LAJMI I FUNDIT:

Rama: Bashkimi kombëtar s’bëhet me peticione (Video)

Rama: Bashkimi kombëtar s’bëhet me peticione (Video)

Me dhjetëra pyetje me karakter social dhe politik kanë marrë përgjigje prej Edi Ramës gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët nëpërmjet rrjetit social Twitter.

I pyetur për degradimin e sistemit arsimor, Rama u përgjigj se “dije dhe aftësi dhe jo thjesht diploma është motoja jonë për shkollimin e lartë të të rinjve shqiptarë”. Anton Totrri e pyeti Edi Ramën se a e di sa për qind e shqiptarëve jetojnë në fshat dhe sa kushton një hektarë tokë që nga mbjellja gjer në korrje?

“Për 312 mijë familjet që jetojnë me bujqësi do të ulim koston e punimit tokës duke hequr akcizën” premtoi Rama.


“A ka një projekt të plotë Partia Socialiste për nxjerrjen ose certifikimin e vetëm 1 ligji në lidhje me pronësinë”, pyeti Genci Gjikaj. Zgjidhja e çështjes së pronës, u përgjigj Rama, është imperativ ligjor, moral, social e ekonomik. Xhungla e pronësisë është ngatërruar në 8 ligje të ndryshme.

“Si do mbroni votat nga hajduti Sali Gërdeci që i blen votat me një thes hime në Kukës”, ishte një pyetje për zgjedhjet. “Votën do ta mbrojmë bashkë, me çdo shqiptar që ndryshimin s’do e presë në shtëpi, por do të shkojë në kutinë e votimit për ta sjellë”, u përgjigj Rama, transmeton Top Channel

“Forcat që kërkojnë rotacionin janë më shumë se koalicioni ynë e kjo është gjë e mirë. Ne do fitojmë si koalicion”, tha Rama i pyetur për koalicionet me FRD-në dhe AK-në. Mateo Xhufi pyeti: “A mund të ndodhë që Bamir Topi të bëjë qeverinë me Berishën si Meta në 2009”? “Kjo është gjithnjë e panjohura e forcave të mesit! Ja pse ka vetëm një votë të blinduar për rotacionin: Vota për PS-në”, tha Rama.

Duke komentuar rolin e kreut të FRD-së, Rama tha se “Bamir Topi është jo vetëm i djathtë, por ka dhe synimin të duket i ri në fushë. Plus që qëllimi i tij real është reformimi i PD-së”.

Për herë të parë Edi Rama ka folur për një largim të mundshëm të Vangjel Dules nga koalicioni i majtë: “Vangjel Dulja kërkon rotacionin njësoj si ne, por nëse do ta synojë jashtë nesh, kjo është zgjedhja e tij që do ta respektojmë”.

I pyetur nga Top Channel se cilat janë pritshmëritë e kreut të opozitës për vizitën e nesërme në Tiranë të komisionerit për zhvillim, Stefan Fule, zoti Rama dha këtë përgjigje: “Presim si gjithnjë një aleat të shqiptarëve në përpjekjet për demokratizim, zgjedhje të lira e drejtësi në dobi të integrimit”.

Një të interesuari për bashkimin kombëtar, Rama i tha se “bashkimi kombëtar s’bëhet me peticione, por me vizion, projekt, vullnet demokratizues dhe europianizues në dy anët e kufirit”. /Telegrafi/