LAJMI I FUNDIT:

Rinovohen ambientet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

Rinovohen ambientet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në bashkëpunim me Rotary Club, kanë bërë sot përurimin e punimeve të renovuara në ambientet e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ambiente këto ku pensionistët tanë kalojnë kohën më të madhe.

Projekti i cili ka kushtuar afër 20 mijë euro, nga pensionistët u vlerësua si projekt i rëndësisë së veçantë për ta, pasi që ata kalojnë një kohë të gjatë aty. Prej sot ata do të gëzojnë kushte më të mira, duke përfshirë tanimë, salla më të përshtatshme ditore për të kaluar kohën aty dhe hapësira të mjaftueshme për punë dhe aktivitete të ndryshme.

Ministri Abrashi duke e cilësuar këtë projekt si një projekt i vullnetit të mirë, gjatë përurimit ka falënderuar akterët që kanë ndihmuar në realizimin e këtyre punimeve dhe i ka inkurajuara ata të hartojnë dhe të zhvillojnë sa më shumë projekte tjera të ngjashme në të mirë të pensionistëve.

“Sot po bëjmë përurimin e një pune fisnike që ka ardhur si një projekt i përbashkët i vullnetit të mirë i cili përmirëson dukshëm kushtet ditore dhe ambientin ku veprojnë pensionistët dhe me këtë rast falënderoj të gjithë akterët që ndihmuan në këtë projekt dhe i inkurajoj ata të gjejnë edhe projekte tjera dhe të kërkojnë bashkëpunimin tonë, i cili nuk do të mungojë në realizimin e punëve të mira për pensionistët”, ka shtuar z. Abrashi.

Pensionistët që përfituan nga ky projekt e kanë mirëpritur këtë iniciativë duke e cilësuar shumë të suksesshëm, pasi që ka qenë i domosdoshëm rregullimi i hapësirave ku veprojnë dhe qëndrojnë ata.

Ndërkaq presidentja nga Rotary Club Agnesa Vuthaj, ka falënderuar ministrin Abrashi për bashkëpunimin që ka pasur dhe ka thënë se ky bashkëpunim me MPMS-në do të vazhdojë edhe më tej, duke parë mundësi tjera se ku mund të bashkëpunohet për ato probleme që janë primare.
Në fund si shenjë falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan në realizmin e këtij projekti u dha nga një mirënjohje nga Lidhja e Pensionistëve të Kosovës. /Telegrafi/