LAJMI I FUNDIT:

Protestat në Maqedoni vazhdojnë pas festave

Protestat në Maqedoni vazhdojnë pas festave

Lëvizja “Protestoj”, ka njoftuar se nuk do të ketë protesta deri të dielën. TV Shenja mëson se e njëjta do të përkrahë protestën e sindikatave të punonjësve. Protestat qytetare si deri tani, pritet të vazhdojnë nga dita e martë. Ky vendim ka ardhur për arsye të festave fetare këtë fundjavë. Protesta nuk do të ketë as nëpër qytetet të tjera, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Pavarësisht vendimit të lëvizjes “Protestoj”, qytetarët në rrjetet sociale kanë shprehur gatishmëri të protestojnë edhe gjatë festave, varësisht kushteve atmosferike. Për të ruajtur frymën e protestave dhe gjallërinë e “Revolucionit të larmë”, qytetarët janë të gatshëm të protestojnë edhe për fundjavë në terminin tashmë të njohur, ora 18:00 para Prokurorisë Publike Speciale.

Ditë më parë u shënua dita e 15 e protestave të cilat filluan më datë 12 prill dhe vazhduan pa ndërprerë. Në përgjithësi, protestat janë zhvilluar në frymë demokratike dhe pa incidente, përjashtim protestës së dytë, respektivisht datës 14 kur protestuesit sulmuan dhe demoluan objektin Zyra popullore e presidentit. Bilanci i këtyre protestave ishte 12 të arrestuar dhe 6 të lënduar, 5 policë dhe një gazetarë.

Nga ana tjetër, nuk ka paralajmërime për kundër protestat pro-qeveritare të organizuara nga Lëvizja qytetare për mbrojtjen e Maqedonisë./Telegrafi/