LAJMI I FUNDIT:

Rektori Dema ka propozuar buxhet të veçantë për shkencë

Rektori Dema ka propozuar buxhet të veçantë për shkencë

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, në planin e tij për menaxhim të UP-së, kishte premtuar se do t’i rinfuksionalizojë institutet në kuadër të fakulteteve të UP-së, me të cilat kishte parashikuar që ato të jenë edhe burim i të ardhurave për universitetin.

Tre muaj pas ardhjes në krye të UP-së, rektori Dema thotë t’i ketë bërë hapat e parë në këtë drejtim.


Në një intervistë për Kosovapress, Dema ka thënë se është në përfundim Institutit për Fakultetin e Edukimit dhe disa punë për Institutin e Mjekësisë, në mënyrë që të fillohet puna.

“Jam shumë i interesuar që aspektin shkencor të hulumtimeve ta avancoj dhe natyrisht UP ka institute në të gjitha fakultetet. Në proces të përfundimit të instituteve është Fakulteti i Edukimit, vetëm do të hapet një nënxhirollogari. Fakultetet tjera realisht kanë. Çka kam propozuar është që për herë të parë UP do ta ketë një vijë buxhetore për shkencën që nëse e aprovon Këshilli Drejtues, sepse ata janë kompetentë për këtë, kemi paraparë 600 mijë euro për shkencë. Jemi në diskutime me MASHT-in që fondin për shkencë. Ministri ka premtuar që ta shpërndajë nëpër universitetet publike në mënyrë proporcionale dhe besoj që aty do ta kemi një pjesë, kështu që jam shumë i interesuar, meqenëse po kërkojmë cilësi, po kërkojmë hulumtime shkencore, publikime që në të njëjtën kohë t’iu ofrojmë, t’i ofrojmë profesorit të marrë pjesë nëpër konferenca, simpoziume, që të publikojë”, është shprehur Dema.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, ka thënë se institucioni që e drejton, tashmë është në proces të formimit të zyrës për hulumtime shkencore, e cila do të ketë rolin e hartuesit të projekteve shkencore.

“Jemi në proces të konstituimit të zyrës së hulumtimeve shkencore e cila do të merret kryesisht me hartimin e projekteve që të publikojmë. Deri tash i kemi fituar disa projekte, programe të ndryshme nga BE që është një ndër sukseset e mëdha të UP-së prandaj ajo që e kam premtuar deri tash edhe e kam mbajtur edhe do ta mbaj sepse jam shumë i përkushtuar që edhe në jetë kam qenë njeri i fjalës dhe të mbetem njeri i fjalës por gjithmonë në bashkëpunim me trupat e UP-së, unë nuk jam i interesuar që unë të marrë vendime, jam shumë i interesuar që në bashkëpunim me të gjitha organet të sjellim vendime që Universitetit i Prishtinës të fitoj, që UP ta ketë atë vend që e ka pas në shoqëri dhe që UP të jetë ndryshimi për Kosovën”, është shprehur ai.

Mirëpo, buxheti që ndahet për shkencë në institucionin që ai e drejton, rektori Dema e pranon se nuk është i mjaftueshëm.

Universiteti i Prishtinës posedon disa institute shkencore në kuadër të njësive akademike të cilat kanë mbet jashtë funksionit në mungesë të investimeve dhe fondeve për to. /Telegrafi/