LAJMI I FUNDIT:

Serbia nuk ka rrugë tjetër, pos integrimit

Serbisë i “mbetet të zgjedhë”

“Na ka djegë qumështi e po duhet me i fry kosit”. Megjithëse vështirë t’i besohet dhelprës dinake (Serbisë), si duket kësaj radhe iu ka djeg bishti. Do ta pranojë apo nuk do ta pranojë shtetin e Kosovës, një gjë është e sigurt, se ajo tashmë është tejlodhur nga rruga e saj destruktive në Ballkan dhe po i duhet të “zgjedhë” një rrugë tjetër konstruktive, dhe nuk ka rrugë tjetër pos integrimit në Boten Demokratike.


Funksionimi i shtetit të Kosovës nuk ka dy mundësi! Kosova ose është shtet ose nuk është shtet! Çdo ide, pa marr parasysh nga vjen, që ende Serbia të përzihet politikisht përbrenda Kosovës, nënkupton funksionimin e ideologjisë së vjetër hegjemoniste ruso-sllave, që thotë se: “aty ku ka serbë duhet të udhëheqë Serbia”. Këto ide situatën politiko-shoqërore në Ballkan e kthejnë në vitet e luftërave ndërnacionale kriminale, ku më askush nuk mund ta paragjykojë fundin. Prandaj, Bota Demokratike asnjëherë nuk duhet të iniciojë kompromise të tilla, që paragjykojnë konflikte në Ballkan, por vendosmërisht duhet t’i mbrojnë hartat e Ballkanit të cilat i kanë propozuar vet.

Problemi politik “Veri” u krijua nga ndërkombëtarët

Është fatkeqësi që duke mëndur se mund të zgjidhet një problem duhet krijuar një problem tjetër! Madje edhe me pasoja shoqërore deri në humbje jete. Fatkeqësisht problemi “Veri” është krijuar si problem për qëllime politiko-strategjike.

Fajin për pastrimin etnik në veri të Mitrovicës, pra për përzënien e shqiptarëve etnikë të asaj pjese, pas luftës së fundit e ka Bota Demokratike. Realisht ky problem është inskenuar dhe është lënë me qëllim i pazgjidhur, madje është krijuar si problem, për të menduar një ditë që do të jenë vet pala kosovare dhe ajo serbe që do të ulën rreth një tryeze të përbashkët për të sjellë një kompromis politik, e që realisht po ndodh, që do të përfundojë me një traktat paqeje fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, duke e njohur njëri shtet tjetrin praktikisht, por jo edhe deklarativisht.

Të quajturat “biseda teknike” mes Kosovës dhe Serbisë janë false! Ato edhe mund të duken si biseda teknike, por realisht një akomodim të serbëve për të “cilët” po flitet në të ashtuquajturat “bisedat teknike” më së miri i zgjidh Pakoja e Ahtisaarit, madje në raport me komunitetet tjera bën diskriminim. Është e kuptueshme se çdo agjende të përgatitur i duhet vënë një emër, si në këtë rast “biseda teknike”, që realisht do e shohim se janë politike, ngase në dialog janë dy shtete dhe për qëllime të mëdha politike.

Seriali (s’)përfundon një ditë pas ditës së rrenave

Telenovela Thaçi-Dacic s’ka të ndalur, madje asaj edhe po i shtohen episodet, apo neve na duket kështu. Sponsor i skenarit është Bota Demokratike me kryepersonazhin baroneshën Ashton. Mosarritja e një marrëveshje me 20 mars dhe paragjykimi se një marrëveshje e tillë do të arrihet me 2 prill……..? i jep kuptim psikologjik serialit Thaçi-Dacic. Këtu personazhët kryesorë nuk kanë përfundim tragjik, përkundrazi, njëri, Hashim Thaçi, do të thoshte se e mbrojta sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa tjetri, Ivica Dacic, do të thotë se, edhe pse ishim pushtues barbarë, prapë po arrij ta integroj Serbinë para Kosovës në Botën Demokratike. Realisht krenar dhe frymëzues janë që të dy!

Për këtë aktrim të mirë personazhet edhe do të shpërblehen! Për Hashim Thaçin dhe Ivica Dacicin portat mbetën hapur për në BE kur të dëshirojnë… Megjithëse Hashim Thaçit nuk do t’i binte keq të bëhet i pari i shtetit të Kosovës, dhe për të vazhduar përgatitjen e Kosovës për integrim në BE, për të cilën ka dhënë zotim dhe që nuk e ka lehtë. Fundi i serialit do të jetë tragjiko-komik, paksa prekës, kur do të shohim se baronesha Ashton do të mbetët e vetmuar, për t’u ndarë nga dy “të pëlqyerit” e saj.