LAJMI I FUNDIT:

Rreziku nga mungesa e transparencës për Termocentralin

Rreziku nga mungesa e transparencës për Termocentralin

Energjia elektrike është themel i ekonomisë së një shteti. Ajo është baza e një ekonomie të zhvilluar. E kemi parë nga praktika se mungesa e energjisë mund të jetë barrierë e madhe për bizneset. Energjia ka një rëndësi të veçantë për shtetet që kanë një industri të zhvilluar, të cilën Kosova nuk e ka, por synon ta ketë. Rritja ekonomike e Kosovës nëpër vite ka qenë rezultat i investimeve të mëdha që qeveria ka bërë në rrugë. Për rrjedhojë ato para nuk kanë kontribuar në rritjen e prodhimtarisë në Kosovë, e as në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Kjo ka ndikuar që edhe kërkesa për energji elektrike të mos rritet në nivelin e parashikuar më parë.

Është jetike që ekonomia të orientohet më shumë në prodhimtari. Rritja e prodhimit ndikon në krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës dhe e përmirëson bilancit tregtarë, i cili është tejet i disfavorëshëm. Çdo vit, jashtë Kosovës dalin nga rreth 2 miliardë euro. Kjo është e dhimbshme për ekonominë tonë.  Mbetja e një pjese të parave që shkojnë në import përmes rritjes së prodhimit dhe zëvendësimit të importit do të thotë shumëfishim i vlerës së atyre mjeteve. E kur kjo të ndodh, pra kur të rritet prodhimtaria do të ketë më shumë nevojë për energji, qoftë ajo energji elektrike apo energji që vije nga gazi natyrorë. Energjia nga gazi natyrorë kërkon një trajtim të veçantë si temë në veti, por kësaj here do të ndalëm më shumë tek energjia.


Projekti “Kosova C”, i iniciuar në kohën kur në qeveri ka qenë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është katandisur si mos me keq. Është prolonguar përtej secilit afat optimal. Është ndryshuar disa herë, duke e bërë të pabesueshëm secilin konkludim që ka ardhur për këtë projekt. Kemi pasur një ndryshim të vazhdueshëm të vizionit për energjinë. Njëherë është thënë se do të ndërtojnë një termocentral 1000 megavatësh, pastaj kanë thënë se do të ketë kapacitet të instaluar prej 900 megavat (3×300), e më vonë e kanë ulur në 600 megavat. Më vonë është folur edhe për një njësi me 300 megavat. Tash po thuhet se do të jetë një njësi prej 500 megavatesh, por në disa raste është ndryshuar kapaciteti neto i njësisë. Këto të dhëna janë në shpërputhje të plotë me njëra-tjetrën dhe si të tilla nuk janë aspak bindëse. Kjo tregon që këto qeveri që nga viti 2007 nuk e kanë pasur  fare me prioritet  energjinë elektrike.

Ajo çfarë ka ndodh me projektin “Kosova C” gjatë këtyre viteve është një shembull i keq i cili duhet të studiohet nga të gjithë, që i njëjti të mos përsëritet asnjëherë. Projekti i  paraqitur se fundmi një njësi 500 megavatesh, tregon mendësinë e të voglit. Kjo qeveri duhet ta ulë dukshëm sasinë e saj dhe të investoj urgjentisht  në rritjen e kapaciteteve intelektuale.  Kosova është e vogël për nga sipërfaqja, por liderë për nga rezervat e qymyrit në Evropën Juglindore. Ky projekt as nuk i afrohet  një vizioni të cilin duhet ta ketë shteti. I njëjti nuk i përmbush as nevojat për energji të vendit, sidomos duke marr parasysh edhe nevojën për rritje të produktivitetit dhe rrjedhimisht rritjes së kërkesës për energji.

Shpesh e kam dëgjuar tek është konstatuar se energjia është përparësia kryesore që ka Kosova karshi vendeve të rajonit. Ndërkohë, kemi një vizion të mangët për energji që e bënë Kosovën importuese të energjisë edhe për shumë vite të tjera. Kjo mendësi duhet të ndërrohet. Kosova ka nevojë emergjente për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë. Kosova duhet të ketë energji elektrike të mjaftueshme për të ardhmen,  jo vetëm për nevojat tona, por edhe të jetë eksportuese e energjisë elektrike. Një njësi 500 megavatesh, përveç që nuk i plotëson nevojat e brendshme për energji, do të jetë më e kushtueshme për qytetarët e Kosovës. E në anën tjetër ndërtimi i kapaciteteve më të mëdha do të rezultonte me oferta shumë më ekonomike sesa ajo që ka pranuar Qeveria e Kosovës. Do të tërhiqte kompani shumë më të mëdha që synojnë ndërtimin e termocentralit siç kishte tërhequr termocentrali 2000 megavatesh.

Në fund, qytetarët e Kosovës do të paguanin me pak për energjinë e shpenzuar dhe ç’është më e rëndësishmja do të merrnim me pak rreziqe mbi supe.

RREZIQET janë misteri i projektit të Kosovës së re. Qeveria e Kosovës thonë se janë në negociata me kompaninë “Contour Global” për më shumë se një vjet. Fillimisht kanë negociuar për nivelin e Normës së Brendshme të Kthimit- IRR. Negociatat kanë rezultuar me një ulje nga 23 për qind në 21.5 për qind. Një ulje e tillë është qesharake që dëshmon që vetëm negociata nuk ka pasur. Një nivel i tillë i IRR për ndërtimin e një termocentrali është shumë i lartë. Kjo bëhet edhe më shqetësuese nëse e marrim parasysh që qeveria e Kosovës i garanton investitorit se do t’ia blejë gjithë energjinë e prodhuar.

Pra, cili është rreziku që ka ky investitor, nëse qeveria i garanton blerjen e secilit megavat të prodhuar të energjisë?!…

Misteri bëhet edhe më i madh kur e dimë që Qeveria e Kosovës është në negociata me investitorin që nga viti i kaluar. Negociatat janë duke u bërë për nënshkrimin e marrëveshjeve komerciale. Këto marrëveshje e as draft-marrëveshjet asnjëherë nuk janë bërë publike. Pra, publiku, deputetet e partitë opozitare nuk kanë informata se për çka konkretisht është duke u negociuar me kompaninë amerikane. Pyetja është, çka nëse qeveria do të jetë e suksesshme në këto negociata aq sa ka qenë me rastin e IRR-së, ku nuk ka arritur të bind investitorin se niveli i IRR-së është shumë më i lartë sesa rreziku real?

A do të ketë ndonjë mënyrë për të zhbërë marrëveshjet që do t’i nënshkruaj kjo qeveri me këtë investitor, nëse vërtetohet se ato nuk janë të favorshme për Kosovën? Nëse do të rrezikojmë që të futemi prapë nëpër arbitrazhe e të humbim miliona, apo të paguajmë edhe për 40 vjet një faturë të papërballueshme për shtetin. Dhe pikëpyetja më e madhe që ka ky projekt është negociatori. Kush është duke negociuar? A është bërë ndonjëherë transparent ekipi që është në negociata me këtë kompani? Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se kush është duke negociuar në emrin e tyre dhe nëse të njëjtit janë të besueshëm.

Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti është dashur të merr të paktën një mësim. Këtë mësim do të duhej të kishte marr nga nënshkrimi i ngutshëm i marrëveshjes së demarkacionit, që i ka kushtuar shumë energji gjitha institucioneve dhe partive politike. Përsëritja e gabimit të njëjtë do të jetë e papranueshme, e pa-tolerueshme. Prandaj, qeveria duhet të tregojë se ka mësuar nga gabimet. Pasojat e një marrëveshje të keqe për termocentralin e ri do të jenë  jashtëzakonisht të mëdha për gjepin e qytetarëve të Kosovës dhe shumë më të rënda  sesa edhe vetë demarkacioni.

(Autori është ekonomist, sipërmarrës dhe nënkryetar i AAK-së. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale)