LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Sali Mekajt

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Sali Mekajt

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë kundër ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Mekaj dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka pranuar një ryshfet në vlerë prej 20 mijë eurosh.


“I pandehuri S.M. në cilësinë e personit zyrtar, (në atë kohë kryetar i Gjykatës së Apelit të Kosovës), ka shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar, duke i premtuar të pandehurës V.G. se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”.

“I pandehuri S.M. me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë.

Gjithashtu bëhet e ditur se Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe kundër tre personave të tjerë të lidhur me rastin.

Një nga të pandehurat është V.G, e cila sipas prokurorisë, në këtë rast e ka “shtyrë” Sali Mekajn të kryej veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

“Gjithashtu, e pandehura V. G. së bashku me të pandehurit M.S. dhe A.S. kanë tentuar kryerjen e veprës penale të dhënies së ryshfetit ashtu që, sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin M.S. e pandehura V.G. ka marrë nga i pandehuri A.S. para në shumë prej 20.000,00€, të cilat ka pasur për t’ia dhënë të pandehurit S.M., me qëllim që përmes tij të arrijnë lirimin nga paraburgimi për të pandehurin M.S. dhe një të pandehur në një tjetër rast penal”, përfundohet në njoftimin e prokurorisë. /Telegrafi/