LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria nuk merret me pastrimin e listave të veteranëve

Prokuroria nuk merret me pastrimin e listave të veteranëve

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një njoftimi për media, ka sqaruar se Prokurori i Shtetit nuk është institucion administrativ që merret me pastrimin e listave të veteranëve.

Në një njoftim për media thuhet se Prokuroria ka filluar të bëjë grumbullimin e informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së.


“Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës ose jo. Pra, ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës dhe jo për pastrimin e listave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit pret që Qeveria dhe Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, duke ofruar informatat dhe provat që kanë për kryerjen e ndonjë vepre penale gjatë këtij procesi. /Telegrafia/