LAJMI I FUNDIT:

Pse dështuan oligarkët “paqësorë” dhe ata “të luftës” në shtetndërtimin e Kosovës?

Pse dështuan oligarkët “paqësorë” dhe ata “të luftës” në shtetndërtimin e Kosovës?

Fadil Maloku

1. Ata që mendojnë se fati ekonomik i zhvillimit të një shteti përcaktohet ekskluzivisht nga pasuria nëntokësore, kultura dhe tradita e punës, apo edhe nga feja, mund të zhgënjehen shumë lehtë, ngase, sociologjia e njohjes ka zbuluar fakte të reja që kanë të bëjnë kryesisht me institucionet inkluzive që s’arrijnë dot t’i ndërtojnë elitat politike të atij vendi. Ndryshe, kuptimi i rolit të institucioneve të shtetit del banal, i pakuptimtë dhe tejet anakronik!


2. Shteti fuqizohet vetëm atëherë kur institucionet e dala nga vota qytetare nuk ngurtësohen, por akomodohen me kërkesat, me nevojat, dhe aspiratat e atij vendi. Në të kundërtën, nëse ato nuk “mirëmbahen”, pra nuk hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomik, dinë të bëhen pengesa serioze në emancipim. Ka shumë vende që e dëshmojnë këtë fakt social.

3. Njerëzit e fuqishëm dhe karizmatikë gjithmonë dhe gjithkund synojnë kontrollin e plotë mbi Qeverinë, duke minuar progresin më të gjerë shoqëror, shkaku i lakmisë së tyre morbide. Këtë soj politikanësh, duhet mbajtur përmes votës qytetare, sa më larg pushtetit, ndryshe qytetarët do ta shijojnë gjithnjë dështimin e shtetit, varfërinë e publikut dhe injorancën e matrapazëve politik!

4. Kosova, mbetet edhe më tej vendi më i varfër në rajon, edhe shkaku se qytetarëve të saj u mungojnë institucionet ekonomike që krijojnë stimujt themelorë që do ta bëjnë një shoqëri të pasur. Varfërinë e ushqejnë institucionet ekstraktive ekonomike. Kosova ka mbetur këtu ku është edhe pas gati dy dekadash demokracie, sepse pushteti politik në vazhdimësi ka qenë i përqendruar në duar të një kaste të njëjtë oligarkësh grabitqarë (si nga krahu i paqësorëve, ashtu edhe ai i luftës!), të cilët fare pak kanë qenë të interesuar për mirëqenien qytetare dhe konsolidimin e institucioneve të mirëfillta shtetërore.

5. Në vend të kësaj detyre patriotike (sepse, Kosova për herë të parë në historinë e qeniesimit të saj u shpall shtet!) e morale (sepse të njëjtit u ngritën nga brekëgrisurit në kapitalistë grabitqarë) , kjo kastë injorantësh e hipokritësh u mor gjatë mandatimit me ekstraktimin e të ardhurave, grabitjen e pasurisë shtetërore, punësimin e militantëve partiakë, koncesionet ndajë Serbisë etj.

6. Historia jonë e vonshme e shtetndërtimit do të dëshmojë se lufta dhe kontrolli për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit ishte e paskrupullt, e sofistikuar dhe e ambalazhuar si me diskursin e “paqësorëve” (duke u fshehur prapa emrit të Rugovës!), ashtu edhe atë të “luftës” (duke manipuluar me emrin e Adem Jasharit!) dhe tash edhe me pasoja të kërcënimit edhe luftës qytetare…!

7. Shpresa e vetme mbetet tek gjeneratat e reja të shkolluara, që s’kanë ngarkesa e hipoteka të së kaluarës, por që kanë dije, ambicie, përgatitje menaxheriale dhe që janë të guximshëm e të gatshëm të marrin përgjegjësi historike për ndryshimet që duhet bërë…