LAJMI I FUNDIT:

Qirezi: Veriu, sfida më e madhe e sigurisë

Qirezi: Veriu, sfida më e madhe e sigurisë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Qirezi, ka vlerësuar se sfida më e madhe e sigurisë në vend mbetet veriu i Kosovës.

Ai ka deklaruar se institucionet e vendit nuk duhet ta injorojnë këtë pjesë dhe të vetëkënaqen me atë që është arritur atje.


Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Qirezi ka treguar se veriu është një bombë e kurdisur, nëpërmjet së cilës Serbia çdoherë do të tentojë ta destabilizojë Kosovën për qëllimet e saj.

“Veriu mbetet sfida më e madhe e sigurisë në Kosovë për arsye se aty është vendosur bomba e kurdisur, kurse detonatorin e kësaj bombe e ka në dorë Beogradi, si mjet për ta kanosur destabilizimin e Kosovës sa herë që e sheh oportune për të arritur ndonjë qëllim të vetin”, tha ai.

Ai ka deklaruar se në proceset e ardhshme, Beogradi nëpërmjet kësaj pjese do të tentojë ta shantazhojë Republikën e Kosovës.

“Fakti se e tërë struktura politike serbo-kosovare pas vitit 2013 është nën kontroll të Beogradit, paraqet sfidë serioze të sigurisë për Kosovën. Pastaj veprimet destruktive të Beogradit siç është, për shembull, ndërtimi i ‘Luginës së Diellit’, në të ardhmen pazaret që Beogradi do të përpiqet të iniciojë rreth Trepçës duke shfrytëzuar ndikimin dhe levat e veta në veri do të jenë situata shumë sfiduese”, tha Qirezi.