LAJMI I FUNDIT:

Sektori i ndërtimeve, jo transparent në Kosovë

Sektori i ndërtimeve, jo transparent në Kosovë

Shoqëria civile dhe Qeveria e Kosovës duhet të kenë një partneritet të hapur për transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimet buxhetore, për përgjegjësit dhe përfshirjen e qytetarëve në hartimin e politikave qeverisëse.

Kështu u tha në Forumin Kombëtar për Shkëmbimin e Eksperiencave mbi qeverisjen e hapur të organizuar nga Instituti Riinvest në kuadër të projektit Partneriteti për Qeverisje të Hapur në Kosovë. Në këtë forum u tha se edhe në Qeveri dhe në disa komuna nuk ka llogaridhënie dhe transparencë për menaxhimin e financave dhe në sektorin e ndërtimit.


Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku duke hapur Forumin bëri një përmbledhje të mbarëvajtjes së punës së bërë në implementimin e këtij projekti, duke theksuar ky projekt ka për qëllim inkurajimin e Qeverisë së Kosovës dhe qeverive të vendeve tjera fqinje të bëhen më transparente, të përgjegjshme, inventive si dhe të nxisë përfshirjen e qytetarëve në hartimin e politikave.

Ai tha se si pikë shumë të rëndësishme është edhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta nëpërmjet një qeverisje transparente.

“Qëllimi dhe roli kryesor i angazhimit tonë në këtë nismë rajonale është inkurajimi i akterëve relevant në vend, në theks të veçantë i Qeverisë së Kosovës për të qenë sa më transparent, sa më të përgjegjshëm, sa më inovativ dhe sa më në hap me teknologjinë informative që mundëson këtë hapje dhe këtë transparencë. Deri më tani në kuadër të këtij angazhimi kemi realizuar punime hulumtuese të cilat kanë identifikuar politikat aktuale që lidhen me qeverisje të hapur dhe zbatimin e këtyre politikave në praktikë nga ana e Qeverisë”, theksoi Abdikxhiku.

Koordinatori dhe eksperti i shoqërisë civile në partneritetin për Qeverisje të hapur, Paul Maassen në një lidhje direkte nga Brukseli prezantoi reflektimin për kontributin e Qeverisë së hapur tha se ideja e kësaj është rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet qeverisëse dhe inkurajimi për një transparencë të plotë.

“PQH-ja krijon një hapësirë për hapjen e një dialogu ndërmjet akterëve të Qeverisë dhe shoqërisë civile në Kosovë. Nëse flitet për një partneritet të hapur në Qeveri është një mundësi për të gjithë në vend të marrin pjesë në këtë lëvizje, që është me rëndësi për një vend i cili është kompleks për gjatë hsitoisë siç është Kosova”, tha Maassen.

Ai ka treguar se si shtrihet në PQH nëpër botë dhe si funksionon ajo në rajon. Massen theksoi se shoqëria civile duhet të luaj rolin për nxitje të qeverisjes së mirë.

Kurse Artela Mitrushi eksperte e Partneritetit për Qeverisje të Hapur në Shqipëri bëri një prezantim të titulluar : reflektimi mbi kontributin në Shqipëri në kuadër të PQH-së. Ajo tha se synimi kryesor është inkurajimi i qeverive Ballkanike për transparencë të plotë qeverisëse. Por procesi ka mjaft sfida dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile nuk është e njëjtë sikur në të gjitha vendet. Duke folur përvojën e Shqipërisë, ajo tha se nuk është i kënaqshëm bashkëpunimi ndërmjet shoqërisë civile dhe Qeverisë.

“Synimi kryesor është inkurajimi i Qeverive të vendeve të Ballkanit që të hapen, të krijojnë mundësi të transparencës gjithëpërfshirëse të qytetarëve, në mënyrë që të përmirësojnë jetën e tyre në këtë kuadër… e veçanta e kësaj nisme është pjesëmarrja e bashkëpunimi që qeveria duhet të ketë dhe s ynon të ketë me shoqërinë civile. Në rastet më të shpeshta duke parë edhe përvojat e Shqipërisë, ky angazhim nuk ka qenë gjithmonë më i miri, ose më i duhuri”, theksoi Mitrushi.

Shqipëria është anëtare e PQH që nga viti 2011, dhe shoqëria civile është mjaft e angazhuar atje për nxitjen qeverisë për të qenë më e përgjegjshme.
Edhe Hajrullah Çeku nga organizata “Ec më ndryshe” foli për perspektivën e shoqërisë civile. Sipas tij, mobilizimi i komunitetit duhet të ndodhë për monitorimin e institucioneve, ku sipas tij së pari kanë monitoruar Prizrenin. Ai u ndal tek sektori i ndërtimeve që sipas tij në këtë sektor nuk ka transparencë.

“Mobilizimi duhet me pasur edhe një komponentë shumë të fort të monitorimit…Një fokus specifik e kemi tek sektori i ndërtimeve, këtu lidhen temat tek organizata ku unà « punojë, urbanizmi, trashëgimia kulturore, ambienti etj. Sepse mendojmë se ky është një prej sektorëve më jo transparent në përgjithësi në Kosovë por edhe në komuna. Në Prizren është sektori që më së shumti ka korrupsion, keqpërdorim dhe shkatërrim të qytetit”, tha Çeku.

Instituti Riinvest është duke implementuar projektin “Avokimi për Qeverisje të Hapur”, pjesë e një angazhimi rajonal 2-vjeçar i mbështetur nga Bashkimi Evropian. Projekti në fjalë zbatohet në pesë vende të Ballkanit perëndimor, Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Serbi. /Telegrafi/