LAJMI I FUNDIT:

Rusia i ‘lutet’ UEFA-s që mos të takohet me Kosovën

Rusia i ‘lutet’ UEFA-s që mos të takohet me Kosovën

Ministri rus dhe president i Federatës së Futbollit të Rusisë (FFR), tha se vendi i tij nuk e mbështet pranimin e Kosovës në UEFA dhe do të shmangë përballjet me këtë përfaqësuese deri në kohën sa nuk zgjidhet statusi politik i Kosovës.

“Rusia nuk e ka mbështetur propozimin, por në UEFA dominon demokracia. Shumica ka vendosur. Ky vendim duhet të pranohet”, ka thënë Vitaly Mutko.


Mutko, megjithatë, theksoi se kombëtarja ruse e futbollit do të shmang takimet me Kosovën deri në zgjedhjen e statusit politik të këtij vendi. Ai shprehu shpresën se UEFA nuk do të vë Kosovën dhe ekipin kombëtar rus në të njëjtën grup të kualifikimeve, transmeton Telegrafi.

Pranimi i Kosovës sipas mendimit të president nderi të FFR-së dhe ish-nënpresidentit të UEFA-s, Vyacheslav Koloskov solli përçarje në futbollin evropian, për shkak se 28 anëtarë votuan në favor dhe 24 kundër dhe dy abstenuan.

“Praktikisht, gjysma votuan kundër federatës. Ka mospajtime rreth asaj se çfarë shkruan në statutin e Federatës dhe se si e shpjegoi Avokati i UEFA-s. Statuti thotë se UEFA mund të pranoj vetëm vende që njihen nga Kombet e Bashkuara, por OKB-ja ende nuk e ka njohur Kosovën si një shtet. Të udhëhequr nga kjo logjikë, kjo çështje nuk është dashur të diskutohet në UEFA! Megjithatë, shumica e shteteve anëtare të OKB-së tashmë e kanë njohur Kosovën, dhe ka një përplasje ligjore mes asaj që është shkruar në statut dhe shpjegimit të dhënë të UEFA-s “, tha Koloskov.

Kujtojmë se i njëjti ministër kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës në evropianin e xhudos, por në fund pas ndërhyrjes së presidentit rus, Vladimir Putin, i ishte lejuar Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakovës të marrin pjesë në gara, ku në fund u kthyen edhe me medalje, përkatësisht Majlinda u shpall kampione e Evropës, ndërsa Nora zuri vendin e tretë.

Kosova është bërë anëtare e 55-të e UEFA-s, ndërsa javën e ardhshme duhet të pranohet në FIFA, por Serbia ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit me seli në Lozanë të Zvicrës. /Telegrafi/