LAJMI I FUNDIT:

Rrëzimet te të moshuarit

Rrëzimet te të moshuarit

Rrëzimet janë problem shumë serioz me të cilin vazhdimisht përballen të moshuarit. Me rastin e rrëzimit njeriu i ri e i shëndoshë rrezikon të gjitha llojet e lëndimeve, prej ndrydhjeve, përdredhjeve, kontuzioneve, traumave e frakturave të ndryshme, e lëre më personat në moshë të shtyrë.

Mr sc Arben Boshnjaku
Fizioterapeut
tel. 044 477 337
Ordinanca ‘Fixoterapia’
Rr. Su 1/2, Platoja e Postës Kryesore, Dardani
Prishtinë

Llogaritet që rrëzimet janë shkaktari më i madh i vdekjeve te njerëzit e moshave mbi 65 vjeç, me ç’rast për nga shpeshtësia lehtësisht prin gjinia mashkullore. Ndërsa në të shkuarën vlente e kundërta pasi që gjinia femërore ishte ajo te e cila rrëzimet ishin më të shpeshta e shumë më të rrezikshme.


Sipas Hayes, procesi i rrëzimit mund të ndahet në 4 faza: instabiliteti, rënia, impakti, postimpakti.
Ekzistojnë një sërë faktorë të riskut që iu prijnë rrëzimeve të personave të moshuar. Këta faktorë lehtësisht mund t’i ndajmë në të brendshëm dhe të jashtëm.

Në faktorët e brendshëm bëjnë pjesë vështirësitë në përshtatjen ndaj ndryshimeve trupore që vijnë si pasojë e sëmundjeve akute dhe kronike apo si pasojë e proceseve normale fiziologjike të plakjes. Kështu, problemet me të cilat përballen këta individë janë vështirësi në kontrollimin e posturës trupore, probleme të sistemit osteomuskular si artrozat, osteoporoza, ankilozat e artikulacioneve, kifoza etj. që shpiejnë në humbje të forcës, shpejtësisë dhe qëndrueshmërisë muskulore, dëmtimi i aftësive vizuale, dëgjimore, kognitive, çrregullime të perceptimit të ndjeshmërisë sensorike që vijnë nga brenda dhe jashtë organizmit, çrregullime të SNQ, vështirësi në koordinim, propriocepsion depresion, çrregullime kardiovaskulare (të ritmit të zemrës dhe tensionit të ulët), kequshqyeshmëri etj.

Faktorë të jashtëm që i kontribuojnë rrëzimeve dhe lëndimeve pasuese janë ndriçimi i dobët, dyshemetë e rrëshqitshme dhe të lagura (sidomos në banjo dhe kuzhinë), shtrojat dhe tapetat e pafiksuara në dysheme, terreni jo i rrafshët, pengesat e ndryshme në rrugë, shkallët dhe mungesa e mbështetëseve në shkallë dhe mure etj.Faktor risku në dëmtimin e shëndetit të moshave të shtyra janë edhe një numër i medikamenteve specifike. Konsumimi i këtyre medikamenteve rrit mundësitë e shfaqjes së osteoporozës e rrëzimeve. Shembull e kemi përdorimin afatgjatë të benzodiazepinave, phenotiazinës dhe antidepresivëve te të moshuarit kundër demencës dhe depresionit dhe efektin që kanë këto medikamente në shtimin e numrit të rasteve të rrëzimeve te pleqtë; diuretikët dhe antihipertenzivët poashtu karakterizohen me një risk të shtuar për rrëzime si pasojë e efekteve hipotenzive posturale. Medikamentet e tilla janë: antiaritmikët, antihipertenzivët, antihistaminikët, antipsikotikët, benzodiazepinat, diuretikët, laksativët, miorelaksantët, narkotikët, vazodilatatorët, antidepresivët treciklikë dhe inhibitorët selektivë të serotoninës.

Llojet e frakturave më karakteristike që hasen gjatë rrëzimeve te personat me osteoporozë janë:
1. frakturat vertebrale – tek të cilat duhet pasur kujdes të shtuar gjatë diagnostikimit pasi që mund të mashtrojnë për herpes zoster, neoplazma, polimialgji reumatike, çrregullime pankreatike etj., dhe nëse nuk trajtohen me kohë shumë lehtë mund të shkaktojnë komprimime të rrënjëve nervore dhe dëmtime të tjera serioze. Regjionet më të shpeshta ku hasen frakturat në shtyllën kurrizore janë vertebrat e poshtme torakale dhe të sipërme lumbale.
2. frakturat e kërdhokullave – që ndahen në fraktura intrakapsulare apo të qafës femorale, fraktura që ndodhin mes dy trohanterëve, të madhit dhe të voglit, si dhe fraktura subtrohanterike
3. frakturat e kyçeve të dorës – si forma më e shpeshtë e frakturave te femrat e moshave nën 75 vjeç

Frakturat vertebrale – janë ato që mund të shkaktojnë humbje dhe kufizime serioze të aftësive trupore. Në gjendjen akute frakturat vertebrale shoqërohen me dhembje të madhe dhe ndjenjë diskomforti, por vështirësi në lokalizim të dhimbjes e cila me kohë fillon duke u lokalizuar. Frakturat zakonisht shfaqen si pasojë e një veprimi apo lëvizjeje fare të thjeshtë, të atillë që normalisht kurrsesi nuk do të mund të çonte në këtë gjendje si psh kollitje apo teshtitje.
2 – 3 javët e para karakterizohen me dhimbje të rënda sfilitëse e paaftësuese për çdo lloj veprimi, të cilat shkojnë duke u venitur përgjatë 6 – 8 javëve. Nëse edhe pas 6 muajsh dhimbjet nuk hiqen, atëherë duhet studiuar dhe shqyrtuar më detajisht rastin pasi që mundësitë janë të mëdha të mos kemi pasur të bëjmë fare me frakturë oteoporotike.

Protokolli rehabilitues i dhimbjes së shpinës te pacientët me fraktura vertebrale duhet të përfshijë këto etapa:

në fazën akute
* pushim në shtrat
* medikamente analgjetike e poashtu edhe TENS nëse nuk vërehet ndonjë formë e inflamacionit eventual
* këshillohet pacienti të mënjanojë konstipacionin
* këshillohet pacienti të mënjanojë ushtrimet e rezistencës për rreth 2 muaj prej momentit të frakturës
* vendosen ortozat mbështetëse të shpinës varësisht prej llojit dhe vendit të frakturës, e poashtu varësisht edhe prej pacientit (psh vendosen domosdoshmërisht në rastet kur ky i fundit është hiperaktiv)
* mësohet pacienti si të mbajë posturën korrekte trupore
* edukohen familjarët dhe kujdestarët se si t’i ofrojnë pacientit ndihmë përgjatë kryerjes së aktiviteteve të përditshme
* është e rëndësishme të fillohet trajtimi me magnetoterapi sa më shpejt që është e mundshme, pasi që magnetoterapia përshpejton procesin e regjenerimit te ashtit të thyer – formimit të kallusit)
* fillohet me fizioterapi graduale

në fazën kronike
* udhëzohet pacienti të korrigjojë posturën trupore (para pasqyrës – vetëkorrigjim)
* përdoren ortoza mbështetëse për shpinë nëse teknikat e vetëkorrigjimit dështojnë
* mënjanohen aktivitetet që i rrisin forcat vertebrale sikurse përkuljet, rrotullimet, përdredhjet etj
* progredohet me fizioterapi graduale.

Frakturat e kërdhokullave – hapi i parë që ndërmerret te këto 3 lloje të frakturave është ndërhyrja korrigjuese operatore. Normalisht te frakturat e kërdhokullës strukturat e zhvendosura anatomike rikthehen në vendet e veta duke u fiksuar përmes një pllake metalike (osteosintezë), por te personat e moshuar dhe me osteoporozë është shumë më i vështirë fiksimi i faqeve të frakturës mes vete e në anën tjetër nuk ofron kurrfarë stabiliteti. Prandaj te pacientët e moshave të shtyra që kanë pësuar frakturë të kërdhokullës, aplikohet vendosja e endoprotezës së pjesërishme (vetëm kokës femorale) ose totale (komplet artikulacioni koksofemoral: koka femorale plus acetabulumi i plevisit). Menjëherë pas ndërhyrjes operatore fillon procesi i rehabilitimit post-operativ me qëllim të kthimit në normalitet. Është e rëndësishme të përmendim që në shumicën e rasteve kur pacienti ka qenë i pavarur para aksidentit, ai e rikthen aftësinë, por jo në sasinë e mëparshme pasi që protezat do t’i kufizojnë përjetë disa lloje të lëvizjeve.Frakturat e kyçit të dorës – janë frakturat që kryesisht rriten në numër pas menopauzës dhe është interesante që edhe pse normalisht ndodhin te femrat relativisht të shëndetshme, janë indikacioni i parë që të bën të mendosh për rënie të masës kockore – osteoporozë.

Qëllimi kryesor i trajtimit te ky lloj frakturash është rikthimi i funksionit normal të dorës dhe kyçit. Pas frakturës dora duhet të imobilizohet për 6 – 8 javë në gjips, gjatë së cilës periudhë bëhet përpjekje të mos humbet fuqia dhe fleksibiliteti i gjymtyrëve të sipërme, konkretisht duhet përqendruar në ruajtjen e forcës dhe amplitudës së lëvizjes përmes ushtrimeve të formave të ndryshme të artikulacioneve përreth: bërrylit dhe krahut në njërën anë e gishtave në anën tjetër. Edhe pas heqjes së gjipsit ushtrimet vazhdojnë fillimisht duke mbajtur e pastaj duke rritur gradualisht forcën e dorës.

Është e rëndësishme të mos harrohet që trajtimi dhe shërimi i lëndimeve të shkaktuara si pasojë e rrëzimeve te personat e moshuar nuk është i njëjtë sikurse për njerëzit tjerë. Gabimet më të mëdha që ndodhin nëpër spitale janë rastet kur këta njerëz trajtohen sikurse gjithë të tjerët, pra duke shëruar pasojën, por jo shkakun e problemit. Shpeshherë, nëse personi i lënduar ka pasur fat dhe nuk ka mbetur me ndonjë pasojë të rëndë, lëndimi mund të sanohet e të tejkalohet, por me një rrëzim sado të vogël në të ardhmen, qoftë kjo edhe thjesht një forcim i tepruar në një lëvizje, rishfaqet lëndimi i kaluar (në rastin më të mirë) ose na shfaqet një lëndim i ri edhe më i madh se i pari. Prandaj, profesionisti shëndetësor i cili është duke u marrë me këtë rast duhet domosdoshmërisht të studiojë rastin në mënyrë të detajizuar dhe të bëjë përpjekje maksimale për të gjetur arsyen bazë apo patologjinë primare të sëmundjes, sepse vetëm në këtë formë parandalohen mundësitë e rishfaqjes së problemit të njëjtë në të ardhmen. Kështu, gjithmonë gjatë diagnostikimit duhet llogaritur në kombinimin mes zvogëlimit të masës kockore, jostabilitet muskulor dhe rreziqeve mjedisore për të ardhur në një përfundim të arsyeshëm. Poashtu, është e rëndësishme që qasja geriartrike të jetë sa më multidisiplinare dhe gjithëpërfshirëse, ku një rol kyç luan planifikimi dhe menaxhimi afatgjatë në kujdesin shëndetësor primar, i cili në njëfarë forme vë themelet e rrugës që garanton suksesin e mëtutjeshëm të vlerësimit e menaxhimit geriartrik jashtëspitalor.Ekzistojnë tipe të ndryshme të institucioneve ku ofrohen shërbimet shëndetësore pas rrëzimeve (rënieve):
* rezidencat apo vendqëndrimet e veçanta – jeta e pavarur me mundësi të shërbimeve të pavarura, por me kosto më të ngritur
* apartamentet e kontrolluara – bashkëbanuesit i marrin me qira dhomat e tyre dhe i ndajnë lokalet tjera
* shtëpitë e pleqve – personi i moshuar duhet të jetë fizikisht autonom; këtu ofrohet kujdes infermierik, mjekësor dhe paramedikal
* shtëpitë e pleqve dhe kujdesi – janë të destinuara për persona të prekur nga patologji afatgjate që nuk kërkojnë një shërbim mjekësor ditor, por që kërkojnë kujdese infermierike, paramedikale dhe ndihmë në aktivitetet esenciale të jetës
* spitale – ofrohen shërbime gjeriatrike si diagnostikë, trajtim dhe rehabilitim
* qendra gjeriatrike ditore – ka më shumë rol social dhe ofrohen aktivitete ditore.

Por jo gjithherë pacientit i ofrohet mundësia të zgjedhë më të mirin dhe më të favorshmin institucion për të. Në fakt zgjedhja e institucionit është e influencuar prej shumë faktorëve dhe kritereve si:
* çmimi
* vendi më pranë familjes
* rehatia: higjiena dhe kujdesi cilësor, tipi i dhomës, një hapësirë e përshtatur për handikapin e personit të moshuar (tualeti privat, ashensori, ushqimi cilësor, dëfrimi etj)
* nevojat e personit të moshuar
* dimensionet e institucionit.

Njerëzit që i kanë humbur apo kanë rënie të aftësive të ndryshme fizike, qoftë për shkak të rrëzimit apo qoftë për shkak të procesit të plakjes, i nënshtrohen procesit ergoterapeutik. Përndryshe ergoterapia e luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e këtyre njerëzve. Puna e ergoterapisë i drejtohet aftësimit individual për kryerjen e punëve dhe aktiviteteve të jetës së përditshme, aftësimit të individit dhe mundësimin e qasshmërisë ndaj pajisjeve dhe aparaturave ndihmëse, rritjes së qasjes dhe produktivitetit të individit në punë, shtëpi, shoqëri si dhe pavarësimi për pjesëmarrje në aktivitetet rekreative.

Është me rëndësi që të mundësohet një qasje përshtatëse sipas aftësive fizike dhe funksionale që ka secili individ në veçanti.Hapat që duhet ndërmarrë personat e moshuar në drejtim të parandalimit të problemeve, komplikimeve dhe pasojave për të ardhmen janë:
* marrja sa më shumë me aktivitete të ndryshme fizike si ushtrimet e rregullta, ecja, vrapimi, gjimnastika etj.
* kontrollimi sistematik te mjeku, i cili përfshin kontrollimin e organeve vitale, presionit të gjakut, syve, veshëve etj.
* përshtatja e ambientit shtëpiak sipas nevojave të tyre, largimi i rreziqeve eventuale, përmirësimi i ndriçimit etj.

Në të ardhmen, poashtu, duhet bërë sa më shumë përpjekje për inkurajim të njerëzve që të ndryshojnë qasjet negative ndaj personave të moshuar e në përgjithësi ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara. Duhet nxitur ata që të provojnë të ofrohen dhe të përpiqen të kuptojnë karakterin e këtyre njerëzve, brengat dhe hallet e përditshmërisë së tyre jetësore, duke ndikuar kështu në eliminimin e barrierave dhe tejkalimin e vështirësive në të mirë të kuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët. Personat e moshuar dhe ata me aftësi të kufizuara janë pjesë e pandashme e shoqërisë dhe si të tillë nuk kanë nevojë për mëshirën e fatit, familjes, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore. Përkundrazi, janë njerëzit dhe institucionet e krijuara nga ta të detyruarit për të përmbushur obligimet morale, kulturore e ligjore të përcaktuara me aktet e ndryshme tradicionale e normative të hartuara nga vetë ata. Është i njohur dhe i pamohueshëm fakti se shoqëria shqiptare (e Kosovës) tradicionalisht ka qenë një shoqëri mjaft paragjykuese, prandaj mu për këtë është obligim i gjithsecilit pjesëtar të kësaj shoqërie që përmes promovimit të rolit të PAK, sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës për mosdiskriminim, t’i ndihmojë kësaj shtrese dhe në të njëjtën kohë t’iu sigurojë njerëzve me aftësi të kufizuara një hapësirë për t’i shpalosur aftësitë e tyre dhe për të dhënë kontributin e tyre në ndërtim të shtetit tonë.

Asnjëherë nuk duhet harruar që këta njerëz nuk kërkojnë asgjë më shumë se një jetë të qetë dhe pa brenga, brenda një ngrohtësie familjare e mbrojtëse. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori