe për bujqit në rajon.

Ministrat Bajrami dhe Hoti kanë premtuar se do të përkushtohen më shumë për t’i përkrahur bujqit e Kosovës dhe se do e shqyrtojnë çdo propozim që vjen nga Shoqata. Po ashtu është vendosur që takimet e tilla të vazhdojnë të mbahen më shpesh, në mënyrë që ministrat të jenë më pranë bujkut dhe t’i orientojnë politikat qeveritare drejt zhvillimit të bujqësisë së Kosovës. /Telegrafi/