LAJMI I FUNDIT:

Qejfmbetja emocionale e Enver Hoxhajt

Qejfmbetja emocionale e Enver Hoxhajt

Ksenofon Krisafi

Deklarimi i këtyre ditëve i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, për rolin paternalist të Shqipërisë, edhe pse besoj, produkt i ndonjë reagimi të ngutur emocional, shkaktoi keqardhje te jo pak shqiptarë. Hoxhaj, si drejtues i dikasterit të Punëve të Jashtme, e kupton më lehtë se shumë të tjerë që marrëdhëniet shqiptaro-serbe, nuk janë vetëm problem i Kosovës apo Shqipërisë. Ato prekin dhe ndikojnë në stabilitetin e gjithë rajonit problematik të Ballkanit.


Nga ana tjetër, fjalët që ai tha nuk iu shërbejnë shqiptarëve, por atyre që nuk i duan ata. Për fat të keq të tillë ka jo pak si përreth Kosovës, ashtu edhe përreth Shqipërisë, madje fatkeqësisht edhe brenda Kosovës dhe Shqipërisë.

Nuk e di si ndihet ai këto ditë, kur dëgjon kërcënime të hapura që iu vijnë shqiptarëve nga politikanë anakronikë nga vende fqinje, të cilët i tregojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve epërsinë e tyre në sektorë të ndryshëm, pa harruar edhe epërsinë ushtarake. Çdo të bënte Enver Hoxhaj nëse qarqe aventuriere, me synime ekspansioniste, që udhëhiqen akoma nga fosilet e platformave nacionaliste dhe shoviniste të mesit të shekullit XIX, ndërmarrin nesër ndonjë akt agresioni ndaj Shqipërisë?! Do të vazhdonte të gjykonte me këtë mendësi, që na kujton fodullëkun e atij që, për gjysmë shekulli, i la Shqipërinë dhe shqiptarët të mbyllur e të izoluar nga bota, në marzhin e zhvillimeve ndërkombëtare? Do të mënjanohej dhe do të përsëriste shprehjen e papërshtatshme se “Shqipëria nuk është një aktor global, si SHBA dhe BE. Prandaj, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë ne natyrisht kërkojmë mbështetjen amerikane dhe atë europiane, meqë këta kanë edhe instrumente të ushtrojnë ndikim”?!

Është e vërtetë dhe fat jashtëzakonisht i madh që shqiptarët, Shqipëria dhe Kosova, sot kanë mbështetjen dhe mbrojtjen e SHBA dhe të BE, ndryshe nga 100 vjet më parë kur Kosova dhe trojet e tjera shqiptare mbetën jashtë kufijve kombëtarë, nën zgjedhën dhe sundimin mizor të shteteve fqinjë. Por, për të qenë të sigurt për të ardhmen, në radhë të parë e mbi të gjitha, ata duhet të jenë të fortë vetë për të zhvilluar ekonominë, për të përparuar vendin, për të përmirësuar jetën e vet, si dhe për t’u mbrojtur nga aventurat e njerëzve të papërgjegjshëm. Forca buron nga bashkimi, të cilin e aspirojnë shumica e shqiptarëve; forca buron nga bashkëpunimi e mirëkuptimi racional dhe i sinqertë, e jo nga ndarja e qejfmbetja.

Pavarësisht nga ato që tha ministri Hoxhaj, e di me siguri se shqiptarët së bashku janë më të fortë. Ky mesazh vjen që nga koha e Skënderbeut, kohë kur shqiptarët ishin faktor në rajon. Është përsëri kjo arsyeja pse, disa shekuj më pas, ata zgjodhën bashkimin nëpërmjet Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së bashku i mbronin më mirë trojet amtare nga copëtimi si dhe mund të gjenin më lehtë alternativën e duhur drejt të ardhmes.

Shqiptarët zgjodhën bashkimin edhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, kur Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke konstituuar shtetin e pavarur shqiptar me shtrirje në të gjitha hapësirat shqiptare. Ishin interesat grabitqare të Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe të fqinjëve tanë, që këtë dëshirë e mbytën ende pa u kristalizuar, duke mos lejuar që Shqipëria, si shtet dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare, të kishte brenda kufijve të saj gjithë trojet shqiptare. Shqiptarët, të ndarë, kundër dëshirës së tyre në pesë shtete, vijuan megjithatë rrugëtimin historik mbi njëshekullor, me aspiratën e shenjtë të ribashkimit.

Mbështetja që Shqipëria i ka dhënë dhe i jep Kosovës nuk ka të bëjë aspak me sindromën e paternalizmit, të kultivuar nga disa njerëz të ndodhur në politikë, në Kosovë ose në Shqipëri. Ajo nuk ka të bëjë as me ta personalisht, sepse ata vijnë e ikin, sot janë dikushi, nesër bëhen askushi. Mbështetja e sinqertë, korrekte dhe e domosdoshme e Shqipërisë, iu dedikohet vëllezërve martirë të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Ajo është detyrim kushtetues i çdo pushtetari dhe i çdo shqiptari në Shqipëri. Si e tillë nuk është kontestuar asnjëherë as kur u sanksionua juridikisht në Kushtetutën shqiptare dhe as, kur populli shqiptar, në zbatim të këtij detyrimi si dhe të borxhit shpirtëror e vëllazëror, hapi dyert e shtëpive dhe të zemrave, kur mbi 700 mijë kosovarë gjetën strehë, mbështetje e ngrohtësi në shtëpitë e shqiptarëve të Shqipërisë, kurse disa dhjetëra e qindra të tjerë morën armët dhe u rreshtuan në radhët e UÇK-së. Është fjala përkatësisht për vitin 1998 kur u miratua Kushtetuta dhe për vitet 1998-1999, kur u ashpërsua lufta në Kosovë dhe ajo u zbraz nga forcat serbe për t’u shndërruar në fushë beteje.

Enver Hoxhaj, pa qenë nevoja të shkojë larg në histori, besoj se i kujtohet me siguri që gjatë luftës së fundit në Kosovë, Shqipëria përveç se caktoi një grup qeveritarësh, politikanësh dhe diplomatësh në Paris, për t’ju ndodhur pranë vëllezërve kosovarë që bisedonin me përfaqësuesit serbë në Rambuje, me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve, dërgoi delegacione gjithandej, në kancelaritë qendrore të diplomacisë botërore, në mbrojtje të kauzës së Kosovës.

Diplomacia shqiptare, pjesë e rëndësishme e politikës së përgjithshme shqiptare, kudo ku vepronte ishte tërësisht në funksion të triumfit të kauzës dhe luftës së Kosovës. Autori i këtij shkrimi, në atë kohë ambasador në Degën evropiane të OKB-së në Gjenevë, së bashku me stafin e Misionit, sipas direktivave dhe porosive të përditshme të qeverisë shqiptare, ishte angazhuar në një veprimtari të jashtëzakonshme dhe voluminoze. Ndër të tjera u përgatitën dhe u mbajtën në forumet e OKB-së dhe të organizatave të tjera me seli në Gjenevë, disa dhjetëra fjalime e ndërhyrje, që, të përmbledhura dhe të shoqëruara nga një hyrje e gjatë, do të dalin së shpejti në formën e një libri. Të njëjtën gjë bënë përfaqësuesit e Shqipërisë në Nju Jork, Strasburg, Vjenë, Bruksel etj. Të tjerë politikanë e diplomatë kanë ndërhyrë në mjaft nga selitë e diplomacisë dhe politikës botërore. Ata kanë folur dhe kanë transmetuar kudo dashurinë e pafundme, dhimbjen, vlerësimin, preokupimin e tejskajshëm të Tiranës zyrtare dhe të gjithë shqiptarëve për Kosovën.

Pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës, u ndërmor një fushatë intensive për njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Pavarësisht nga rezultatet, që nuk mund të mohohen, kjo punë e madhe, me kosto jo të vogël për një vend me vështirësi të mëdha ekonomike, nuk duhet shpërfillur. Nuk mund të pretendohet se kjo ishte ndonjë heroizëm, por natyrisht nuk ka arsye që të harrohet, sepse u bë ajo që ishte e mundur të bëhej.

Është shumë e vështirë të gjesh motivin e vërtetë të qejfmbetjes së ministrit Hoxhaj, por edhe të presidentit Hashim Thaçi, i cili, po këto ditë, në një emision televiziv u shpreh se “normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe nuk kalon nga Beogradi përmes Tiranës, por përmes Prishtinës”. Me atë çka tha e ç’bëri gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd dhe në Nish, Edi Rama, me kurajë dhe korrektësi, respektoi Kushtetutën e vendit të vet, detyrimin themelor të popullit shqiptar, i cili nëpërmjet saj zotohet “për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Ai dhe kushdo tjetër duhet të fliste dhe duhet të flasë për këto çështje, sepse Kushtetuta, në nenin 8 të saj thotë shprehimisht që “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.

Rama i tha interlokutorit të vet, kryeministrit serb, një të vërtetë të madhe se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, se Trepça ndodhet në Kosovë dhe është pasuri e saj, ajo nuk mund të zhvendoset dot në Serbi, se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të gëzojnë të drejtat e tyre si të gjithë shtetasit e tjerë të Serbisë etj. Rama i përsëriti me shumë të drejtë nevojën dhe dëshirën për bashkëpunim në të gjitha fushat, për ta shndërruar Ballkanin në hapësirën e begatë të njerëzve të tij të lirë.

Ç’të keqe ka këtu, ku e dallojnë vëllezërit tanë, që janë në krye të Kosovës, paternalizmin e Tiranës ndaj Prishtinës?! Pse janë xhindosur e zëmëruar kaq shumë, pa kurrfarë arsyeje?!

E vetmja gjë që mund të shkaktonte dëshpërim mund të ishte referimi i pavend te emri i Ivo Andriqit, edhe pse nobelist, por antishqiptar i kalibrit të Çubrilloviqit. Në Serbi ka pasur të tjerë personalitete të shquara si p.sh. Markoviqi, që, në fillimet e shekullit të kaluar, kanë folur për bashkëpunimin e popujve të Ballkanit dhe për miqësinë e serbëve me shqiptarët. Përjashto këtë, Rama bëri atë që duhet të bëjnë të gjithë liderët e shqiptarëve në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e gjetiu, për të plotësuar dëshirat e tyre të përligjura, që ata të gëzojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, siç përcaktohen në aktet juridiko-ndërkombëtare bashkëkohore. Ata duhet të dëgjojnë zërat e përfaqësuesve të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve kombëtarë, në Serbi, Maqedoni, Malin e Zi etj. Vlen të përmendet njëri prej tyre, përfaqësues i shqiptarëve të Preshevës, Jonuz Musliu, i cili u shpreh i pakënaqur duke thënë që drejtuesit e “Kosovës shkojnë e vijnë, takohen e shtrëngojnë duart me kryeministrin serb Vuçiq, qoftë në Bruksel apo në samite të tjera ndërkombëtare, çudi kurrë nuk përmendin shqiptarët e diskriminuar në Luginën e Preshevës… ku popullata jonë jeton as në luftë e as në paqe, të rrethuar nga Policia, Ushtria e Yhandarmëria, të ballafaquar me politika diskriminuese dhe premtime të rreme, si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina… Prandaj, nga kryeministri ynë shqiptar, z. Edi Rama, presim një angazhim më serioz dhe presion ndaj Qeverisë serbe për të ndryshuar politikat e Beogradit mbi shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës, të cilët konsiderohen mjedisi më i diskriminuar dhe më i pazhvilluar në Ballkan dhe në Evropë…”!

Ajo që u dëgjua nga goja e qeveritarit Hoxhaj është e trishtueshme. Është reminishencë e një fryme që motivohet dhe maskohet pas sloganit se nuk kemi nevojë për paternalizëm. Në politikën shqiptare të Tiranës zyrtare, nuk vërtetohet që të ketë pasur synime ose shfaqje të një qëndrimi të tillë. Shqiptarët respektojnë realitetin politik aktual. Ata i gëzohen faktit që prej gati dy dekadash, ekzistojnë dhe zhvillohen e përparojnë dy shtete shqiptare. Por, është hipokrizi të thuash se shqiptarët ndihen mirë të ndarë nga njëri-tjetri.

S’ka dyshim se ëndrra e shumicës së tyre është të jenë bashkë, sepse kështu janë më të pasur, më të zhvilluar, më të fuqishëm, më të respektuar, sepse kështu kohët kur nënvlerësoheshin dhe trajtoheshin si popull pa aftësi politike, shtetformuese dhe organizuese, do të mbeten pas në histori.

Hoxhaj mund të ketë të drejtë për tentativën e njëfarë paternalizmi ndoshta vetëm në kohën e negociatave në Rambuje, kur ish-presidenti shqiptar, Sali Berisha, i dërgonte delegacionit kosovar ultimatume që të mos e nënshkruante marrëveshjen, duke i thënë se një veprim i tillë do të ishte firmosja e mbarimit të Kosovës. “Kush firmos është tradhtar i çështjes kombëtare shqiptare”, thoshte ai, të cilit çuditërisht, në vitin 2009, kur ishte për vizitë në Kosovë, iu akordua “Urdhri i Lirisë” nga Hashim Thaçi, një ndër firmëtarët e Rambujesë.

Por, kjo kohë ka kaluar në të gjitha kuptimet. Politika dhe diplomacia e shtetit shqiptar, pavarësisht nga regjimet dhe ngjyrat që ka mbajtur, kanë qenë kurdoherë përkrah Kosovës, në mbrojtje të interesave të saj, në përpjekje të sinqerta për të kontribuar që të realizohej ëndrra shekullore për liri e pavarësi. Dhe kështu do të jenë kurdoherë. Vlerësimin e politikës shqiptare për arritjen e objektivit madhor, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës e ka pohuar edhe vetë Hashim Thaçi, duke thënë se “diplomacia shqiptare ishte zëri i komunitetit ndërkombëtar dhe zëri që përfaqësonte atë që ishte qëndrim i drejtë…”

Për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të flitet dhe as të mbahen qëndrime duke u nisur vetëm nga deklarime ose veprime të atyre që janë në pushtet. Ata vijnë e ikin, kurse gjaku, gjuha, etnia, formimi dhe konstitucioni i njëjtë shpirtëror shqiptar mbetet. Ne jemi dhe do të mbetemi shqiptarë. Individë që rastësia i ka sjellë në pushtet nuk e shprishin dot gjakun e përbashkët as në Shqipëri, as në Kosovë dhe as në trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Këta individë, i madhi Ismail Kadare, i ka quajtur “ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme…”!