LAJMI I FUNDIT:

Pse ndonjëherë vagjina mban erë të keqe?

Pse ndonjëherë vagjina mban erë të keqe?

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Shumë nga ne (nëse jo të gjithë) preokupohemi shumë me erën e trupit tonë. Por, pse ndonjëherë vajzave iu duket se kanë erë të pakëndshme në vagjinë? A duhet që vendi “aty poshtë” të mbajë erë të luleve?

Vagjina normalisht prodhon sekret i cili ka njëfarë arome dhe ndonëse në shumicën e rasteve kjo aromë është natyrale dhe normale, ka raste kur era e pakëndshme sinjalizon për ndonjë problem.

Shkaqet më të shpeshta të erës së keqe të sekretit vaginal janë:

– Vaginoza bakteriale – Vagina normalisht ka baktere të cilat kanë funksion mbrojtës për organizmin. Këto baktere quhen laktobacile Ka raste kur këto baktere shkatërrohen dhe shumohen bakteret jonormale si për shembull Gardnerella vaginalis. Në këtë rast sekreti vaginal është i shtuar, ka ngjyrë të mbylltë dhe erë të keqe. Era bëhet akoma më e keqe gjatë marrëdhënieve seksuale.

– Ushqimi – E keni lexuar që thuhet se “ne jemi ajo çfarë hamë”. Kjo është e vërtetë dhe ushqimi ndikon edhe në aromën e vagjinës. Në erën e trupit ndikon nëse hani hudhra, qepë, shparg (asparagus) dhe kerri.

– Antibiotikët, nëse merren për një kohë të gjatë, e çrregullojnë ekuilibrin e baktereve në vagjinë dhe rrjedhimisht ndikojnë në erën e sekretit. Poashtu, mund të ndikojnë edhe antihistaminikët dhe disa terapi herbale.

– Djersa, sikurse në erën e lëkurës së trupit dhe të sqetullave, ndikon edhe në erën e vaginës. Kjo është aromë normale, ndonëse e pakëndshme dhe normalisht që hiqet pasi që të bëni dush.

– Ndryshimet hormonale ndikojnë në sasinë e sekretit vaginal. Efekti i ndryshimeve hormonale shihet edhe gjatë ciklit menstrual, por edhe në rastet kur një grua merr terapi hormonale, kontraceptivë hormonalë ose kremra vagjinale të cilat ndikojnë në pH e vagjinës. Ky efekt shihet edhe në menopauzë kur për shkak të uljes së nivelit të estrogjenit rritet mundësia e shfaqjes së vaginozës bakterore dhe infeksionit me kërpudha.

Nëse ju duket se keni erë të keqe të sekretit nuk është mirë që të përdorni sapunë dhe losione me kimikalie të forta, sepse ky veprim akoma më tepër mund ta çrregullojë baraspeshën e baktereve dhe mund ta thellojë problemin.

Nëse ju duket se era e rëndë mbetet edhe pasi të jeni pastruar me sapun të butë, atëherë është mirë që të konsultoheni me gjinekologun. /Telegrafi/