LAJMI I FUNDIT:

Rumania përkrah proceset evropiane në Kosovë

Rumania përkrah proceset evropiane në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Rumanisë, Titus Corlatean ka thënë se Qeveria e Rumanisë në muajt e fundit ka mbajtur një qëndrim konstruktiv, që mundëson zhvillimin e proceseve evropiane në Kosovë.

Lidhur me qëndrimin e Rumanisë ndaj dialogut që po zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës, kreu i diplomacisë rumune thekson se Rumania i përshëndet këto përpjekje të rëndësishme politike.

“Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës flet për një guxim të jashtëzakonshëm politik. Kjo marrëveshje mundëson normalizimin e marrëdhënieve në mbarë rajonin dhe është një hap historik, qëllimi i të cilit duhet të jetë integrimi në BE i të gjithë rajonit ballkanik. Ne në Rumani e njohim shumë mirë historinë e trazuar dhe shpesh të përgjakshme të Ballkanit”, tha shefi i diplomacisë rumune.


“Perspektiva e stabilitetit, demokratizimit dhe e anëtarësimit të përbashkët në BE është qenësore jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën. Në këtë frymë e kuptojmë ne marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është edhe arsyeja, përse Rumania e thotë qartë: ne më 28 qershor, në takimin zyrtar të radhës të Këshillit Evropian, do të kërkojmë një datë konkrete për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Serbinë. Këtu ne shtojmë një element mjaft të rëndësishëm: duke marrë parasysh kriteret politike të antarësimit, kryesisht sa ka të bëjë me minoritetin rumun, pavarësisht nëse ai quhet rumun apo vllah”, tha Corlatean për DeutscheWelle.

Sipas shefit të diplomacisë rumune, shteti i tij, “në radhë të parë qeveria aktuale, në muajt e fundit ka mbajtur një qëndrim konstruktiv, që mundëson zhvillimin e proceseve evropiane në Kosovë”.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për harmonizimin e qëndrimit të shteteve anëtare – duke përfshirë këtu edhe qëndrimin e atyre vendeve, që deri më sot nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për të mundësuar kështu fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën. (…) Këta janë hapa të rëndësishme, përmes të cilave afatmesëm arrihet qëllimi, i cili po ta krahasojmë, është po aq i rëndësishëm sa edhe projekti, që pas Luftës së Dytë Botërore në Perëndim të kontinentit çoi në Evropën e bashkuar: një projekt paqeje ky i bazuar në një projekt politik. Nëse ne vazhdojmë të punojmë me ambicie në këtë drejtim, ne në Evropën Juglindore, në Ballkan, do të mund të realizojmë një rajon evropian brenda BE-së, i cili të ofrojë në radhë të parë paqe, marrëdhënie të mira fqinjësie, stabilitet dhe mirëqenie", ka thënë Corlatean. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE - tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE - tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm

Lajme
Vuçiq për Kosovën: Vështirë për gjithçka, situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar

Vuçiq për Kosovën: Vështirë për gjithçka, situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar

Lajme
Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Lajme
Deputetja turke në Asamblenë Parlamentare të KiE-së: Jam me prejardhje nga Kosova, e mbështes me zemër anëtarësimin

Deputetja turke në Asamblenë Parlamentare të KiE-së: Jam me prejardhje nga Kosova, e mbështes me zemër anëtarësimin

Lajme
Votimi PËR anëtarësimin e Kosovës në KiE, reagon Kurti

Votimi PËR anëtarësimin e Kosovës në KiE, reagon Kurti

Lajme
Bujar Osmani:

Bujar Osmani: "Ballkani i Hapur" është iniciativë e Shqipërisë, me qëllim pajtimin në mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë
Kalo në kategori