LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë fermerët e rajonit të Dukagjinit

Protestojnë fermerët e rajonit të Dukagjinit

Rreth 30 fermerë të komunave të Pejës dhe Deçanit kanë protestuar para objektit të Fabrikës “Niart-Fresh Sh.P.K.”, në Raushiq të Pejës, për prishje kontratës paraprake për blerjen e misrit.

Kurse, përfaqësuesi i kompanisë thotë se fermerët nuk kanë respektuar rekomandimet e kompanisë dhe kanë zvogëluar masën e kontraktuar të eksportit, duke e përdorur për nevoja dytësore. Ndërsa, që të dyja palët kanë kërcënuar njëri tjetrin me padi tek gjykata kompetente.


Protestuesit kishin kontrata idnividuale, por që të gjithë të mbledhur rreth një shqetësimi të përbashkët, sepse, sipas fermerëve protestuesë rreth 200 hektarë tokë me misër do të dëmtohen për shkak të tërheqjes nga kontrata të Kompanisë “Niart-Fresh SH.P.K.”.

Mahir Zekaj nga Raushiqi thotë se ishte ndër të parët që organizoi lidhjen e këtyre marrëveshjeve. “Me mua ka kontaktuar më së pari drejtori dhe unë ua kam mbjell misrin pjesës dërmuese të fermerëve, meqë kam makinerinë. Kam mbjell edhe pronë timen një hektar e gjysmë dhe e njëjta procedurë ka vazhduar edhe me mua”, tha ai.

Kurse, Rasim Regjaj nga Fjerza e Pejës, thotë se për të përgatitur produktin final janë futur në kredi e borxhe. “Tre mijë euro unë i kam shti pare kesh. Kur ka ardhur puna me e dorëzuar, ky po e marrë sot, po e marr nesër. Duhet me kaluar fazën e qumështit, e ka kaluar. Jo tash duhet me lanë me u shtrënguar se duam me e shti turrshi. Edhe e ka kaluar edhe punën e turrshisë edhe ka ardhur tash deri te drithi, jo tash duam me ua marr drithin, me ma qëruar edhe me e pru në atë mënyrë. E tash, çmimi që na ka u ofruar ka ra 3 centë, nga ai i pari që ishte 14 centë. Unë e kam pas mundësinë ta ashes 50 centë, por i kam qëndruar pas kontratës se na jemi bujq të sinqertë. Sot unë nuk mund me fjet se banka i do parët”, tha Regjaj.

Nga ana tjetër, Milazim Gashi, drejtor i Kompanisë “Niart-Fresh” i kontaktuar nëpërmjet telefonit, tha për “Radio Kosovën” se fermerët kanë dhënë informata konfidenciale të kontratës ndërmjet palëve si dhe kanë shfrytëzuar produktin për nevoja dytësore. Si rrjedhojë, është pamundësuar transporti për shkak të masës së zvogëluar krahasuar me kontratën paraprake me bujqit.

“Marrëveshja paraprake me fermerët ka qenë për 200 hektarë, por 85 për qind te fermerëve nuk i kanë respektuar rekomandimet e kompanisë. Ndaj, kompania nuk ka mundësi të eksportojë në Gjermani sasinë prej vetëm 15 hektarëve të mbetur. Unë ua kam ofruar një çmim tjetër prej 9 centëve dhe është e drejtë e tyre të mos e pranojnë. Por, unë do t’iu bej kallëzim penal se ne kishim marrëveshje eksporti për Gjermani, ndërsa vetëm 10-15 për qind të fermerëve e kanë respektuar marrëveshjen”, tha ai.