LAJMI I FUNDIT:

Rreziqet e marrëveshjes Turqi-BE mbi refugjatët

Rreziqet e marrëveshjes Turqi-BE mbi refugjatët

Mathieu von Rohr

Evropa ka një mik të ri më të mirë. Emri i tij është Rexhep Taip Erdogan. Presidenti turk që është duke bërë çdo gjë që ka në dorë tani për ta transformuar vendin e tij – në një autokraci bazuar në modelin e Rusisë së Vladimir Putinit – doli fitimtar në samitin e veçantë të kësaj jave BE-Turqi në Bruksel. Ky qe një lajm i keq dhe alarmant, për shkak se Bashkimi Evropian duket se e sheh Erdoganin si një zgjidhje të mundshme në formën e një mrekullie të krizës së refugjatëve.


Ai ka të ngjarë të marrë pothuajse çdo gjë që dëshiron: miliarda euro mbështetje financiare për refugjatët, bisedime të përshpejtuara të anëtarësimit në BE dhe udhëtimin pa viza për qytetarët turq që duan të vizitojnë Evropën. Më kryesorja, kjo marrëveshje i pamundëson BE-së të kritikojë sjelljen jodemokratike të presidentit.

Pak ditë para samitit, Erdogan i dha një goditje tjetër të rëndë të lirisë së shtypit, si për t’i treguar Evropës se mund të bëjë çdo gjë. Ai e vendosi gazetën më të madhe në vend, Zaman, nën administrimin e detyrueshëm qeveritar, teksa forcat anti-terror pushtuan zyrat e redaksisë së gazetës opozitare.

E njëjta gjë ndodhi këtë javë me agjencinë e lajmeve Cihan. Para kësaj, Can Dundar, kryeredaktor i të përditshmes Cumhuriyet, e cila është kritike ndaj Qeverisë, u arrestua. Gjykata Kushtetuese e vendit urdhëroi lirimin e tij, por presidenti e bëri të qartë se ai nuk do të respektonte këtë vendim.

Në 18 muajt e fundit, afro 2000 njerëz ndodhen nën hetim për “fyerje të presidentit” në Turqi. Dhe, tani Qeveria do të pezullojë imunitetin parlamentar të deputetëve të partisë pro-kurde HDP.

As Angela Merkel, as shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini, dhe as presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nuk kanë guxuar ta kritikojnë në mënyrë të hapur presidentin turk. Në vend të kësaj, ata bënë vetëm disa kritika të buta të përgjithshme. Por, kur Evropa kalon në majat e gishtërinjve në zona të tilla të minuara, ajo rrezikon besueshmërinë e saj.

Çfarë të drejte do të ketë për të kritikuar kufijtë e lirisë së shtypit në vende si Hungaria, apo në “demokracinë e menaxhuar” të Putinit?

Marrëveshje të neveritshme, e ashtuquajtura realpolitikë, citohet shpesh për të justifikuar këto lloj marrëveshjesh të neveritshme – ideja se ju ndonjëherë duhet të bëni gjëra moralisht të gabuara për hir të një kauze më të madhe. Por, ka disa pasoja të botës reale. Për Turqinë, kjo do të thotë të dobësosh edhe më tej një opozitë që po i reziston aspiratave të Erdoganit për plotfuqishmëri.

BE-ja tanimë është duke i hapur rrugën presidentit turk të ndryshojë Kushtetutën e vendit të tij dhe të dobësojë institucionet demokratike të Turqisë. Erdogan ka rindezur edhe konfliktin me Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Ushtria, në betejën e saj kundër militantëve kurdë, ka vënë nën shtetrrethim dhe shndërruar shumë shtëpi në gërmadha, në qytete të tëra në juglindje të vendit. Presidenti Erdogan ka destabilizuar vendin e vet dhe rajonin e gjerë.

Evropa ka për qëllim t’i vetëdorëzohet një autokrati të paqëndrueshëm, që së shpejti mund të ketë kërkesa të tjera. Kjo nuk është një zgjidhje që mund të duket e qëndrueshme. Përveç kësaj, askush nuk e di se nëse edhe marrëveshja e propozuar mbi refugjatët do të funksionojë në mënyrën që njerëzit janë duke shpresuar.

A do të jetë vërtet i mjaftueshëm kërcënimi i dëbimit të shpejtë në Turqi, për të parandaluar refugjatët nga kalimi në detin Egje? A është e mundur që Evropa të ndërmarrë dëbime masive që shkelin nenet e Konventës së Gjenevës për Refugjatët? A do të funksionojë pranimi i refugjatëve sirianë në vendet evropiane nga Turqia? Dhe, a nuk është gjithashtu e mundur që refugjatët në të ardhmen, thjesht të kalojnë në Evropë përmes Libisë dhe përgjatë Mesdheut?

Marrëveshja me Turqinë mund t’u sigurojë një lehtësim të përkohshëm liderëve të BE-së, si Angela Merkel, të cilët gjenden nën presionin e brendshëm politik për të zvogëluar numrin e refugjatëve. Megjithatë, është degraduese për Evropën që të sillet vërdallë si një lutëse e dëshpëruar. Kjo situatë është thjesht produkt i grindjeve brenda BE-së.

Evropianët kanë mbetur të mbështeten vetëm te Turqia, për shkak se ata nuk qenë në gjendje të bien dakord mbi zgjidhjet që ata vetë mund të zbatojnë – si shpërndarja e refugjatëve në të gjithë Evropën.

Fakti është se BE-ja nuk ka shumë mekanizma për të ushtruar presion ndaj Turqisë. BE-ja nuk ka qenë asnjëherë serioze në lidhje me pranimin e Turqinë si anëtare dhe Erdogan sot nuk po e konsideron aq shumë seriozisht këtë çështje. Për presidentin turk, rihapja e negociatave për anëtarësim është kryesisht e rëndësishme për shkak të faktorit të brendshëm.

Përkundër gjithë kësaj, BE-së i ka mbetur ende një kartë në dorë: udhëtimi pa viza për shtetasit turq, që tanimë po diskutohet dhe që do të jetë një sukses i madh për Erdoganin. Heqja e vizave duhet t’u bashkëngjitet kushteve të rrepta, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit. Një fitore e tillë nuk mund t’i dorëzohet Erdoganit. Një çmim duhet të kërkohet për të në samitin e javës së ardhshme.

Nëse BE-ja do të hapë kufijtë për qytetarët turq, atëherë ajo gjithashtu duhet të guxojë të kritikojë Erdoganin dhe të ushtrojë të gjithë ndikimin që ajo ende ka mbi Ankaranë. /Der Spiegel/Mapo/