Ass. dr. Afrim Shabani, mr.sci. oftalmolog

Publikuar: 10:04 / 12.07.2014
Ass. dr. Afrim Shabani, mr.sci. oftalmolog
0shares
komente

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Afrim Shabani, mr.sci.
oftalmolog
tel. 044 208 307


Përshëndetje doktor. Vajza ime prej lindjes ka problem me rënien e kapakut e sipërm poshtë të syrit.
A mund të korrigjohet kjo me ndonjë terapi apo vetëm me operacion?
Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje zonjë. Rënia e kapakut të sipërm poshtë që ne e quajmë si Ptozë kongjenitale (e lindur) nuk ka mundësi të shërohet me anë të terapisë medikamentoze. Në të shumtën e rasteve duhet të bëhet intervenimi kirurgjik dhe atë para moshës shkollore e në disa raste kur kemi një mbyllje më të shprehur, intervenimi bëhet edhe më herët, që të pengohet amblyopia (moszhvillimi i të pamurit) në atë sy.
Ju rekomandoj që të bëni një vizitë te mjeku i syve që të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.


Jam shumë e shqetësuar për një problem që ka kushërira ime. Ajo është 18 vjeçe dhe u bë kohë që ka dhimbje të syve nga brenda, sidomos më shumë te syri i majtë. Gjithashtu, ndonjëherë ndjen njërin sy pak të rënduar. Sipas saj, kjo dhimbje vjen nga lodhja dhe shpesh herë nga dëmtimi dhe lëndimi pa dashje e syve nga produktet kozmetike si lapsi apo rimeli. Shpeshherë më ka thënë që nga pakujdesia e saj ka dëmtuar pak sytë nga produktet kozmetike. Është vizituar shpesh herë dhe mjeku i ka thënë që shikimi është mirë.
Jam shumë e shqetësuar nga fakti që ajo ndjen dhimbje brenda syve dhe do doja të dija nga ju, a dëmtojnë dhe çojnë në verbim produktet kozmetike dhe çfarë mund të më thoni për të ndihmuar kushërirën time?
Ju falënderoj shumë për kohën e marrë dhe pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Se pari, dhembja e syrit është një simptomë që mund të vie nga shumë shkaktarë dhe për të zgjidhur problemin e kushërirës tuaj, duhet të bëhet një ekzaminim më në detaje i syve si dhe konsultimet me mjekët tjerë si me ORL dhe neurologun. Sa i përket asaj se a mund të verbohesh nga produktet kozmetike kjo nuk mund të ndodhë, por gjithmonë duhet të ketë kujdes për shkak të mundësisë së infeksioneve dhe alergjive që mund të ketë pasoja e posaçërisht kur këto produkte (mjete) kozmetike përdoren nga shumë persona.


E fejuara ime ka dhimbje në syrin e majtë, i ënjtet dhe nuk mundet ta qelë syrin të tërin. Këtë problem e ka tash e disa vite.
Doktor, çka mund të jetë kjo dhe si të reagojmë?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Ekzistojnë disa shkaqe p.sh. infeksionet kronike, proceset purulente të kapakëve, reaksionet alergjike, lëshimet e kapakëve (ptoza me etiologji të ndryshme), lëndimet etj. Prandaj, më mirë është që të bëni një kontroll te mjeku i syve për të patur një përgjigje më të detajuar.


I nderuar doktor. Kam një problem me sytë, më skuqen dhe kam kruarje në të dy këndet e kapakëve të syve. Poashtu, më bëhen vija-vija të kuqe në të bardhën e syrit. Këtë e kam përgjatë gjithë verës dhe më bëhen çdo vit, po në këtë periudhë.
Në pritje të përgjigjes, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Skuqjet dhe kruarjet e syrit janë shumë të shpeshta, sidomos në muajt e verës. Zakonisht janë të padëmshme dhe shkaktohen nga të nxehtit, pluhuri, djersa, lodhja, etj. Këto janë kaluese dhe pushimi, shpëlarja me ujë të zakonshëm, apo vendosja e pikave lot artificial, i ndihmon sytë. Nëse edhe pas këtyre vazhdojnë ankesat, atëherë mund të bëni një vizitë te mjeku i syve apo te alergologu për shkak të mundësisë të keni ndonjë alergji ose ndonjë infeksion të syrit.


Jam 20 vjeçar dhe kam disa pyetje. Ja një histori e shkurtë në lidhje me mua:
Syri i djathtë ka diagnozë: amblyopia (strabism), esotropia dhe hypermetropia.
Syri i djathtë: hypermetropia dhe anisometropia.
Syri i djathtë :
SPH CYL AX
+4.50 -1.00 9#
+4.25 -0.67 4#
+4.50 -1.50 2#
+4.50 -1.00 9#

Syri i majtë:
SPH CYL AX
+5.37 -0.62 67
+5.50 -1.12 64
+5.37 -0.62 60
+5.37 -0.62 64

Përndryshe tani mbaj thjerrëza me dioptri: e majta +3.25 dhe e djathta +1.75, mirëpo përsëri shoh dobët. Kisha dashur të më tregoni diçka më tepër në lidhje me ambliopinë, a ka mundësi të shërohet në moshën madhore. Me sa e di unë, ambliopia është prej kur kam lind. Kam filluar të përdori syze prej moshës 18 vjeçare dhe tani përdor thjerrëza.
Tjetër, si ta parandaloj rritjen e dioptrisë?
Ju faleminderit.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Sa i përket ambliopisë (syri dembel) në moshën që keni, nuk mund të trajtohet për shkak se ka përfunduar zhvillimi i të pamurit, me këtë problem është dashur të merreni para moshës 12 vjeçare. Që atëherë është dashur të merrni syza, të bëhet okluzioni i syrit të shëndoshë dhe të përcillet zhvillimi i të pamurit. Për dobësim të pamurit që thuani ju, preferoj të bëni kontrolle më të shpeshta te mjeku i syve për të parë për ndonjë ndryshim tjetër në sy sepse nga ambliopa tani nuk duhet t’ju dobësohet të pamurit dhe të shihet për ndryshimet eventuale të dioptrisë.


Kam një lutje për doktorin. Vajza ime 10 muajsh, nganjëherë siç e kam vërejtur unë, nuk shikon drejt. Këtë e kam kuptuar nga fotot që ia kam bërë. Shumë herë që del në natyrë, i lotojnë sytë dhe i kapen.
Jam në pritje të mendimit tuaj, doktor.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Në bazë të asaj që ju përshkruani, kemi të bëjmë me një moskoordinim të lëvizjes së syve e që kërkon një kontroll te mjeku i syve (më saktë te strabologu) që të ekzaminohet me në detaje për mundësinë e ekzistimit të anomalisë së strabizmit (syri i shtrembër) ose për ndonjë sëmundje tjetër e syrit. Lotimi dhe kapja e kapakëve janë shenja të infeksionit dhe të cilat duhen të trajtohen pasi të jetë shikuar nga mjeku i syve.


Përshëndetje, ju përgëzoj për punën e palodhshme dhe këshillat që i bëni. Unë, para 6 viteve kam pasur me sy, nuk mundesha t’i dalloja sendet (shkronjat, objektet me madhësi të ndryshme,) etj. I shikoj me vështirësi dhe shumë turbullt, nuk shoh mirë përtej një metri. Para 2 viteve kam vizituar një mjek në Shkup edhe ai në fillim më rekomandoi që të barti syze, syri i djathtë -1.75, ndërsa syri majtë -2.75. Tashti, kam bërë sërish një vizitë dhe mjeku më tha se është përkeqësuar gjendja e syve, syri i djathtë -2.75, ndërsa syri i majtë -4.75. Ai më rekomandoi operim me laser në dy sytë dhe më përshkroi këtë diagnozë: ats myopikus ou, anizometropija, ambliopia pd 65mm
Ju flm për mirëkuptim.

PËRGJIGJE:
I nderuar, së pari po të shpjegoj për diagnozat e dhëna nga mjeku: ju jeni shkurtëpamës – myopia (keni të pamur të mirë për afër, por nuk keni shikim të mirë për larg) dhe keni dallim të dioptrisë në mes dy syve (anizometropi), ndërsa nuk kam ndonjë të dhënë nga Ju për ekzistimin e ambliopisë (moszhvillim i të pamurit). Ju keni nevojë për syza dhe nëse nuk doni të barteni syza, atëherë mund të bëni intervenimin laserik i cili nuk bëhet për të shpëtuar syrin, por vetëm për të larguar dioptrinë (nëse të është preferuar LASIK-u ). Nëse ka menduar për ndonjë intervenim tjetër laserik apo ndonjë problem tjetër në syrin e majtë (ndryshime në retinë), atëherë duhet të bëni edhe një kontroll te ndonjë mjek tjetër i syve për të konfirmuar diagnozën dhe për të parë ndonjë ndryshim eventual në retinë (fundi i syrit).


Përshëndetje doktor. Jam 22 vjeçare kam problem me syrin e majtë, në disa raste më lëviz bebëza e syrit. Kam mbajtur syze po nuk ka ndikuar asgjë. As terapia nuk më ka ndihmuar. Me kohë po më duket që po vërehet më shumë, edhepse po mundohem të përqendrohem në shikim dhe ndonjëherë po më lëvizin shumë edhe qepallat e syve. Gjithashtu, ndodh që të kem dridhje të lehta të syrit. Desha të di, a ka shërim syri im? Me respekt.
Pres përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të përshkrimit tënd, nuk mund të kuptojmë saktë se për çfarë problemi kemi të bëjmë, sepse nuk e dimë se a kemi të bëjmë me ndonjë strabizëm (ikja e syrit), apo lëvizje të syve – Nystagmus, apo lëvizje të kapakëve – tic palpebralis. Nëse keni mundësi të më përshkruash diagnozën e mjekut të syve që të mund të të këshilloj më lehtë.


Jam 18 vjeçar nga Presheva. Syzat i mbaj që nga mosha 8 vjeçare. Po ju dërgoj një informacion të mjekut mbi gjendjen e syve.
Çka mund të bëni për mua, cila është mundësia, a është e mundshme që pas intervenimit tuaj të mos mbajë më syza? Ju lutem më informoni për mundësitë, më bëni edhe pyetje nëse jam i mangët në informim, ju lutem më ndihmoni!
Flm.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Nga dokumentacioni shihet se dioptria e juaj është mjaft e lartë dhe pothuajse nuk ka mundësi që të largohet në tërësi me anë të intervenimit laserik. Megjithatë, duhet të bëhen dy matje për të dhënë një përgjigje definitive: gjendja e dioptrisë në cikloplegji dhe topografia e kornesë.


E fejuara ime ka dhimbje në syrin e majtë, i ënjtet dhe nuk mundet ta qelë syrin të tërin. Këtë problem e ka tash e disa vite. Doktor, çka mund të jetë kjo dhe si të reagojmë?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Ekzistojnë disa shkaqe p.sh. infeksionet kronike, proceset purulente të kapakëve, reaksionet alergjike, lëshimet e kapakëve (ptoza me etiologji të ndryshme), lëndimet etj. Prandaj, më mirë është që të bëni një kontroll te mjeku i syve për të patur një përgjigje më të detajuar.


Përshëndetje stafit të Telegrafit. Ju uroj për punën e palodhshme.
Doktor Afrim, jam Armendi 28 vjeç, jetoj në Gjermani. Në te dy sytë kam disa, të them, pika të kafta (në të djathtin më e madhe, kurse në të majtin, më e vogël). Sytë më turbullohen shumë dhe me shumë damar .. nuk kam problem me shikim aspak, mirëpo më shqetësojnë shumë. Kam vizituar oftalmologun në Durrës, verën e kaluar, më ka dhënë antibiotikë Betabioptal, i kam përdor një kohë të gjatë, mirëpo pa sukses. Edhe tani nuk ndjej dhembje, as lodhje, mirëpo pikat edhe skuqjet ende janë! Çka më kishit propozuar ju doktor?
Me respekt, Armendi.

PËRGJIGJE:
I nderuari z Armend, në bazë të përshkrimit që bëni për problemin tuaj, unë mendoj se kemi të bëjmë me disa ndryshime pigmentuese, të cilat ne i quajmë si nevuse të conjunctives, të cilat përreth tyre kanë enë gjaku. Nëse nuk rriten në madhësi dhe nuk ndryshojnë ngjyrën (të bëhen më të errët), nuk ka nevojë për ndonjë trajtim, por mund të largohen kirurgjikisht për shkaqe estetike.


Përshëndetje, doktor, desha së pari t’ju falënderoj për mundësinë të cilën ia keni mundësuar opinionit të gjerë për përgjigjet të cilat i jepni me shumë profesionalizëm. Mua më brengos fakti se kam një vëlla, 17 vjeçar, që nuk ka pasur kurrë më parë probleme me sy, por tani ka kokëdhembje e pandalshme. Doktorët i kanë rekomanduar të bartë syze, kjo dukuri ka zgjatur një muaj, pasi koka e tij gjithnjë kishte dhimbje të pa imagjinuara. Mirëpo, edhe pasi filloi të bartë syze në fillim, kishte shumë problem të adaptohej me të, tani përsëri nuk po mund t’ bart syzat edhe pas 2 muaj. Si do ta këshillonit ju atë, pasi ai më shumë nuk i mban sesa i mban syzet. Ju faleminderit për mirëkuptim. Me respekt

PËRGJIGJE:
I nderuari z Meriton, kokëdhembja është një simptomë që mund të ketë shkaktarë të shumtë, por mund të vie edhe kur ka probleme me të pamur. Nëse mjeku i syve i ka përshkruar syze, ai me siguri ka nevojë për to, por nëse kokëdhembja vazhdon, ai duhet të kontrollohet edhe nga otorinolaringologu (për mundësinë e problemeve me sinuse) dhe te neurologu. Po ashtu, mendoj se ai duhet të bëj edhe një kontroll te mjeku i syve dhe të verifikohet edhe njëherë dioptria e tij dhe t’i mbajë syzet.


Përshëndetje, dua t’ju pyes se prej çfarë moshe mundem me mbajt thjerrëza. Tash i kam 16 vjeç, mbaj syze, por jam e interesuar për thjerrëza.
Respekt.

PËRGJIGJE:
Vendosja e lentave të kontaktit nuk kanë ndonjë moshë të kufizuar, ne ndonjëherë duhet të vendosim lente të kontaktit edhe te fëmijët. Në moshën tënde nuk paraqet ndonjë problem vendosja e lentave, por gjithmonë duhet të keni kujdes për mundësinë e infeksioneve dhe ju këshilloj që sa herë të keni skuqje të syve, mos t’i vendosni lentat dhe sa më shpesh të përdoreni pikat lot artificial, të cilat mund t’i siguroni nëpër barnatore.


Përshëndetje doktor. Jam 21 vjeçare, ka kohë që kam dhembje të pjesës së djathtë të kokës (afër 5 vite). Para një viti dhimbjet u bënë të paduruara, vizitova një mjek familjar, që më udhëzoj tek otorinolaringologu. Aty u diagnostikova me sinusitis maxilaris dhe devijim të septumit. Para 3 muajsh u operova për të rregulluar devijimin. Mirëpo, kokëdhimbja nuk më ka kaluar, ka 3 ditë që jam shumë e shqetësuar dhe nervoze...kam ndjenjën sikur vrima e djathtë e hundës më është tharë dhe po ashtu edhe syri i djathtë. Syri më skuqet dhe më duket sikur e tërë e skuqura sillet rreth një pike akoma më të skuqur...
Dhimbja është e padurueshme. Të lutem, më ndihmoni, të paktën të më orientoni a ka të bëjë me syrin apo nga infeksioni i sinusit.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, problemet me sinusit maxillar mund të ndërlidhen edhe me problemet që i keni në sy, por unë të kisha këshilluar të bësh një kontroll te mjeku i syve se në bazë të përshkrimit do të kesh nevojë për përdorim të terapisë. Operimi i devijimit të septumit mund të mos ketë larguar problemet me sinusit dhe për këtë arsye të kesh ende kokëdhimbje, kështu të preferoj të bësh edhe një kontroll te ORL dhe së bashku me mjekun e syve të zgjidhet problemi.


I nderuari doktor, a mund të shkruani diçka në lidhje me verbërimin në ngjyra (colorblindness). Çka në fakt është, llojet e tij dhe çfarë pasoja mund të ketë në personin e diagnostikuar me të, pasi që veç jam diagnostikuar si i tillë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje, çrregullimet e dallimit të ngjyrave në fakt janë problem gjenetik i cili trashëgohet nga babai te vajza dhe femrat janë bartëse, ndërsa paraqitet te meshkujt (ndërlidhet me kromozomin X). Ky çrregullim i trashëguar do të shkaktoje mungesë të disa qelizave (koneve) në makullë që janë përgjegjëse për të parë ngjyrat. Ekzistojnë konet për ngjyrë të kuqe, të gjelbër dhe të kaltër, varësisht cila mungon do të kemi problem për dallimin e asaj ngjyre. Llojet përcaktohen në bazë se cilën ngjyrë nuk e dallon: protanopia- nuk dallon ngjyrën e kuqe, deuteranopia – të gjelbrën, tritanopia – të kaltrën. Daltonizmi është term i gabuar se është marrë nga Daltoni, i cili nuk ka dalluar ngjyrën e kuqe. Sa i përket pasojave, unë i them pacientëve të mi të kenë kujdes në zgjedhje të profesionit, ndonjë pasojë tjetër nuk ka.


I nderuar doktor. Unë jam një pacient i juaji dhe para 4-5 muaj, jam diagnostikuar me miopi, dioptria që më keni caktuar është; -1.5 në të majtin, dhe - 1.0 në të djathtin dhe menjëherë i kam vënë syzet, por tani pas 4-5 muajsh e vërejë që vetëm sa më është rritur më shumë minusi. Kjo më bën të shqetësohem, sepse tani edhe pas vënies së syzeve me është rritur më shpejt sesa ka qenë e rritur qe 30 vite të moshës sime. Me respekt Avniu.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje z Avni, vendosja e syzave nuk shkakton zvogëlimin apo rritjen e dioptrisë, ato janë vetëm mjet ndihmës që ju të shihni më mirë. Nëse këtë e ke vërejtur se pas largimit të syzave po shihni më dobët sesa keni parë më herët, kjo nuk do të thotë se ju është rritë dioptria, por si është të pamurit me ato syza. Ju këshilloj që të bëjmë edhe një vizitë për të vërtetuar ndryshimin e dioptrisë.


Ka më shumë se një muaj që në syrin e djathtë, në bregun e kapakut të poshtëm, më është paraqitur si një lyth, i cili paraprakisht ka shpërthyer me qelb, kurse tani ka mbetur vetëm si kokërr dhe nuk po largohet. Nga mjeku më është thënë se është infeksion viral, i cili mund të zhduket me kohë, po qe se nuk zmadhohet. Diagnoza është: Status post hordeolum palp.inferioris. Çfarë mund të më thoni më shumë?
Bena.

PËRGJIGJE:
Në bazë të diagnozës që më keni shkruar, kemi të bëjmë me një infeksion bakterial (më së shpeshti nga stafilokoku) dhe pas trajtimit zakonisht largohet, por nëse kemi të bëjmë me një formacion në formë kokrre dhe është më poshtë se tehu i kapakut, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje e cila quhet chalazion, e cila nëse qëndron për një kohë të gjatë, duhet të largohet me një intervenim të lehtë.


Përshëndetje, ju përgëzoj për punën që po e bëni. Kam një problem, qe 2 muaj më është shfaqur një pikë e zezë, e shohë tërë kohën, sidomos vërehet më shumë në hapësira të bardha. Kur shikoj në sy, nuk vërehet asgjë, po kur shikoj tërë kohën, e kam
një lloj pike e po më shqetëson shumë.
Ju lutem të më tregoni pse është shfaqur edhe a largohet më ilaçe.
Jam 23 vjeçe.
Faleminderit. Pres përgjigje.

PËRGJIGJE:
Pika e zezë e cila është shfaqur te Ju, paraqitet në të shumtën e rasteve për shkak të ndryshimeve degjenerative të trupit qelqorë të syrit (një masë xhelatinoze e cila mbushë pjesën më të madhe të syrit), nuk paraqet ndonjë problem dhe nuk përshkruhet ndonjë terapi, por ju këshilloj që ta injoroni dhe të mos përqendroheni në atë pikë. Nëse kjo pikë shkon duke u rritur ose shtohen më shumë pika dhe mund të marrin edhe forma tjera (fije, rrjetë, etj.) atëherë, duhet të lajmëroheni te mjeku i syve për të bërë një kontroll.


Vëllai im është diagnostikuar në syrin e majtë me sëmundjen, siç quhet "syri dembel", dhe me të njëjtin sheh pak, kurse në syrin e djathtë ai mban syze me dioptri -0.5.
Desha t'ju pyes, a ka gjasa të përkeqësohet gjendja me kalimin e viteve. A ka mundësi
që përderisa vëllai sheh më shumë me syrin e djathtë ta dëmtojë edhe më shumë këtë anë të syrit. Ai tashi i ka 18 vjeç, kurse u diagnostikua para1 viti. Sëmundja e tij është e lindur, ashtu na thanë mjekët. Gjithashtu, a ka ndonjë mënyrë për t’u rregulluar, si psh
me operacion?
Shpresoj të më ktheni përgjigje.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar, “syri dembel” – ambliopia, nuk mundemi të themi se është një sëmundje, por
kemi të bëjmë me një ulje të mprehtësisë së të pamurit ose ngecje në zhvillimin e të pamurit pa pasur ndonjë ndryshim organik në sy. Te vëllai yt duket se kemi të bëjmë me një anomali refraktive (dallim i dioptrisë në mes dy syve), ku nuk pritet përkeqësim dhe nuk kalon në syrin tjetër, por nuk mundemi as të përmirësojmë në këtë moshë të vëllait tënd.


Përshëndetje doktor. Kam vajzën 13 vjeçe, të sëmurë nga sytë në të cilët i mblidhen lotët afër vrimës së kanalit dhe kohët e fundit, më shumë në njërin sy dhe ajo vazhdimisht bën shtypje në të ku i del lëng-lot. E kam pasur te mjeku i cili e ka kontrolluar nëse i ka kanalet e mbyllura dhe sipas asaj që i bëri, doli se nuk i ka të mbyllura, ka bërë edhe analizën nëse ka ndonjë infeksion, mirëpo, i doli se nuk ka, por ajo ende ka këtë problem edhe më tepër. Ka përdor terapi për sy që i ka caktuar mjeku para se të bëjë analizën, por s’ka pasur sukses. A mund të më thoni se çfarë mund të ketë dhe çka të bëjmë?

PËRGJIGJE:
Lotimi i shprehur është një gjendje e shpeshtë te shumë sëmundje të syrit (infeksionet, çrregullimet në gjëndrën e lotit, defekte në kapakët e syve, dëmtime të kornesë, mbyllje të kanalit të lotëve, etj). Ju, te vajza juaj paskeni kryer strishon e konjunktives dhe keni bërë shpëlarjen e kanaleve të lotit, të cilat kanë qenë në rregull, por kur ajo bën shtypje në nivel të punktes së lotit dhe del lëng, duhet shikuar për ngjyrën dhe trashësinë e atij lëngu se mos kemi të bëjmë me praninë e sekretit-qelbit. Mendoj se duhet t’i bëni edhe një vizitë te mjeku vajzës suaj.


Unë jam Nora. Gati para një viti më është mbyllur kanali nasolacrimal i syrit të majtë dhe syri më loton shpesh. Kam bërë shpëlarje të syrit disa herë, por kot. Pastaj kam bërë sondazh në Shkup dhe një muaj syri nuk më ka lotuar, por prapë pas një muaj filloi të lotoj.
Kam bërë analiza në të dy sytë, hundë dhe fyt, të cilat kanë rezultuar mirë..
Por, me kalimin e kohës, shikimi në syrin e majtë më është turbulluar dukshëm, isha te oftalmologu për syze, por ai më tha që nuk kam nevojë për syze, sepse ajo turbullirë më është shfaqur nga loti. Gjithashtu, kam përdorur pika në sy, por nuk më kanë ndihmuar aspak.
Tani dua të shkoj në Prishtinë, por desha t'ju pyes për këshillë: a është më mirë t'i nënshtrohem intervenimit kirurgjik, apo ndonjë metode me laser.
Kam dëgjuar për Klinikën Gjermane, ju lutem për ndonjë këshillë.
Ju faleminderit, Nora.

PËRGJIGJE:
E nderuara Nora, nga pyetja nuk e di moshën tuaj e cila ka rëndësi edhe për mënyrën e trajtimit të problemit tuaj. Sondimi bëhet nga mosha 1-4 vj., pas moshës 4 vjeçare duhet të kryhet intervenimi kirurgjik nëse është vërtetuar mbyllja e kanalit nasolakrimal.
Mund të vizitoni webfaqen e Klinikës Gjermane të syrit www.kgjs.net dhe mund të caktoni terminin për kontrollin bazë dhe pastaj të vendoset për trajtimin e mundshëm.


Jam 30 vjeçar jam nga Prishtina. Kam probleme me sy, po më skuqen, zakonisht kur jam i lodhur kam skuqje dhe irritim, sidomos, në syrin e majtë. Këtë problem e kam qe 15 vite, kam përdorur medikamente të ndryshme, por pa sukses. Më kanë thënë se problemi është konjuktivi, që me barna kalon. Fatkeqësisht, s’ka kaluar qe 15 vite. Kam qenë edhe në Suedi, ku më ka ekzaminuar mjeku, por më ka thënë që s’kam asgjë, sytë i kam tepër të ndjeshëm dhe asgjë tjetër.
A ka ndonjë ilaç që m’i lehtëson simptomat?

PËRGJIGJE:
I nderuar, skuqja e syrit është simptomë që shkaktohet nga shkaktarë të shumtë (infeksioni, alergjia, etj). Nëse mendojmë për konjunktivit, në të shumtën e rasteve përfshihen të dy sytë, nëse kemi të bëjmë me një ndjeshmëri më të shprehur të syrit tënd, atëherë mund të përdorni pika lot artificial, të cilat nuk kanë efekte anësore dhe mund të përdoren për një kohë më të gjatë. Nëse nuk keni përmirësim, atëherë të këshilloj të bëni një strisho konjunktivale apo testet e alergjisë dhe të konsultoheni prapë me mjekun e syve.


Përshëndetje. Kemi vërejtur tek djali ynë 7 muajsh se syri i majtë ndonjëherë po i kthehet pak më tepër kah ana e brendshme, sidomos kohëve të fundit. Kjo dukuri nuk është e pranishme gjithmonë, por e kemi përshtypjen se javët e fundit ka filluar të shpeshtohet. Pra, jemi të brengosur se ka filluar t’i paraqitet strabizmi. Pyetja jonë është se, a duhet që menjëherë ta dërgojmë për vizitë tek oftamologu dhe a keni ndonjë këshillë në lidhje me këtë dukuri?
Ju falënderojmë paraprakisht.
Me nderime, Burimi.

PËRGJIGJE:
I nderuar z. Burim, edhepse shpesh në muajt e parë të jetës te fëmijët fitojmë përshtypje të gabuar për ikjen e syrit (strabizëm), nëse kjo ikje është e shprehur dhe shpeshtohet, atëheëe të këshilloj që të bëni një vizitë të strabologu (mjeku i syve i cili merret me problemet e strabizmit), për të vërtetuar këtë dukuri dhe për të marrë këshillat e nevojshme për problemet që mund të shkaktojë ikja e syrit.


Unë i kam syzet qe 8 vite dhe tani jam 23 vjeçe, më është stabilizuar shikimi dhe dua të bëj një operim me laser. Kam miopi t mesme, me -3.5, në të dy sytë.
A mund të me tregoni më tepër rreth këtij intervenimi dhe keni ndonjë rekomandim për një klinikë private?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, për informata rreth intervenimit laserik për largimin e syzave, mund të klikoni në webfaqen www.kgjs.net ku keni mundësi të lexoni apo te shihni një video të shkurtër për mënyrën e intervenimit. Dioptria e juaj – 3.50, nuk duhet të paraqes ndonjë problem për t’u larguar, por preferohet që së pari të bëni një ekzaminim të syrit që të përcaktohet trashësia dhe topografia e kornesë tënde (Orbscan).
Mund të paraqiteni në Klinikën Gjermane të Syrit në Prishtinë, të merrni një broshurë ku keni të gjitha informatat tjera shtesë për intervenimet laserike në kirurgjinë refraktive.


I nderuar doktor, e kam djalin 14 vjeçar, para disa ditësh pas një kontrolli rutinor nga mjeku i shkollë, i është thënë se ka problem, me të pamur. Djali im nuk ka mundur t’i dalloj dy rreshta e fundit të testit.
Unë, si prind, kam marrë informatën se duhet ta dërgoj djalin tim te mjeku i syve për një kontroll. Jam i shqetësuar, nuk po di, çka ka mundur të ndikoj që ka ardhur deri te dobësimi i syve?
Po të jap edhe një informacion më tepër për djalin tim. Më 4 maj, djali ka pasur një sulm, diçka i llojit epileptik të shkurtër në gjumë, dhe, pasi e kemi dërguar në spital, mbas 4 orëve e ka pas tjetrin sulm. Simptomat kanë qenë, pengesa në frymëmarrje, lëvizje të duarve dhe këmbëve, humbje e vetëdijes, por shkurt, ndoshta 1-2 min.
Herën e fundit djali ka pas të njëjtin sulm më 7 qershor.
Unë të kërkoj falje për kohën që ua marrim, dhe nëse më jep ndonjë informatë, do të jem shumë mirënjohës për këtë.
Të faleminderit dhe të uroj gjithë të mirat.

PËRGJIGJE:
I nderuar, për shkak se djali i juaj nuk ka arritur të shohë dy rendet e fundit gjatë kontrollit rutinor në shkollë, preferohet të bëhet një kontroll në ndonjë klinikë të syve për ekzaminime shtesë të syrit. Në këtë rast mendoj se, kemi të bëjmë me ndryshime refraktive (nevojë për syze) dhe është pak e mundur të jetë e lidhur me sulmet epileptike, por për çdo eventualitet duhet të shihet edhe fundusi i syrit për ndonjë ndryshim të mundur.


Jam një vajzë 25 vjeçe. Kur kisha 3 vjet, pas një rrëzimi më është shtrembëruar syri i djathtë. Pas një konsulte me një mjeke, ajo u kishte thënë prindërve të mi që nuk është asgjë dhe që kjo me siguri është trashëguese. Që prej atëherë, as kam pasur syze, e as ndonjë trajtim. Pasi kam kuptuar që s’kam lindur me syrin e shtrembër, vendosa të bëj një kontroll. Jam kontrolluar te tre mjek të ndryshëm, dy prej tyre më kanë thënë që mund të bëjnë drejtimin me laser vetëm për estetikë, sepse sipas tyre për shërimin e tij tashmë është vonë, kurse njëri më tha që edhe nëse e rregulloj drejtimin, pas një kohe, syri sërish merr formën e mëparshme. Unë nuk kam kurrfarë problemi me shikim. Doktor, ju kisha lutur që të më jepni një këshillë. E pres përgjigjen tuaj. Flm për ndihmën që po na bëni.

PËRGJIGJE:
Meqenëse ju shtrembërimin e syrit e keni vërejtur në moshën tre vjeçare dhe se shkakun të cilin e japin prindërit dhe ndonjëherë vet pacienti, nuk është i drejtë. Duhet cekur se në shumicën e rasteve paraqitet nga lindja dhe shkaktarët janë të shumtë. por mund të shfaqet edhe më vonë. Por, e rëndësishme për Ju është që nga vizita që keni pasur te mjekët e syve duhet të dihet se sa është i zhvilluar të pamurit, kur dihet se ekziston mundësia që për shkak të shtrembërimi të syrit të kemi ngecje në zhvillimin e të pamurit (ambliopia). Sa i përket intervenimit, ai mund të bëhet (por, jo në mënyrë laserike) dhe në moshën që jeni, ka vetëm qëllimin estetik.


I nderuari doktor. Ka kohë që më shqetëson një problem me sy, kam disa kokrra të bardha yndyrore në brendësinë e syve, në pjesën e poshtme dhe të epërme. Kur të zgjohem, si zakonisht i pastroj sytë, por gjatë ditës më paraqiten skurbula vazhdimisht dhe bëhem sikur nuk i pastroj sytë fare. Nganjëherë kam edhe skuqje të syve, më kruhen. Kam qenë njëherë te doktori dhe i kam larguar disa kokrra me gjilpërë, por prapë më janë paraqitur. Ju lutem, pres përgjigjen tuaj. Sabiti.

PËRGJIGJE:
I nderuari Sabit, sa i përket konkrementeve të bardha që i keni në brendësinë e kapakëve, te ne në oftalmologji, njihet si conjunctival lithiasis, e cila në shumicën e rasteve nuk paraqet problem dhe nuk trajtohet, përveç se në rastet kur shkaktojnë irritim dhe jep ndjenjën e trupit të huaj, atëhërë mund të largohen. Por, në rastet kur përcillet me paraqitje të sekretit (skurlubave) dhe skuqjes së syve, atëherë duhet të mendojmë për një infeksion të mundshëm, i cili duhet të trajohet. Ju këshilloj për një vizitë te mjeku i syve dhe të përshkruhet terapia adekuate.


Përshëndetje i nderuar doktor. Jam 16 vjeçar dhe barti syza qysh prej 11-12 vjeç. Në fillim e kam pasur dioptrinë -1.25 në njërin sy dhe në tjetrin -1.75 për larg, dhe pas disa kontrolleve, doktoresha e ka rritë dioptrinë në 2.25. Prej atëherë, unë nuk kam vërejtur asnjë ndryshim në sy. Unë ju pyes juve, se a korrigjohet kjo dioptri që të mos mbaj më syze. Tjetër, operacionet laserike a janë të rrezikshme për sy dhe sa mund të jetë suksesshëm? Ju përshëndes, Bujari. Ju lutem, kthejeni përgjigjen.

PËRGJIGJE:
I nderuari Bujar, dioptria juaj shënohet si një miopi shkollore (shkurtpamësi) dhe që futet në grupin e miopive të vogla. Sa i peëket ndërrimit të dioptrisë që ka ndodhur te ju, kjo gjë është e mundur në moshën që e keni dhe ekziston mundësia e largimit të dioptrisë me anë të intervenimi laserik, por jo para moshës 18 vjeçe. Intervenimet laserike refraktive (LASIK, PRK, LASEK, etj) kanë marrë hov në vitet e nëntëdhjeta me futjen në përdorim të Exscimer-laserit, i cili është aprovuar nga organizatat relevante. Dioptria juaj nuk parqet ndonjë problem për t’u larguar, por paraprakisht duhet të bëhen disa matje më specifike për të përcaktuar saktë mundësinë e intervenimit laserik (te ju është pengesë mosha) dhe të përcillet ndryshimi i dioptrisë gjatë viteve. Për më shumë për intervenimet laserike në sy, ju këshilloj që të vizitoni webfaqen www.kgs.net.


Përshëndetje doktor. Unë kam një djalë 4 muajsh. Në një kontroll që e kam pasur tek mjeku i syve jashtë Kosovës, më kanë sugjeruar që ta bën analizën VEP (Visual Evoked Potential). Të lutem, a mund të më këshillosh se a bëhet kjo analizë këtu në Kosovë, apo zgjidhjen për momentin duhet ta kërkoj vetëm diku më larg. Me respekt, Vedati.

PËRGJIGJE:
I nderuari Vedat, unë nuk po e di diagnozën e djalit tuaj, por për fat të keq analiza e VEP, për momentin, nuk mund të bëhet në Kosovë.


Përshëndetje doktor. Unë që 25 vite mbaj syze, jam miope. Në syrin e djathtë -3.5, të majtin-1.5. Gjatë vitit 1999, si pasojë e traumave të luftës, jam diagnostikuar me glaukomë, dmth tension të syrit. Diagnoza: anisomyopia et glaucoma ang .chronicum comp. Zakonisht, tensioni i syrit është 19-22 . I përdor pikat Equiton 0.5%, 4 herë në ditë. Kur punoj me kompjuter, e vërej se sytë janë të ënjtur, ndjej lodhje dhe kur t’i përdori pikat, sytë më djegin shumë. Prej pikave rreth syve, lëkura bëhet e vrazhdë, dhe për atë arsye, kam përdorur kremin hidrocortizon, por vetëm rreth syve, se ajo ndikon në glaukomë. Nuk mund të qëndroj në hapësira ku është terr dhe ku ka zhurmë, se më vjen të vjell.
Nita.

PËRGJIGJE:
E nderuara Nita, për dioptrinë që keni duhet të mbani syze, por problemi më i madh është diagnoza e glaukomës, e cila duhet të merret me një seriozitet të madh. Këtë po e them për shkak se në Kosovë sëmundja e glaukomës neglizhohet shumë, si nga ana e pacientëve, ashtu edhe nga ana e mjekëve dhe për këtë shkak, një numër i madh i pacientëve, tek ne, vijnë në fazën e fundit. Për diagnostikimin e glaukomës, ekzistojnë disa kritere që te ne shpesh anashkalohen dhe për të treguar se vetëm rritja e presionit intraokular, nuk do të thotë se ju keni edhe glaukomë (kjo është shumë me rëndësi). Juve, ju këshilloj, që të bëni profilin ditor (të matet tensioni i syve disa herë brenda ditës), të bëhet perimetria (fusha vizive), të shihet këndi iridokorneal (gonioskopia) dhe të fotografohet fundusi i syrit për ndryshimet eventuale në papillën e nervit optik.


I nderuar doktor. Kam një problem me sytë, më skuqen dhe kam kruarje në të dy këndet e kapakëve të syve. Poashtu, më bëhen vija-vija të kuqe në të bardhën e syrit. Këtë e kam përgjatë gjithë verës dhe më bëhen çdo vit, po në këtë periudhë.
Në pritje të përgjigjes, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Skuqjet dhe kruarjet e syrit janë shumë të shpeshta, sidomos në muajt e verës. Zakonisht janë të padëmshme dhe shkaktohen nga të nxehtit, pluhuri, djersa, lodhja, etj. Këto janë kaluese dhe pushimi, shpëlarja me ujë të zakonshëm, apo vendosja e pikave lot artificial, i ndihmon sytë. Nëse edhe pas këtyre vazhdojnë ankesat, atëherë mund të bëni një vizitë te mjeku i syve apo te alergologu për shkak të mundësisë të keni ndonjë alergji ose ndonjë infeksion të syrit.


Jam 18 vjeçar nga Presheva. Syzat i mbaj që nga mosha 8 vjeçare. Po ju dërgoj një informacion të mjekut mbi gjendjen e syve.
Çka mund të bëni për mua, cila është mundësia, a është e mundshme që pas intervenimit tuaj të mos mbajë më syza?
Ju lutem më informoni për mundësitë, më bëni edhe pyetje nëse jam i mangët në informim, ju lutem më ndihmoni!
Flm.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Nga dokumentacioni shihet se dioptria e juaj është mjaft e lartë dhe pothuajse nuk ka mundësi që të largohet në tërësi me anë të intervenimit laserik. Megjithatë, duhet të bëhen dy matje për të dhënë një përgjigje definitive: gjendja e dioptrisë në cikloplegji dhe topografia e kornesë.


Përshëndetje. I nderuar doktor, kam këtë diagnozë:
Papillitis n . optici
vod=0,2sc, vos 0,8sc
fod =p.n.o në pjesën temporale tufa papillomakulare edematoze.
Pjesa makulare dhe retina periferike pa ndryshime patologjike.

Jam trajtuar me tableta Pronison dhe B-complex.
Pres mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Në bazë të diagnozës, ju jeni trajtuar në mënyrë të duhur, pra me kortikosteroide dhe terapi vitaminoze. Duhet të keni parasysh që te inflamacionet e nervit optik (papillitet), me rëndësi është që dëmtimet mos të vazhdojnë pasi mund të jenë të rënda.
Gjendja duhet të përcillet, ashtu që duhet të shikohet gjendja e nervit optik (a ka kaluar edema), poashtu të pamurit dhe fusha vizive (perimetria).


E fejuara ime ka dhimbje në syrin e majtë, i ënjtet dhe nuk mundet ta qelë syrin të tërin. Këtë problem e ka tash e disa vite.
Doktor, çka mund të jetë kjo dhe si të reagojmë?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Ekzistojnë disa shkaqe p.sh. infeksionet kronike, proceset purulente të kapakëve, reaksionet alergjike, lëshimet e kapakëve (ptoza me etiologji të ndryshme), lëndimet etj. Prandaj, më mirë është që të bëni një kontroll te mjeku i syve për të patur një përgjigje më të detajuar.

 

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.