LAJMI I FUNDIT:

Rrugëtimi historik i Ismail Qemalit

Pas shpërthimit të Luftës Ruso-Turke, në prill të vitit 1877, gjendja e krijuar në rajon tregonte se shpërbërja e Perandorisë osmane ishte vetëm pyetje kohe, ashtu si edhe copëtimi i territoreve të saj, nga Fuqitë e Mëdha. Por, problemi kryesor për shqiptarët, qëndronte aty se kjo shpërbërje i kishte gjetur ata të papërgatitur për situatën e krijuar, ndaj kërcënonte seriozisht edhe tërësinë e tyre territoriale, sidomos nga Rusia e cila me qëndrimet e saj tendencioze për mohimin kategorik të ekzistencës së popullit dhe Shqipërisë në tërësi synonte shuarjen e përhershme të çështjes sonë kombëtare, daljen e Serbisë në bregdetin shqiptar dhe dominimin rus në Ballkan.

Kështu që, Ismail Qemali, si njëri nga intelektualët dhe diplomatët më të shquar të kohës në oborrin e Sulltan Hamitit të II-të, do ta hetonte shpejt dhe vlerësonte drejt e me kohë, krizën e thellë e cila pritej ta përfshinte Perandorinë Osmane, në fund të shekullit XIX. Ndaj, pa asnjë hezitim e vonesë, filloi përpjekjet dhe bashkëpunimin me intelektualë dhe patriotë të kombit kudo që ata vepronin, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe gjetjen e mundësive të zgjidhjes së çështjes kombëtare.


Në atë kohë, ky burrë shteti konsiderohej si diplomat shumë largpamës dhe njëri ndër personalitetet më të zgjuara të Perandorisë,ndaj duke parë rreziqet të cilat kërcënonin shqiptarët me shkatërrimin e kësaj Perandorie, në vitin 1897,ai do t’i dërgonte një promemorie Sulltan Hamitit, me anë të së cilës kërkonte futjen e reformave që mund ta ruanin tërësinë tokësore perandorake dhe me këtë edhe shpëtimin e tokave shqiptare nga grabitjet e fqinjëve, duke synuar kështu shpalljen e një shteti autonom në kuadër të Perandorisë,pasi që në atë kohë Evropa dhe bota ende nuk pranonin krijimin e një shteti shqiptar në Ballkan.

Kjo promemorie gjeti jehonë deri te vet qeveritarët e Perandorisë, por sado që idetë e stërholluara të Ismail Qemalit pranoheshin me dëshirë nga udhëheqësit perandorak dhe Sulltani, kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve dhe krijimin e një shteti autonom shqiptar në këto territoret – ani pse kjo ide nuk kundërshtohej fort nga shumica e fuqive të mëdha, derisa paraqitej në kuadër të Perandorisë – e armiqësoi atë me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili ishte kundër çfarëdo forme të shtetësisë shqiptare, ndaj vendosi që si masë ndëshkimi ta transferonte Ismail Qemalin në Tripoli.

Pasi që vendimin e Sulltanit për transferim e shihte si rrezik për jetën dhe kurth për eliminimin fizik të tij, Ismail Qemali vendosi që në vitin 1900, me ndihmën e konsullatës angleze të arratisej nga Stambolli, duke shkuar së pari në Athinë ku do ta takonte mbretin grek Jorgji, takim ky i cili do ta përcillte si hije e zezë gjatë gjithë jetës, sidomos pas vrasjes së 4000 – e disa shënime flasin edhe për 7000 – djemve të rinj shqiptar nga jugu i Shqipërisë të cilët atëbotë ishin marrë nizam nga Perandoria (por, me arsyetimin e gjoja të një tentim dezertimit të tyre, ata do të vriteshin që të gjithë sipas një urdhri të gjeneralit gjakatar turk, Xhavit Pasha).

Faji për këtë tragjedi kombëtare do t’i hidhej Ismail Qemalit, "bazuar" në dyshimin se kinse gjatë qëndrimit në Athinë, mund të kishte arritur një marrëveshje të përfolur konspirative me mbretin Jorgji të Greqisë, për kalimin e Shqipërisë së jugut nën pushtimin grek. Ndaj, nisur nga ky qëllim ai kishte ftuar ushtarët shqiptar që t’i dorëzonin armët dhe të dezertonin nga ushtria e Perandorisë, për ç`gjë Xhavit Pasha do t’i pushkatonte që të gjithë.

Duke mos harruar dhembjen për flijimin e këtyre mijëra djemve të rinj shqiptar, kur flasim për gjendjen e Perandorisë së atëhershme turke, siç edhe pritej nga të gjithë, ajo pa reforma të menjëhershme do të shkatërrohej shpejt dhe pashërueshëm nga kryengritjet dhe luftërat në rritje kundër saj gjithandej.

Ndaj, mjerisht fati më i keq e priste Shqipërinë, e cila në këtë rast me bekimin e fuqive të mëdha, ishte para që do të copëtohej nga vendet hegjemoniste fqinje të cilat prisnin me një këmbë për t`iu vërsulur asaj si ujku gjahut për të gllabëruar nga të gjitha anët.

Gjendja e krijuar do t’i detyronte atdhetarët shqiptarë kudo, e sidomos Hasan Prishtinën, i cili ishte më i zëshmi me vërejtjet e tij në Parlamentin turk, se nëse nuk do të pranoheshin kërkesat e shqiptarëve për një shtet autonom në kuadër të Perandorisë, ai i pari do ti printe luftës dhe kështu do të ndodhte që nga fillimi i saj më vonë, i cili në bashkëpunim me Bajram Currin e Isa Buletinin, do ta parapërgatitnin me kohë popullin për kryengritje të përgjithshme kombëtare.

Ndaj, Ismail Qemali duke parandjerë situatën, kishte vendosur që sa më parë të largohej nga Perandoria dhe bashkë me atdhetarët e tjerë shqiptarë, kudo që ata vepronin, të përpiqej për shpëtimin e atdheut në ato kohë. Sipas raportit të konsullit austriak në Vlorë, dërguar në maj të vitit 1900, në Vjenë të Austrisë, ai bashkë me tre djemtë e tij do të arratisej po atë vit nga Stambolli dhe Perandoria për t’u bashkuar me atdhetarët shqiptarë në vendet evropiane të cilët ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e Shqipërisë.

Fal karrierës së tij të bujshme diplomatike, inteligjencës që zotëronte dhe njohjes që kishte me politikanë, ambasadorë e diplomatë të vendeve të ndryshme në Evropë dhe më gjerë, bashkatdhetarët shihnin te Ismail Qemali udhëheqësin e tyre politik dhe njërin nga prijësit kryesor të shtetit të ardhshëm kombëtar të cilin ata ëndërronin ta krijonin.

Me t’u arratisur nga Stambolli, ai do të vizitonte disa shtete evropiane, ku do të përgatiste opinionin për shtetin autonom , për të cilin deklarohej hapur dhe vendosmërisht, duke paralajmëruar njëkohësisht rrezikun e copëtimit të trojeve etnike shqiptare nga vendet hegjemoniste fqinje, të cilat nxiteshin me të madhe që në atë kohë – nga Rusia – për pushtimin e tyre.

Pas disa muajsh lobimi, Ismail Qemali nga mesi i tetorit të vitit 1900, do të kërkonte nga shqiptarët kudo që ata të bashkoheshin për krijimin e shtetit të tyre autonom në kuadër të perandorisë, si një zgjidhje e përkohshme, për të cilën nuk kërkohej pëlqimi dhe as pranimi i tij nga Fuqitë e Mëdha.

Ndryshe, në atë kohë ishte i pamundshëm krijimi i një shteti kombëtar, kur në Evropë ekzistonte bindja se shqiptarët nuk ishin të zotët të mbanin shtet, ndaj parashihej krijimi i një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, udhëheqja e mirë e të cilit do t’i bindte Fuqitë evropiane për të pranuar të drejtën e kombit tonë për krijimin e shtetit të tij mbi trojet e veta në Ballkan.

Madje, siç do të shprehej Ismail Qemali, për shqiptarët kishte ardhur koha kur nuk mjaftonte vetëm gatishmëria e flijimit të jetës për atdhe, por ata tani duhej të mësonin edhe për ta mbajtur dhe udhëhequr si duhet shtetin e tyre të ardhshëm kombëtar.

Ndaj, pas krijimit të një shteti autonom në kuadër të Perandorisë, puna e parë që bashkëkombësit duhej të bënin, ishte hapja e shkollave në gjuhën shqipe ku shqiptarët do ta mësonin atdhedashurinë dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare, gjë që pa një shtet autonom nën regjimin e sulltanit Abdyl Hamitit të dytë, këto ishin të pa mundura, ngase edhe mësimi në gjuhën amtare, për shqiptarët ndalohej nga Perandoria turke.

Për këtë qëllim, Ismail Qemali kishte vizituar disa vende evropiane, si Anglinë, Italinë dhe Austro-Hungarinë, ku kishte kërkuar ndihmën e fuqive të mëdha dhe përkrahjen e tyre për krijimin e shtetit autonom me shpresën se pas forcimit të autonomisë së Shqipërisë, shqiptarët do të mësoheshin të qeverisnin me vetveten dhe të mbanin e udhëhiqnin edhe shtetin e tyre të pavarur, pas daljes nga Perandoria, e cila pritej të shembej shpejt.

Duke udhëtuar nga vendi në vend, dhe duke marrë mendimet e secilit nga diplomatët dhe ministrat e shumtë evropianë, Ismail Qemali shpejt do të bindej se ndihmë të sinqertë në atë kohë ishte e gatshme të ofronte vetëm Austro-Hungaria, e që më vonë kjo edhe do të dëshmohej në vepër, gjatë përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, kur angazhimi dhe përkrahja e Qeverisë së Austro-Hungarisë, në dobi të çështjes shqiptare ishte më e madhe se e cilitdo vend tjetër në rajon dhe më gjerë.

Madje, nga shumë historianë, analistë e studiues të këtyre ngjarjeve, mendohet se pa ndihmën e Austro-Hungarisë dhe ministrit të jashtëm Leophold Bertchold, krijimi i shtetit shqiptar gati se do të bëhej i pamundur në atë kohë. Ndaj, me të drejt, në frymën festive të 100 vjetorit të pavarësisë, dhe në mënyrë krejtësisht të merituar, një rrugë në Tiranë u nderua në këtë vit jubilar me emrin e ish ministrit të jashtëm austriak, ndihmësit dhe përkrahësit të pavarësisë së shtetit shqiptar: Leophold Berchtold.

Në fillim të shpërbërjes perandorake, shqetësimi i parë serioz i atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e nisjes së copëtimit të trojeve të tyre, do të vinte nga pretendimet bullgare për shtrirjen e kufijve të saj, sipas marrëveshjes ruso-turke të Shën Stefanit, e cila synonte marrjen e një pjese të Kosovës deri në Kumanovë, pjesën veriperëndimore të Dibrës dhe Drenovën me Boboshticë, deri në afërsi të Korçës

Ndaj, që me fillimin e kryengritjes së armatosur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën i gjejmë kudo me përpjekjet e tyre për krijimin e një komiteti udhëheqës të kryengritjes, të cilët për mbështetjen e luftës kërkonin ndihmë nga të gjitha shoqëritë shqiptare që vepronin brenda dhe jashtë vendit – deri në Egjipt.

Ismail Qemali kishte edhe një detyrë më tepër të ngarkuar nga rrethanat, e ajo ishte për shuarjen e panikut dhe ruajtjen e qetësisë në popull edhe nën kushte lufte, e cila dëshmohet me telegramin e datës 9 nëntor të vitit 1912, që ai ia dërgonte nga Vjena parësisë së Vlorës me të cilin përpiqej t’i qetësonte shpirtrat e alarmuar të shqiptarëve nga sulmet e pareshtura të ushtrive greko-serbe të cilat kishin mësyrë Shqipërinë – nga jugu dhe verilindja.

Ndaj, ai u bënte thirrje shqiptarëve nga atje që edhe në ato çaste të rënda lufte e pushtimi, ta ruanin qetësinë dhe t[ shpërndanin lajmin e gëzueshëm se “e ardhmja e Shqipërisë ishte siguruar, kurse ai dhe delegatët tjerë do të vinin me vaporin e parë që do të nisej për në Shqipëri".

Por, para se të shkonte në Vjenë, Ismail Qemali kishte vizituar shoqatat atdhetare në Rumani, nga të cilat ai do të inspirohej dhe bindej përfundimisht që në vend të autonomisë së një shteti kombëtar në kuadër të Perandorisë, e cila ishte para shkatërrimit të përgjithshëm, të shpallte pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Kështu, me të arritur në Vjenë, ku delegacioni shqiptar do të pritej në nivelin më të lart ministror nga vet ministri i jashtëm Austro-Hungarez, Leophold Berchtold, kërkesa e Ismail Qemalit drejtuar këtij burrështetasi të famshëm evropian dhe përkrahësi besnik të Shqipërisë së pavarur, do të shprehej për ndihmë në arritjen e Pavarësisë, të cilën Leophold do ta merrte seriozisht dhe përhapte me vendosmëri në të gjitha takimet ministrore të shteteve evropiane, duke ndihmuar edhe delegacionin shqiptar me një anije për arritjen e tyre sa më parë në Shqipëri, ku ata do ta shpallnin Pavarësinë e vendit të tyre.

Ndaj, Ismail Qemali me bashkëpunëtorë, nga Trieste udhëtuan me Vaporin austriak "Baron Bruck", e të cilët më 22 nëntor të vitit 1912 do të mbërrinin në Durrës, ku kishin planifikuar të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë, sikur me të arritur aty të mos gjenin një gjendje aq alarmante dhe të acaruar nga frika e marshimeve serbe të cilët kishin mësyrë për të marrë Shqipërinë e mesme dhe bregdetin shqiptar, në mënyrë që të pengonin edhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Por, fal luftës së vendosur të Isa Buletinit me bashkëluftëtarët e tij, në hapësirat në mes Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, shqiptarët arritën të bllokonin ushtrinë pushtuese serbe të gjeneralit gjakatar Jankoviq, duke i mundësuar kështu Ismail Qemalit me bashkëpunëtorë që të shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë, edhe pse jo në Durrës. Kurse, ai vet, për shkak të luftimeve, mundi të arrinte vetëm një ditë pas shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë .

Ndaj, Ismail Qemali me delegatët shqiptar, të shtrënguar nga gjendja e krijuar dhe tensionet e ngritura në qytetin bregdetar, do të niseshin me urgjencë për në vendlindjen e tij, të cilët pas disa ditësh rrugëtimi plotë sfida e vështirësi, më në fund, natën e 27 nëntorit, do të arrinin në Vlorë, ku të nesërmen më 28 nëntor të vitit 1912, përfundimisht do të shpallnin pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e qeverisë së parë të saj.