Mr. sc. Arben Boshnjaku , Fizioterapeut
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.
Mr. sc. Arben Boshnjaku
Fizioterapeut
tel. 044 477 337
Ordinanca ‘Fixoterapia’
Rr. Su 1/2, Platoja e Postës Kryesore, Dardani
Prishtinë
Përshëndetje i nderuar. Kam dhimbje të shpinës dhe qafës. Dyshoj se krejt kjo është shkaktar i karriges në zyre dhe qëndrimit të gjatë pa lëvizje. Më herët kisha edhe marramendje. Kur bëj ushtrime të qafës, më pushon dhimbja. Ju lutem më informoni, çfarë kam unë, ç’duhet të bëj paraprakisht, në mënyrë që kur të vij tek ju të jem i kompletuar.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhembjet e shpinës dhe qafës (fatkeqësisht) janë karakteristike për ata që punojnë në zyre ose që kalojnë kohë të gjatë të ulur në karrige, prandaj ne lirisht mund të themi që ju vuani nga një problematikë relativisht e re që i është shfaqur njeriut të sotëm (apo “njeriut të zyrave”) të cilat probleme gjithnjë e më shpesh po i hasim nëpër literatura me emrin “sëmundjet e kohëve moderne”. Konstrukti i trupit të njeriut është i atillë që kërkon një aktivitet sa më të madh fizik, sepse fundja “jeta është lëvizje, dhe lëvizja jetë”. Sidoqoftë, nëse ju vetëm se e keni vërejtur që me ushtrime po pushon dhembja, unë ju inkurajoj të mos i ndërprisni ato, e për më tepër, t’i nënshtroheni një plan-programi ushtrimesh adekuate që do t’iu ndihmonte shumë në këtë aspekt (programin e detajuar të ushtrimeve mund t’iu rekomandojë fizioterapeuti ose edhe instruktori i fitnesit). Me rëndësi është të dini që gjatë ushtrimeve dhe aktivitetit fizik asnjëherë nuk vlen mendimi se “sa më tepër të ushtrosh, aq më mirë të bën”. Mu për këtë edhe ju thash që t’i nënshtroheni një plan-programi adekuat ushtrimesh.
Mirëpo, nëse eventualisht ju e vëreni që gjendja po përkeqësohet në drejtim të kufizimit të lëvizjes, shtimit të dhembjes, mpirjes së duarve apo edhe marramendjes, domosdoshmërisht duhet nënshtruar një kontrolli profesional më detal.
Jam 52 vjeç, kohët e fundit kam dhimbje në të dy krahët. Në krahun e majtë dhimbjet janë më të theksuara. Dhimbjet lënë përshtypjen e dhimbjeve të nyejve dhe muskujve. Më së shumti kam ankesa kur jam i shtrirë dhe në mëngjes. Gjatë ditës, më lehtësohen dhimbje. Kam dhimbje të muskujve, ngërçe dhe voltareni nuk po më ndihmon.
PËRGJIGJE:
Zotëri i nderuar, nga shenjat që ju keni paraqitur është shumë e vështirë për të dhënë një mendim përfundimtar. Nuk e di se çfarë profesioni keni (çfarë pune bëni), me se merreni në kohën e lirë (pra a keni ndonjë hobi që do t’iu ndikonte negativisht në gjendjen tuaj), sa jeni fizikisht aktiv etj...megjithatë ka elemente për të dyshuar në praninë e ndonjë sëmundjeje reumatike...Sido që të jetë, unë mendoj që ju keni nevojë për kontrolle të detajuara mjekësore, prandaj ju lutem të shkoni te ndonjë profesionist shëndetësor për kontrollim më për së afërmi.
Do të doja t’ju pyesja për një këshillë. Jam 22 vjeçare dhe prej 3 muaj kam diskus hernia...as vet se di. Mendoj se problemi imi janë muskujt e shtangur dhe trupi i pastërvitur dhe disi kur eci, nuk mbaj gjoksin dhe kokën drejt, por pak përkulur. Kërkoj mendimin tënd nëse ushtrimet dhe ndonjë instruktor fitnesi do të mund të më ndihmonte?
Flm për kontributin tuaj.
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Shiko, e para e punës, duhet ditur që diskus hernia është një problem që di të jetë mjaft serioz, por që në shumicën e rasteve shfaqet te moshat e shtyra. Gjasat që hernia diskale të shfaqet te një 22 vjeçare janë shumë të vogla, dhe atë shkak kryesor mund të jetë ndonjë traumë e jashtme apo aksident.
Fakti që muskujt janë shtangur veçse e pohon problemin tënd pasi që si pasojë e jostabilitetit të vertebrave (unazave kurrizore) dhe disqeve në mes tyre, të gjithë funksionin e mbajtjes së stabilitetit e marrin muskujt përreth të cilët edhe lodhen e fillojnë të tendosen e shkurtohen.
Sido që të jetë, ju nuk më keni treguar se në cilin regjion të kurrizit ju është shfaqur ajo, prandaj në mungesë të informatave adekuate çdo këshillë e imja në këtë lëmi do të jetë e përgjithshme. Por, duke marrë parasysh faktin që ky problem ju është shfaqur kaq herët, unë fillimisht do të ju kisha rekomanduar të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për këtë lëmi. Përpara se të t’ju rekomandoj ushtrimet dhe fitnesin (të cilat gjithsesi që do të bënin mirë, por pak më vonë), unë mendoj që fillimisht duhet hulumtuar arsyet e shfaqjes së këtij problemi dhe shkallën sa ka progreduar, për të ditur se me çfarë lloj ushtrimesh të fillohet dhe deri në ç’shkallë të shkohet. Në ndërkohë do të bëje mirë të filloje me zgjatje të muskujve të shtanguar varësisht se cilët muskuj janë të prekur.
Së pari shfrytëzoj rastin të përgëzoj Telegrafin për idenë kaq të qëlluar që na ka dhënë mundësinë për t’i bërë pyetje një fizioterapeuti. Doktor i nderuar, jam 56 vjeçar dhe faleminderit prej Zotit shëndeti im ka qenë për mrekulli deri tash. Këto 2-3 vitet e fundit kam shtuar pak në peshë dhe po e vërej që gati çdo aktivitet të cilin përpara e bëja më shumë lehtësi e kënaqësi, tash po më vjen mund dhe e bëj me zor. Ndoshta këtu ka ndikuar edhe fakti që shoku më i mirë me të cilin dilnim gati çdo ditë në Gërmi nuk është më në Kosovë, pra edhe s’po mund të jem aktiv si më parë. Përveç kësaj nganjëherë po e vërej një dhimbje të lehtë në mes e cila po largohet pasi nxehem duke ecur pak.
Mua tash po më intereson te di se a ka mundësi të më rritet dhimbja e shpinës në të ardhmen e nëse po, çfarë mund të bëj për ta parandaluar atë?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje zotëri. Fillimisht do të ju rekomandoja që të mos e ndërprisni aktivitetin fizik asnjëherë pasi që nuk ekziston asnjë dhuratë më e mirë që mund ti besh trupit tend se sa një aktivitet i rregullt dhe jo i tepruar. Duhet te dish qe një aktivitet fizik i rregullt (ne rastin tënd ecja apo vrapimi i lehtë) i kombinuar me një dietë të normale ushqimi (thjesht mos teprimi i ushqimit) do të ndihmojë drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e punës së organizmit tuaj duke të mundësuar të kesh një trup sa më vital, e indirekt do të ndihmojë edhe në rritjen e jetëgjatësisë tuaj (pasi që zvogëlon mundësitë e shfaqjes së sëmundjeve tipike të moshës suaj dhe sëmundjeve karakteristike që shfaqen si pasojë e mbipeshës). Përveç kësaj duhet ditur që ushtrimet pa marrë parasysh formën e tyre, qofshin të intensitetit të ulët për një kohë më të gjatë, e qofshin të një intensiteti më të lartë për periudhë më të shkurtër kohore, e nxisin lirimin e disa hormoneve specifike në tru të cilat e rrisin ndjenjën e satisfaksionit të përgjithshëm të individit, duke rritur vullnetin e individit dhe duke shtuar vetëmohimin në punët e përditshmërisë jetësore. Prandaj edhe në aspektin psikik do të ndiheni më mirë pas ushtrimeve. Dhembjet e lehta të shpinës të cilat eliminohen pas ecjes mund të jenë ose si pasojë e inaktivitetit, ose si pasojë e mbajtjes së qëndrimit jo të rregullt të trupit. Cilado që të jetë, unë ju rekomandoj të vazhdoni të jeni aktiv dhe të mos i ndërpritni shëtitjet dhe vrapimet e lehta sepse kështu mund të ndikohet në zvogëlimin e dhimbjeve të shpinës dhe parandalimin e përkeqësimit të tyre.
Po ashtu mundohuni të keni kujdes me mbajtjen e drejtë të trupit gjatë ditës, në punë e shtëpi.
Përshëndetje. Që disa muaj po kam dhimbje qafe e cila më shfaqet sidomos pas ditëve me punë të gjatë e të lodhshme në kompjuter. Kohët e fundit edhe lëvizjet e qafës më janë zvogëluar shumë dhe dhimbja po vazhdon të rritet e nganjëherë më shkon kah krahët? Çfarë të bëj?
A shërohet kjo dhe nëse po a ekziston diçka që unë mund të bëj në mënyrë që të më largohen këto telashe?
PËRGJIGJE:
Përshëndetje i nderuar. Problemi që e paskeni është mjaft i shpeshtë në shoqërinë tonë. Në fakt, problemet e qafës së bashku me problemet e tjera të shpinës shpesh quhen edhe sëmundje të kohëve moderne pasi që dita ditës vijnë duke u shtuar, dhe një rol të rëndësishëm në rritjen e tyre e luajnë profesionet në zyrë.
Nga ajo që më keni treguar duket se vuani nga sindroma cerviko-brachiale e cila është e shërueshme (por që nevoitet një ekzaminim më i detajshëm për të dhënë një diagnozë korrekte), por kërkon trajtim profesional. Sidoqoftë, unë të këshilloj të mbash pozitë të drejtë të shpinës gjatë ditës dhe kurrsesi të mos përkulesh teksa punon në kompjuter. Provo që kohë pas kohe të zgjasësh muskujt e qafës duke e vendosur dorën e majtë mbi kokë dhe duke tërhequr majtas ashtu që veshi të ofrohet në drejtim të majës së krahut. Kjo zgjatje mbahet për 10 sekonda dhe pastaj relaksohet. Përsëritet 3 herë dhe vazhdohet zgjatja e anës tjetër (me dorën e djathtë mbi kokë tërhiqet koka djathtas) e cila përsëritet 3 herë të tjera duke u mbajtur nga 10 sekonda, me pushim ndërmjet. Përveç këtyre rrotulloje kokën në njërën anë duke e ofruar mjekrrën me majën e krahut dhe me njërë dorë (cilëndo) e mban këtë lëvizje për 10 sekonda. Edhe kjo procedurë përsëritet 3 herë në të dyja anët me pauza në mes.
Këto zgjatje duhet t’i përsërisësh në mëngjes dhe në mbrëmje për 2-3 javë, e nëse e vëren që nuk po kanë sukses ose po përkeqësohen simptomat, atëherë të këshilloj të shkosh te një fizioterapeut për trajtim profesional.
Përshëndetje, jam një nënë e re që e kam një djalë 4 muajsh. Djali po e mban kokën djathtas dhe po na shqetëson si mua ashtu edhe burrin tim. E kemi dërguar te ortopedi dhe ai më ka këshilluar t’ia zgjas qafën anash, por edhe pse unë po ia bëj rregullisht ato zgjatje, nuk po vërej rezultate. Për më tepër, tash së fundmi na duket që ka filluar ti rrijë më i ngritur syri së bashku me vetullën e majtë.
Si t’ia bëjmë? Ndoshta po shqetësohemi shumë pasi që është fëmija i parë por ne seriozisht po frikësohemi se mos po mbetet qafa e shtrembër?
Faleminderit.
PËRGJIGJE:
Fillimisht më vjen mirë që e keni marrë guximin të shkruani dhe të interesoheni për këtë problem. Nuk është e lehtë të jesh prind dhe të shohësh diçka jonormale te fëmija yt, prandaj është plotësisht e arsyeshme çdo shqetësim i juaji.
Torticolisi është gjendje që qon në shkurtimin e muskujve të qafës së fëmijës, e që karakterizohet me mbajtje të kokës në njërën anë. Kjo sëmundje mund të jetë e lindur (e shfaqur për shkak të keqpozicionimit të fëmijës në barkun e nënës ose si pasojë e një traume gjatë lindjes) dhe e fituar (e shfaqur si pasojë e një problemi tjetër bazë). Normalisht shkalla e shtrembërimit ndryshon dhe varet prej disa faktorëve, por duhet ditur që nëse nuk trajtohet me kohë, teksa fëmija rritet torticolisi do të shoqërohet me deformime serioze dhe shpërfytyrim të fëmijës. Përveç se me zgjatje, ekzistojnë edhe forma të tjera të trajtimit ku ndër të tjera pozicionimi i fëmijës gjatë fjetjes është shumë i rëndësishëm, por paraprakisht nevojitet mendimi i fizioterapeutit pas vlerësimit të gjendjes. Prandaj unë ju kisha këshilluar që ta dërgoni fëmijën sa më parë në fizioterapi për një kontroll dhe mendim profesional. Aty do të kuptoni nëse është e nevojshme t’i nënshtrohet fëmija disa seancave trajtuese ose nëse është e nevojshme të merrni ju disa këshilla në lidhje me atë se çfarë duhet bërë.