LAJMI I FUNDIT:

Realiteti pas 5-vjetorit të Pavarësisë

Si student i Universiteti të Prishtinës dhe si banor i qytetit të Prizrenit, unë detyrohem që të paktën një herë në muaj të udhëtoj nga njëri qytet në tjetrin. Dhe, këtë vazhdoj ta bëjë për të katërtin vit të studimeve që po vazhdoj. Çdo udhëtim të cilin e kam bërë e ka pasur të veçantën. Dua që ta tregojë një që ka të bëjë pas 5-vjetorit të Pavarësisë…

Ishte ora 17 kur u nisëm nga Prizreni. Të gjithë i bëmë pagesat, u rehatuam, secili thuajse bënte muhabetin e vet me personin që e kishte afër vete, ndërsa si zakonisht dikush qëndronte në këmbë. Nuk kishte karrige të lira. E arsyeshme: pronarë e këtyre bizneseve dëshirojnë të fitojnë pak më shumë, apo jo?


Gjatë udhëtimit na u dha një këshillë nga personi përgjegjës i autobusit që të kemi kujdes kur të zbresim nga autobusi për t’i marrë valixhet tona. Të kemi kujdes pasi që kanë filluar të dalin hajdutë në vendin ku po ndalon autobusi, që po shfrytëzojnë turmën dhe po bëjnë vjedhje të portofoleve, çantave e gjësendeve me vlerë që kanë udhëtarët.

Ndodhë që kur nuk e arrijnë qëllimin ose edhe zihen në flagrancë, ata fillojnë të rrihen dhe të bëjnë më shumë problem. E kjo krijon rreziqe. U krijua një lloj paniku dhe të gjithë udhëtarët filluan ta siguronin veten në ndonjë mënyrë.

Ky ishte lajmi më i mirë që mund ta merrja me të zbritur në kryeqytetin e Kosovës, më 18 shkurt 2013, pas festimit të 5-vjetorit të shtetit tonë, më të riut në Evropë.

Nuk dua t’i bëjë fajtorë e as t’ua heq fajin hajdutëve. Por, më interesojnë cilat janë shkaqet që ata i kanë shtyrë ta bëjë këtë vepër të shëmtuar. Mos nga zhvillimi i tepërt ekonomik? Mos nga niveli i lartë i punësimit apo nga rrogat e mëdha të cila marrim?!

Në të gjitha fjalimet e politikanëve dhe pushtetarëve me rastin e festimit të 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tonë, gjejmë vetëm lëvdata për veten e tyre, zhvillim ekonomik, punësim, përparim… Sikur të kishte të vërteta në këto fjalime të cilat i mbajti Presidentja (e zarfit), Kryeministri (i votave të vjedhura) e shumë të tjerë, nuk do të kishte nevojë askush që të dilte dhe të vidhte ose të bënte diçka të llojit të tillë të shëmtuar.

Pesëshi nuk i gjeti të gëzuar qytetarët, por udhëheqësit e shtetit (hajdutët) të cilët përfituan më së shumti që nga paslufta e deri më sot. Ndërsa, popullin e kanë vendosur në një gjendje të mjerueshme. E, kur i dëgjojmë të flasin, me të vërtet na bëjnë të dyshojmë se a po jetojmë në realit apo në ëndërr.

“Shpresojmë” (fjala më e përdorur në vendin tonë) që populli të vetëdijesohet e që këta drejtues të largohen nga timoni i shtetit që na kanë drejtuar drejtë humnerës dhe të drejtohemi drejt zhvillimit dhe përparimit, e ta shijojmë pavarësinë në të vërtetë.