Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci- neuropsikiatër

20:58 / 27.04.2013
Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com. Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508


Jam një djalë 22 vjeçar, ka kohë që vuaj nga ankthet, ato janë valë-valë, herë vijnë e herë zhduken. Më kanë krijuar shumë fobi. Tash më janë kthyer dhe ndihem shumë i mërzitur dhe i deprimuar. Nganjëherë më doket që nuk e njoh veten time në pasqyrë. Kam mendime absurde për jetën. Rri gjithë natën zgjuar dhe gjatë tërë ditës jam i fjetur. Më duket që jam duke u çmendur. Nganjëherë kur flas më duket që nuk e njoh zërin tim. Po më duket jeta sikur një ëndërr, më kanë humbur të gjitha shpresat. Shumë shpesh djersitem, më duket që as anëtarët e familjes nuk i njoh. Përndryshe, unë jam si karakter shumë gazmor edhe i hareshëm. Gjitha këto i mbaj fshehur, por më duket që një ditë, do te eksplodoj, nuk e di se prej nga më vijnë mendimet. Kam pasur edhe mendime për vetëvrasje, por është një gjë që nuk do ta bëj për hatër të familjes sime.
Kur zgjohem nga gjumi më duket që nuk jam vetja ime. Drita më pengon edhe natën vë syza të diellit. Në sjellje jam shumë i mirë dhe askush nuk e dallon që diçka nuk është në rregull me mua.
Nëse keni mundësi për ndonjë këshillë të mundshme, sepse më është mbushur kupa... a do të kalojnë këto një ditë? A mund të kalojën pa terapi, sepse kam dëgjuar që hapat kanë shumë efekte anësore në tru dhe frikohem që t’i përdor. Gjumin nuk mund ta rregulloj, sepse është pikërisht dita ajo që më sjell më së shumti ankth. Ju jam mirënjohës, nëse më jepni sadopak ndonjë këshillë dhe shpresë. Ka afër 4 muaj që ankoj nga këto simptome të lartpërmendura. Dhe ka afër 6 vjet që vuaj nga paniku, nuk e di ndoshta këto janë pjesë të jetës sime. Antidepresivë kam përdorur një kohë, pa terapi të mjekut, vetëm nga leximet në internet Zoloft, por nuk më ka ndihmuar fare, madje më duket që ma ka rritur ankthin.
Faleminderit shumë doktor.

PËRGJIGJJE:
Këto telashe që i keni bëjnë pjesë në atë që quhet çrregullim i ankthit, herë-herë edhe fenomene që nuk ju duket vetja ai që duhet të jeni. Ka në ankthin tuaj edhe depresion edhe elemente të fobisë. Këshilla ime është që të hapeni, të bisedoni lirshëm, shikoni nga bisedat tona së bashku, ku ka shumë persona me simptome të njëjta, të cilat duhet njohur psh. që janë ankth, frikë pa një objekt, jo reale e drejtuar e shtrembëruar që keni ”të meta” “sëmureni” ose që nuk jeni vetja e juaj. Kur të njihen edhe munden. Nëse nuk largohen me sjellje dhe inkurajim për inekzistencën reale të tyre, atëherë duhet të bisedoni me psikiatrin. Zoloftin e keni qëlluar, por është dashur ndoshta me marrë me ndonjë anksiolitik. Ka qenë problemi te doza, tjetër problem i suksesit është përkrahja terapeutike- një psikoterapi e lehtë.


Përshëndetje i nderuar Dr. Drevinja. Djali im 6 vjeçar, ndonjëherë zgjohet nga gjumi, pa vetëdije, i frikësuar duke qarë e duke bërtitur. Kjo gjendje zgjatë 2-3 minuta apo deri sa ta zgjojmë nga gjumi, sepse tërë kohën ai është pa vetëdije. Pasi të kalojë kjo "gjendje" vazhdon të flejë normal. Të nesërmen kur e pyesim se ç’kishte ndodhur mëe të, ai nuk mban mend asgjë. Ky shqetësim i paraqitet ndonjëherë kur është i lodhur, kur behët nervoz nga ndonjë bashkëmoshatar i vet apo nëse e qortojmë unë apo gruaja ime. Kjo ndodhë në fillim të mbrëmjes, 1-2 orë pasi të bie në gjumë. Përndryshe, është fëmijë normal, vijon klasën e parë, bile është nxënësi më i mirë në klasë.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, problemi me gjumin te fëmija prej vitit të tretë, pesë, e tutje, gati se është i parëndësishëm për shpjegimin e raportit të fëmijës me prindërit dhe me rrethin. Gjumi është një proces i ndërlikuar i neuroneve-trurit, duke u aktivizuar qendrat e gjumit ne iu themi: rem dhe nonrem. Mendohet që disa çrregullime të gjumit ndodhin nga aktivizimi i këtyre qendrave, respektivisht prishja e radhës së aktivizimit ose dominimi i njërës, sidomos rem fazës, ndaj nonrem, etj. E këto kanë si reperkusione disa shqetësime që quhen kriza-frikë e natës. Lajmërohen pas dy ose tri orë gjumi. Psikologët thonë se është shprehje e ankthit infantil. Nga ana tjetër, truri i fëmijës është mjaft vulnerabil dhe i papjekur, kështuqë këto manifestime pritet që të largohen vet. Te fëmija juaj vërtet nuk ka vend për shqetësim se ka çrregullim. Ju vet po e thoni se kjo ndodh kur fëmija është më i lodhur ose i ngarkuar me problemet e ditës. Kjo është e tëra, reperkusione të ngarkesave ditore, si frikë në pjesën e parë të gjumit. Funksionimi i djaloshit, suksesi në shkollë, nuk lënë dilema se të mendoj diç të parregullt tek ai. Suksese.


Jam 25 vjeç dhe kam shumë shqetësime që nuk e di nga vijnë! Kam bërë kontrolle për zemrën, mushkëritë, etj. Megjithatë, vazhdoj të kem këto shqetësime, si: shtrëngim në gjoks, marrje mendsh, mezi marr frymë, më duket sikur po mbytem. Zemra, ka momente që më rrah shpejt, kam djersitje në duar, në këmbë dhe në gjithë trupin, në qafë. Tek pjesa e barkut kam shumë rrahje... pulsim (bum, bum) Nuk di si ta them, sidomos në drekë kur shtrihem, i kam këto rrahje, ndërsa gjatë ditës nuk e vë re këtë pulsim në trup. Dhe, pas një ndeshje futbolli, vazhdoj të kem vështirësi në frymëmarrje dhe të kem marrje mendsh! Këto shqetësime i kam patur dhe para dy viteve kur lash duhanin, por tani më janë rikthyer sërish. Mjekët thonë që është nervore, psikologjike. Kam humbur besimin në vete, në internet kam lexuar për atakun e panikut.
Ju lutem, një përgjigje do të më ndihmonte shumë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Të gjitha këto që i ke thënë, kanë mjaft elemente të ankthit të gjeneralizuar. Vërtet ndiheni i pakënaqur, i pasigurt, me gjithë telashet tjera, që ne themi - probleme vegjetative, si të rrahura që ti i ndien (bum, bum), frymëzënie, ataqe paniku, ndoshta lodhje, djersitje, vullnet të keq, etj.
Për të gjitha këto e ke çelësin vet...rrite vetëbesimin, sepse njëherë e ke pasur, të ka kaluar, të kalon sërish. Në një mënyrë, jeni mjaft i ndjeshëm dhe ndoshta në pamundësi që të punosh, të kesh ndonjë angazhim dhe mos të kesh kohë për të menduar për sëmundjen, që nuk është fare sëmundje. Vetëm është angazhim i madh me vetveten. Kanë të drejtë atë që iu kanë thënë se është psikologjike, psikike, funksionale. Duhanin duhet sërish ta ndërprisni. Të ndihmon vetëm rikthimi i besimit, bindja se këto janë preokupime të pazakonta dhe pa bazë në trupin tënd. Ti do t’ia dalësh, do të gjesh frymëzim, guximin e keni. Nëse nuk mund ta përballoni këtë gjendje, përdorni Escitalopram 5 mg, në mëngjes, Diazepam dy herë në ditë nga 2 mg, jo gjatë. Nëse kohën e preokupimit me “sëmundjen”, e mbush me aktivitete fizike, punë, lexim, ecje atraktive, kjo gjendje do te mbetet një sikur një ëndërr e keqe.


Jam një vajzë 21 vjeçare dhe kam Dg: Humbje së Lordozës të shtyllës C4. Kam këto shenja klinike: dhimbje të kokës në anën e prapme, ushtimë në vesh, pagjumësi, harrojë shumë, kam mbet mbrapa me mësime në fakultet. Të gjitha këto më shkaktojnë shumë probleme. Kam qenë në Shtëpi të Shëndetit, kam bërë disa fotografime dhe më ka dalë shtrembërim i shtyllës C. Kam vizituar psikiatrin dhe më ka dhënë Lexilium, Bensedin, por s’më kanë ndihmua. Kam qenë edhe te mjeku popullor në Shtime me do barna popullore, por pa ndonjë ndryshim. Kam qenë edhe tek një mjek popullor, po ashtu pa sukses. Doktor, a ke ndonjë ide ku të drejtohem.
Faleminderit.

PËRGJIGJE
Harresa është në saje të preokupimeve tuaja rreth problemit aktual me shtyllën kurrizore, ankthin, kompleksin e sidomos nga dhembjet, ushtima në kokë, etj. Kërkoni këshillën e mjekut ftiziatër. Ai do t’ju këshilloj si të “kompensoni” humbjen e e lordozës. Nëse nuk mund të shkoni tani, deri atëherë merrni myoflex tab 2x1 dhe ponstan tab. kur keni dhembje. Kompleksin dhe ankthin duhet që ta zëvendësoni me vullnet dhe diskonim më të mirë.


A mundet mjeku gjinekolog gjatë shtatzënisë të vërej anomali të ndryshme në trurin e frytit, respektivisht a mund të vërej Dg.Sy.Dandy Walker? Nëse nuk është e tepërt, na tregoni se cilat anomali të frytit mund t’i vërej mjeku gjatë shtatzënisë? Paraprakisht ju falënderoj.

PËRGJIGJE
Është e vërtetë që gjinekologu kah fundi ose pas muajit të tretë me UZ e konstaton Sindromin D. Walker, që paraqet anomali të trurit, si hidrocefalus, zgjerim të ventrikulit të katërt të trurit, pazhvillueshmëri te disa pjesëve tek truri i vogël, ciste të ndryshme në pjesët e pasme të trurit. Këta fëmijë mund të kenë prapambetje mendore. Shkaqet kryesisht janë të panjohura, dyshohet në problemet kromozomale, virale, alkooli, diabeti, etj. Konsultimi është i domosdoshëm me mjekun tuaj për hapat e mëtejmë.


Jam një djalë 17 vjeçar. Asnjëherë nuk kam vizituar ndonjë mjek për këtë gjë. Skuqem kur bisedoj me vajza ose kur ulem me to dhe pas një kohe filloj të djersitem, poashtu kur jemi grup shokësh kur filloj të tregoj ndonjë gjë, skuqem. Frikësohem kur profesorët më pyesin dhe dalëngadalë filloj të skuqem. Kjo më pengon shumë, më vije turp se po më shohin shoqëria dhe uli kokën kinse jam lodhur ose më dhemb koka. Kur hy në klasë deri sa të përfundon mësimi s’mund ta largoj nga koka se do skuqem.
Të lutem doktor, më këshilloni për ndonjë tabletë, sepse kjo gjë po më pengon shumë. Ju faleminderit shumë. Zoti ju shpërbleftë.

PËRGJIGJE:
I nderuar, kemi shkruar mjaft për fobinë sociale, është pikërisht ajo. Provoni të mos skuqeni, merrni gjërat si janë, ti tash je goxha djalë dhe skuqja nuk të rri. Është ndjenjë e keqe, të pengon, zbutet dhe kalon duke e njohur. Nëse paraqitet në shkollë më shpesh, të vjen nga respekti i tepërt që ke për profesorët në klasë. Pastaj ti mendon se të gjithë të vërejnë kur djersitesh. Është e kundërta, askush nuk të vëren, vetëm se të rritet ankthi, droja kot, sepse ti ia del mësimit edhe pse djersitesh. Provo të flasësh, të bësh shaka dhe dil më në sipërfaqe, ne të gjithë piqemi vetëm në interaksion me njeri-tjetrin. Kjo skuqje të kalon, ushtro ta tejkalosh, kur je më me pak shokë. Pastaj edhe kur ka më shumë njerëz aty, merre fjalën pa hezitim, trego barsoleta, do ta braktisësh skuqjen, gjithsesi. Nëse dalin vështirësi, fol me psikologun tënd ose psikiatrin.


Kam një djalë 11 vjeç. Deri në 3 vjet, ka folë normal. Prei asaj kohe ka pengesë në të folurit, kur donë me fol diçka merr frymë thellë, sikurse i bllokohet në fyt dhe nuk mundet me shprehë atë që do ta thotë.
E kemi pasur te disa mjek, por pa ndonjë sukses. Para 3 vjetësh, e kemi pas te një mjek në Vrajë. Ai ka thënë se ndjali ka pas një frikë që i ka ndikuar në të folurit. Ai, poashtu na ka sugjeruar që ta dërgojmë djalin në Kosovë për të ushtruar çdo ditë nga dy orë te ndonjë mjek që merret me këtë profesion.
Por, kushtet tona nuk mjaftojnë për t’a mjekuar djalin. Për momentin, ai ka shpesh temperaturë, kokëdhimbje, bëhet nervoz pa nevojë, i dhëmbin bajamet e treta.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Duhet ta kontrolloni djaloshin tek otorinolaringologu dhe defektologu këtu në QKUK. Nëse nevojitet ndonjë kontroll, plotësim ekzaminimi, neuroimazheri nga neurologu me siguri që ai do ta kërkoj. Të përjashtohen njëherë si i themi ne pengesave organike, pastaj ushtrimet e të folurit, këshillimet e familjes bëhen nga defektologu dhe psikiatri i fëmijëve. Mos hezitoni, të gjitha vizitat dhe konsultat në klinikë kryhen pa pagesë.


Jam 21 vjeçare. Jam bërë vesvese, mendoj vetëm për vdekjen, sidomos në mbrëmje. Kudo që më dhemb mendoj që do të vdes. S’vë gjumë deri në orët e vona, edhe kur të bie në gjumë, zgjohem, mendoj gjëra të kota, ndonjëherë më kap ankth dhe prindërit kur flenë, sidomos nëna, shikoj a merr frymë dhe mendoj që prindërit e mi mund të vdesin. Këtë gjendej e kam prejse e kam parë një të afërme timen të vdekur dhe prej atëherë më ka mbet një lloj traume. Flas nganjëherë me vete dhe pa e thënë një emër te një personi nuk mundem. Në fakultet kjo s’më ndodh, por kur kthehem në shtëpi mendoj se si kam kaluar dhe ndoshta do të vdes.

PËRGJIGJE:
Mjaft e lehtë, ti vajzë ke ankth, frikë nga vdekja. Është e vërtet edhe ajo që e ke pa të afërmen tënde duke vdekur, je traumatizuar, e ke përjetuar shumë rëndë. Vazhdo ta kuptosh se nga frika, droja, ankthi, problemet me frymëmarrjen në bazë psikike nuk vdiset. Kështu, duke e njohur këtë problematikë dhe dilet, braktiset ankthi i tillë. Vdiset vetëm kur të vijë koha, mosha e shtyrë me sëmundje normale të pleqërisë. Me 21 vjet duhet të punosh shumë, të merresh me punën tënde. Nëse nuk mund ta arrish vet të dalësh nga kjo amulli, mund të përdorësh nga gjysmë tablete starcitin 20mg pas mëngjesit dhe bensedin 2 mg dy herë në ditë dhe një para ose gjatë panikut “se mund të ngulfatesh ose nuk mund me dal nga vendi i caktuar” (e gjitha kjo në mendjen tënde, jo në realitet). Kjo nuk është e metë, mos e fsheh! E kundërta të qon më herët te suksesi. Nëse kjo nuk jep sukses pas katër javësh, duhet të paraqitesh tek psikiatri ose psikologu.


I nderuar Doktor, me shumë dëshirë lexova këshillat tuaja , prandaj vendosa të të shkruaj edhe unë. Jam nga Prishtina, 20 vjeçar. Qysh në moshën 13 vjeçare kanë filluar të më zbardhen flokët, vuaj nga vesveset. Jam nervoz, më bën përshtypje shumë mendimi i të tjerëve, e lodhi kokën me sende palidhje. Jam vesvese edhe në pastërti, mërzitem shumë për moshën që e kam, mendoj shumë për kohën e kaluar, për sendet që nuk i kam më dhe që kam mundur t’i kem. Disa herë kam menduar të bëj vetëvrasje.
Doktor, dua të di prej çka vuaj dhe çka më rekomandoni.
Pres përgjigjen tënde duke të uruar të gjitha të mirat në jetë.

PËRGJIGJE:
I nderuar, duhet të jesh më i fortë, frikacakët nuk dëshirojnë me u sfidua, jeta duhet jetuar. Ti nuk ke asnjë të metë me qenë pa rrugëdalje. Zbardhja e flokëve nuk të prish punë, në vitet e tuaja e bëjnë edhe si kiç, jo si brengë. Pastërtia e tepërt që të merr kohë dhe të pengon quhet frikë nga sëmundja, dmth nga infeksioni i imagjinuar, i paqenë. Në rregull që kërkon më shumë, por së pari puna, rezultat vijnë pastaj. Kthehu pak nga historia e familjes, shiko si babai juaj i ka përjetuar gjithë ato sfida. Të gjitha vijnë me kohën. Mendimet për vetëvrasje duhet larguar me mendimet për jetën, për kënaqësitë, për të arriturat dhe misionin e çdonjërit nga ne. Kemi ardhur në këtë botë me u zhvilluar, me ndihmuar të tjerët, me i ngrit fëmijët, me bërë sa më shumë vepra të mira. Duhet ta kthesh vetëbesimin dhe mendimet e mira; se ti mundesh, vlen, do t’i tejkalosh të gjitha. Hapu, bisedo me shokë, me prindër. Gjithçka mbetet sekret edhe nëse bisedon me psikiatrin.


Përshëndetje doktor. E kam një problem, qe dy vite rri shumë e stresuar, nervoze, shumë shpejt bëhem nervoz për gjëra pa lidhje, të vogla. Fillon koka të më dhemb, zhurmën se përballoj, tashti kam problem edhe me frymëmarrje. Kam qenë në lidhje me një djalë dy vjet, para një viti jam ndarë. Sa kam qenë me të kam ndryshme. Një kohë është sjellë shume keq me mua, më ka rrah, më ka maltretuar, s’kam mundur të regjistrohem në fakultet. Dy herë kam dështuar, s’mund të koncentrohem për kurrgjë, gjithnjë mendoj keq për veten. Jam 19 vjeçare, po ka dëshirë të jem me një djalë, por po frikohem shumë. Po rri vetëm në shtëpi , rrallë dalë, rri vetëm në vende të mbyllura, mendoj keq për veten. Kjo po më shqetëson. Të lutem, pres ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
E kuptoj në tërësi zhgënjimin tënd, mosbesimin në vetvete, ama nuk keni humbur çdo gjë. Keni vetëm 19 vjet, keni inteligjencë normale. Për regjistrim në fakultet keni kohë të provoni, të përgatiteni më fort. Pakëz e keni nënçmuar veten, keni lejuar që djaloshi t’u fyej, nuk është dashur të shkoj deri aty puna! Tash mundohuni ta mbani të dashurin tjetër, por duke vepruar më me mençuri. Suksesi dhe mossuksesi gjenden në kokën tuaj. Suksese në studime, më pastaj vijnë rezultatet, diploma dhe djem plot.
Merrni diazepam 2mg kur të jeni e shqetësuar, por jo gjatë. Bisedo me psikologun.


Jam Nora dhe kam një problem. Kur qëndroj jam e qetë, por kur hapet dera, frikësohem, por edhe kur dëgjoj zhurma, zemra më kërcen. Nuk e di pse gjithmonë kam frikë...

PËRGJIGJE:
Ka mundësi që në të kaluarën (në fëmijëri) keni përjetuar frikë të madhe, kur është hapur dera. Përpiquni ta rikujtoni dhe të zbrazeni nga ajo frikë e deponuar diku në pjesën e pavetëdijshme.


Përshëndetje doktor Fahri. Jam 26 vjeçar, i martuar dhe kam një fëmijë. Problemi im është se kam depresion. Para rreth një viti e kam ndërpre pirjen e duhanit, diku pas nja 2 muajve pata një depresion i cili shpjegohet në këtë mënyrë: Merakosesha për gjërat q nuk i kam bërë mirë në të kaluarën edhe për gjërat që ndoshta nuk mund t’i kryej si duhet në të ardhmen, për kohën që më ka kaluar (edhe për gjëra të parëndësishme). Kjo më bënte të mos flej i qetë dhe të mos ushqehesha mirë (pagjumësi dhe anoreksi). U vizitova dhe doktoresha me këshillat e saja më ndihmoi shumë dhe me një antidepresiv (më duket citalopram) të cilin e kam përdorë për 3 muaj derisa mendova se e kam kaluar komplet stresin dhe depresionin. Tash para rreth 2 muajve kam pas një intervenim (heqje dhëmbi) te stomatologu ku edhe më ka ra të "fikët" dhe nga ai moment unë ndjej pasiguri dhe ndjenjën se në çdo moment mundet me më ra të fikët edhe pse më nuk ka ndodh. Kam fobi nga dentisti dhe nga vendet ku duhet të rri kohë të caktuar pa mudësi me dalë kur të dua unë. Para pak kohe në një aksident ka humbur jetën një i afërm dhe nga ai moment m’u ka kthyer depresioni, pagjumësia, anoreksia dhe mungesa e vullnetit për punë e për gjithçka. Kur e kam vizituar fëmijen tek pediatri, i tregova për gjendjen time dhe më këshilloi Bedoxin B6 dhe Lexilium 1.5mg. Ndjej se më është përmirësuar gjumi dhe po ashtu ka përmirësim në të ushqyer, me një fjalë ndjehem disi më mirë, por megjithatë zgjohem pak si i merakosur dhe zakonisht më del gjumi kah ora 06.00, por edhe më herët fle disi me ndërprerje. Edhe diçka, jam njeri shumë i ndjeshëm dhe merakosem shumë për shëndetin tim, herë pas here kemi mosmarrëveshje me familjarët të cilët mua më mundojnë shumë dhe pastaj nervozohem dhe mërzitem shumë. Jam shumë i kënaqur me jetën që bëj, me familjen, me punën, me arsimimin dhe gjendjen financiare. Dua të di a shërohet plotësisht kjo gjendje (depresioni) apo herë pas here kthehet, sepse mua veç më ndodhi që të më kthehet.
Ju lutem më tregoni çka të bëj në vazhdim.
Me respekt, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Po të citoj “ jam shumë i kënaqur me jetën që bëj, me familjen, me punën, me arsimimin dhe me gjendjen financiare” Ti ke dhëne përkufizimin për atë që ne e quajmë shëndet, mirëqenie normale, mosprani të sëmundjes. Të përgëzoj për lënien e duhanit. Të lutem për koment; se vërtet jeta pa duhan është më e mirë. Ta thash këtë se edhe më lehtë është ta kuptosh që ke pas fobi nga stomatologu, ke pas ca ide obsesive ose fobi sociale dhe se këto do t’i braktisësh sikurse duhanin. Ka të ngjarë që gjendjet e fundit stresante të kanë kthyer prapa, por duke besuar në kapacitet, mundësitë tuaja të cilat dhe do të jenë aleati më i mirë në tejkalimin e kësaj amullie, pasigurie e cila do të jetë jetëshkurtër. Dmth qëndro në ato fushë, të cilat ti i ke cituar, largohu nga ato fushat që të gjenerojnë fobi, obsesione dhe gjendje ku nuk ndihesh mirë. Ato janë shumë më pak, ato do të fuzionohen ngadalë. Kështu do t’ia dalësh.


Përshëndetje i nderuari dr.Fahri. Me ëndje përcjelli çdo përgjigje tuajën. Jam 37 vjeçe, punoj një profesion shumë të rëndësishëm shtetëror. Problemi im është se më dridhen duart, kjo dridhje më shfaqet si nga gëzimi, ashtu dhe hidhërimi. Jam tip i ndjeshëm, kam vërejt se dhe nga ata njerëz që kam një respekt më të madh më shfaqet ky problem. Mund t’ju them se kjo gjë po më shqetëson dita-ditës më shumë, më ka penguar shumë në karrierën time, edhe pse mendoj se jam një vajzë me njohuri të mira të përgjithshme, mirëpo ky problem po me stagnon në çdo hap të jetë. Bisedova një herë me një neuropsikiatër, i cili më tha se s’kam asgjë sa i përket anës psikiatrike. Vendosa të bëj analizat për gjëndrën tiroide, por dhe ato dolën mjaft mirë. Tani kam mbet në rrugë, s’di çfarë të veproj, mundohem të menaxhoj stresin, mirëpo kjo dridhje po më shqetëson pa masë.
Me respekt!

PËRGJIGJE:
Faleminderit për leximin e këshillave të mia drejtuar juve, të respektuar lexues. Nuk jeni ju ata që përfitoni nga këto këshilla, jam unë ai që përfitoj më shumë, sepse po gëzohem kur ju po kërkoni bashkëpunim, nuk po hezitoni, po bëni përpjekje me dalë nga çfarëdo gjendje psikike e cila iu pengon. Tash psikiatria, psikologjia në dinamikën tonë na duhen të jenë pranë, janë thuajse për konsumim të përditshëm. Është momenti që edhe në këtë mënyrë ta ndihmojmë, ta ngrisim sa më shumë vetëdijen e njerëzve tanë për problemet, ta ulim stigmën, sepse ta konsultosh psikiatrin, nuk do të thotë të kesh ndonjë sëmundje të papërmirësuar, më shumë do të thosha - nevojë për më njohur vetveten. Të kaloi në problemin tënd. Mendoj ngjashëm me neuropsikiatrin tuaj, se këto dridhje dalin nga karakteristikat tuaja; si mjaft senzitive, tendenca për perfekcionizem, fantazi për ego, ideal i themi ne. Lirohu sa është e mundur nga refleksionet e tjerëve-huaja. Satisfakcion për ty është e vetëdijshmja jote se sa vlen. Vazhdo të jesh sa më e qetë, mundohu sa është e mundur mos me i vërejtur dridhjet. Shko edhe krejt ne ekstremin tjetër... le të dridhen sa të donë, ti shiko punën tënde, ekspozohu edhe më shumë. Bëje një inat me dridhjen, ndalet ajo ose ti. Pas këtyre sprovave, prapë se prapë, mos u dorëzo, do të dorëzohet dridhja, ajo do të humbë, bëju e sigurt, sepse nuk ke lindur me të.
Të lutem, për më shumë vetëbesim. Me rëndësi është zotësia jote profesionale.


I nderuar doktor, jam 47 vjeç. Viteve të fundit acarohem shumë shpejt për çdo gjë, bëhem temperament, të shumtën ndodh që të emocionohem, më pas filloj të qajë nga emocionet te cilat më vijnë. Para 10 viteve, kam përdorë kundër prozak 20 mg, për 3 vite me radhë, kjo ka ndodh në Amerikë. Kam një fëmijë tre vjeçar.
Ju lutem, më jepni ndonjë propozim ose ndonjë medikament i cili më ndihmon që të mos e shfaqi acarimin, temperamentin, emocionin, por, gëzimin, buzëqeshjen, kënaqësinë.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, duke lexuar letrën tënde, mu kujtua fjala turke ...45 vjet. Vërtet, njeriu pas kësaj moshe mund të vërejë një tatëpjete apo jo? Ne psikiatrit, psikologët themi në asnjë mënyrë! Kurrsesi, gjithnjë mosha që jemi tashti, është idealja. Por, megjithatë shprehitë tona, reagimet tona, frenimet mund të ndryshojnë, mund të bëhemi më rigid, më dështak, më të ngadalshëm, d.m.th. mund t’i humbim disa virtyte. Këtë, e para, na e thotë gruaja (‘ti njeri kështu nuk ke qenë.. kontrollo veten..’). Mundohu sa herë që të vjen agresiviteti të paraqitesh me të kundërtën, quhet formacion retikular, por është mjaft vështirë. Djali i vogël e kupton tashmë që babushi ka “rrëshqitur” thonë kroatët, por megjithatë, mos u dorëzo. Sa i përket barnave, nëse vërtet nuk mundesh vet, atëherë prozaiku, prapë të ndihmon. Ndonjë bisedë me psikiatrin nuk do të jetë e tepërt, mund ta planifikosh.


I nderuari doktor fari. Jam nga Sllovenia, gruaja ime qe dy vite vuan nga depresioni. Pikërisht, para dy viteve ndodhi një aksident fatal me humbje jete të një plaku. Gruaja prej asaj kohe nuk është mirë. Neurologu i ka dhënë cymbalta 60mg si dhe zaldiar për dhimbje koke sipas nevojës. Një kohë pastaj ka qenë mirë dhe nuk i ka marrë ilaçet me rregull. Mirëpo, pas disa muajsh, mjeku ia ka rritur dozën cymbalta, për 60mg., por që zaldiarin të mos e përdorë, por ndonjë lekadol për dhembje.
Para disa ditësh, gruaja i ka parë disa policë duke e ndjekur një shofer, e tani ajo po frikohet shumë, po rri mbyllur në dhomë. Psikologu ia ka përshkruar disa qetësues. Gruaja po frikësohet se mos ka ndonjë sëmundje të rëndë në kokë apo diku tjetër.
Të lutem, më kthe përgjigje.

PËRGJIGJE:
Gjithçka ka ndodhur pas atij stresi kur e ka parë rastin e aksidentuar, i themi çrregullim nga stresi post traumatik i cili tash mund të ketë evoluar në depresion të vërtetë. Sido që të jetë, mendoj që gruaja juaj, pas tretmanit të filluar psikiatrik do të shërohet. Mos ke frikë që ata nuk e kanë përjashtuar ndonjë sëmundje organike. Edhe pagjakësia mund t’i sjell mjaft kokëçarje si marramendje, frikë, ankth, depresion. Unë i besoj mjekësisë sllovene. Përcillni rekomandimet e psikiatrit të saj. Do të ketë shumë sukses.


Përshëndetje. Doktor, unë nuk di nga te ja filloj, prej 23 marsit 2008, më kam ndodhur një rast që nuk e kam pritur prej një personit...dhe, prej atëherë pata çrregullime të mëdha të zemrës, ngufatje të fytit, djersitje, humbje të kontrollit, marramendje, të vjella të mëdha. Diagnoza ime është: çrregullim i ankthit dhe çrregullime obsesive. Unë nuk mundja t’i përshtatem shoqërisë, sepse ata më nënvlerësonin. Unë u largova nga shoqëria dhe fillova të punoj vetëm për interesat e mia. Fillova praktikën në Bankë, pastaj fillova të merrem me disa trajnime në grupe. Tashti, doktor Fahri nuk përdori terapi më. Tashti kam filluar të bëhen shumë i fortë emocionalisht, nuk turpërohem, s’kam komplekse (vesvese), po ende nuk mundem të përballem me femra. Vazhdoj të mësoj anglisht, merrem me studime...megjithatë dua një këshillë nga ju.

PËRGJIGJE:
Ende ke turp nga femrat?! Ti i ke thyer barrierat më të vështira, e ke mundur kompleksin, e ke fituar vetëbesimin, të ka mbetur vetëm edhe kjo, do ta kalosh se nuk bënë; së pari biseda, biseda, me vajza dhe suksesi vjen vetvetiu. Më vjen shumë mirë që ke ec përpara. Letra jote me siguri do t’ju shërbej të tjerëve se vetëbesimi është bazë e ngritjes dhe ecja nëpër pengesa, nëpër histori, të bënë më të fortë. Vazhdo edhe më shumë të mësosh, e ardhmja jote është e sigurt.


I nderuari doktor fari. Jam nga Sllovenia, gruaja ime qe dy vite vuan nga depresioni. Pikërisht, para dy viteve ndodhi nje aksident fatal me humbje jete të një plaku. Gruaja prej asaj kohe nuk është mirë. Neurologu i ka dhënë cymbalta 60mg si dhe zaldiar për dhimbje koke sipas nevojës. Një kohë pastaj ka qenë mirë dhe nuk i ka marrë ilaçet me rregull. Mirëpo, pas disa muajsh, mjeku ia ka rritur dozën cymbalta, për 60mg., por që zaldiarin të mos e përdorë, por ndonjë lekadol për dhembje. Para disa ditësh, gruaja i ka parë disa policë duke e ndjekur një shofer, e tani ajo po frikohet shumë, po rri mbyllur në dhomë. Psikologu ia ka përshkruar disa qetësues. Gruaja po frikësohet se mos ka ndonjë sëmundje të rëndë në kokë apo diku tjetër.
Të lutem, më kthe përgjigje.

PËRGJIGJE:
Gjithçka ka ndodhur pas atij stresi kur e ka parë rastin e aksidentuar, i themi çrregullim nga stresi post traumatik i cili tashi mund të ketë evoluar në depresion të vërtetë. Sido që të jetë, mendoj që gruaja juaj, pas tretmanit të filluar psikiatrik do të shërohet. Mos ke frikë që ata nuk e kanë përjashtuar ndonjë sëmundje organike. Edhe pagjakësia mund t’i sjell mjaft kokëçarje si marramendje, frikë, ankth, depresion. Unë i besoj mjekësisë sllovene. Përcillni rekomandimet e psikiatrit të saj. Do të ketë shumë sukses.


Përshëndetje Dr. Fahri. Kam disa probleme shëndetësore edh pse bëj kontrolle mujore. Tash kam bërë ndërrimin e tabletave të cilat quhen Depakinen Chrono 300 mg. Gjatë përdorimit të këtyre hapave, më merr gjumi më shumë, gjithnjë rri sikur në kllapi gjatë ditës. Gjatë menstruacioneve kam gjakderdhje më të madhe se herëve tjera, sytë i kam të ënjtur, kam dhimbje në zorrën e trashë, frymëmarrja më është ngadalësuar, thjesht nuk po mundem të ngopem frymë. Kam gjetur një shkrim në internet ku thotë se ky hap ka shkaktuar tek disa persona edhe vdekje. Tashti, disi ndjehem e çrregulluar edhe më shumë, plus asaj dhimbje që kam pasur më herët, më është shtuar edhe një frikë tjetër. Faleminderit dhe punë të mbarë.

PËRGJIGJE:
Zonjë ose zonjushë e nderuar, psikiatri ose neurologu juaj ka qenë i kujdesur për indikacionin-zgjedhjen dhe sigurisht ju ka rekomanduar ta përdorni, sepse ka më shumë dobi sesa efekte të padëshiruara. Sa i përket rekomandimit në psikiatri, ky bar i përshkruhet pacientëve për stabilizim të humorit, zbutjes së eksitimeve, zbutjes së manifestimeve acaruese, te çrregullimet bipolare, çrregullimet e personalitetit, etj.
Ju këshilloj t’i ndiqni këshillat e psikiatrit ose neurologut tuaj.


Doktor, vuaj prej atakut të panikut qe 5 vite. Në fillim kam përdorur demetin, oxetin, citalopram, lorazepam, bromazepam, deprezol, mirëpo me rezultate të pakta shëruese. Ka një vit që nuk përdori më asgjë, sepse shërimin e kërkoj nga vetvetja dhe veç kanë filluar rezultatet e mira. Nuk është keq tash gjendja ime, por kam probleme me ndryshimin e kushteve atmosferike: fillon me marramendje, me trullosje dhe gati me alivanosje. Pres përgjigjen dhe ndihmën tuaj, doktor Fahri.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Zotëri, po e parapëlqej vetëbesimin tënd dhe bindjen pozitive që ke. Vazhdo që të forcohesh edhe më shumë. E ke sfiduar vetveten, ke fituar, të mbetet të kuptuarit, sepse ne nuk mundemi të ndikojmë në kushtet atmosferike. Fillo ta duash natyrën, ndërrimet e motit, në shumicën e herëve na sjellin mrekulli, ato mbajnë ekuilibrin në tokë. Ne jetojmë në saje të këtyre ndryshimeve. Vazhdo ta duash natyrën, atmosferën, erën, shiun, borën, janë vërtet të domosdoshme dhe ankthi dhe paniku juaj edhe me shumë do të largohet. Ju mund të merrni ilaçe, vetëm nëse këto telashe të pengojnë shumë në punë dhe rezultate. Por, unë nga letra juaj po konstatoj se problemin e ke të zgjedhur, duaje atë çka na vjen nga Lartë dhe gjithçka do të rregullohet.
Të përshëndes.


Përshëndetje i nderuari dr. Fahri. Jam 30 vjeç. Para 6 muajve për herë të parë në jetën time kam pirë një cigare me kanabis dhe pas disa minutave jam ndier shumë keq, aq keq as m’u duk se humba totalisht, u ndava me mendjen time deri sa edhe ngjyra e lëkurës m’u zverdh. Të nesërmen jam zgjuar dhe kam shkuar në punë, por shumë i mbushur me mendime. Ndjehesha keq, vizitova mjekun i cili më tha se jam në depresion. Më udhëzoi të marr Citalopram. Në fillim u ndjeva keq, madje kisha edhe mendime për vetëvrasje. Shihja ëndrra të këqija, kisha dhimbje në bark, shtrëngim në zemër dhe rrahje të shpeshta të zemrës. Pas katër javësh, mjeku më udhëzoi ta ndërprisja citalporamin 20 mg. Tash i kam do simptoma të papëlqyeshme, nganjëherë nuk fle mirë, më del gjumi natën, shpesh kam dhimbje në trup dhe krahët më dhëmbin, ndjej ngushtim në gjoks, therje të muskujve, kur flas me të afërmit ndjej njëfarë trishtimi, s’kam dëshirë të flas shumë me ta në telefon.
Që të mos e zgjas shumë, pres mendimin tuaj.

PËRGJIGJE:
I nderuar, mos u merakosni, më pëlqen që je penduar thellë pas përdorimit të kanabisit. Përjetimet nga kanabisi vërtet janë të tmerrshme sado që në fillim “zgjedhin brengën” është krejt e kundërta shtojnë brengën. Të ka munduar ndërgjegjja, të janë paraqitur mendime se do të kesh pasoja, se çka do bëhet me ty…! Këto janë obsesione, ankthe, frikë nga sëmundja...janë edhe qortime vetvetes, deri në ide të nënvlerësimit. Megjithatë ka diçka shumë pozitive në këtë përvojë, ajo që nuk do ta përsëritësh kurrë përdorimin e drogës. Dmth të gjitha këto telashe tani janë probleme dhe dilema, pesimizëm për të ardhmen. Mendoj se ke me kaluar mirë, unë mendoj që ende të vazhdosh me antidepresiv, me citalipram. Nëse ai tashmë nuk jep efekte, psikiatri mund të propozon ndonjë tjetër. Edhe ndonjë anksiolitik do të ishte i nevojshëm për një përdorim të kufizuar në kohë.
Të lutem, mundohu dhe bëhu i sigurt se një cigare kanabis nuk të bënë narkoman. Problemet, ndoshta kanë qenë edhe më parë, ndoshta me përdorimin e cigares në një mënyrë edhe ke dashur t’i shmangësh ato. Ndoshta. Megjithatë krejt në fund mendoj që do t’ia dalësh. Mendimet dhe kohën që merresh me “sëmundjen “, mbuloje me aktivitet fizik, lexim, punë, shëtitje. Sukses.


I nderuari Dr Fahri. Unë jam absolvent i shkencave teknike në Prishtinë. Kisha dashtë që të marr së paku një këshillë tuajën në lidhje me disa probleme që po më ndodhin. Unë para 4 viteve kam pasur një depresion diku rreth 10 muaj apo mundem me thënë një vit për shkak të disa problemeve në Fakultet (rënia nga provim, mosarritja e suksesit sa dëshiron, etj.), por gjatë këtyre ditëve mua më shfaqeshin edhe disa probleme që ndoshta edhe kurrë nuk më ka ndodhur. Kur kujtohesha për ndonjë problem me ndonjë shok ose shoqe, e humbsha koncentrimin ose në mbrëmje duke tentuar të fle, më shfaqeshin parafytyrimet thuajse është në dhomë duke bashkëbiseduar më mua. Më dilte gjumi, kisha ankth, nervozë disa ditë me radhë. Mbrëmjeve më shfaqeshin problemet, nuk mundesha me i larguar nga vetja edhepse e dija që nuk është asgjë reale.
Tani jam i qetë dhe nuk po më ndodhin ato probleme, por sidoqoftë dua këshillën tuaj.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Shpresoj se deri të keni marrë përgjigjen, ehe keni diplomuar. Një profesor i imi i vjetër më kishte thënë: deri ta mbarosh mjekësinë, të gjitha sëmundjet që i lexon do ti gjesh te ti. Unë e provova ashtu ishte, ishin gjysëmbindje, bindje, hezitime, kërkesa për vërtetim të gjendjes. I kalova, dmth nuk kishte sëmundje, por preokupime të kota sa më pengonin. Tashti ty, po të pengojnë të njëjtat. Ato që thua thuajse bisedon me dikë, ndërrime në rrethinën tënde, janë fenomene të derealizimit që vërtet shfaqen, dalin nga preokupimi me ankthin, ëndrrat e këqija, lënë mbrese të këqija, për shkak të çrregullimit të ankthit. Unë mendoj që telashet që i përmend janë reaktive, të gjitha janë të lidhura për mësimin. Atëherë të sugjeroj ta goditësh shkakun, jo pasojën, të mësosh, të diplomosh sa më shpejt dhe gjithçka do të zhduket brenda natës.


Përshëndetje doktor i nderuar dhe shumë i respektuar. Jam një lexuese e rregullt e faqes së telegrafit, me vëmendje i lexova pyetjet që ju kanë parashtruar juve si dhe përgjigjet që ua keni dhënë ju njerëzve me shumë halle. Punë të mbarë në punën tuaj. Dëshiroj edhe unë të ju bëj një pyetje. Burri im qe 5 vjet përdor barin Zyprex 5 mg. Ju kisha lutur se a ka mundësi të ma sqaroni se çfarë përmban ky ilaç, a ka mundësi të krijon varësi. Edhe pse qe 5 vite e përdor këtë terapi, ende është pa diagnozë. Faleminderit për mirëkuptim dhe pres me padurim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Zyprexa, është neuroleptik, relativisht i ri, me efekte të mira. Nëse e ka përdorur shoku qe pesë vite, nuk ka ndonjë problem, nëse i bënë mirë, mund ta vazhdoj. Mirëpo duhet të kontrollohet pesha/shton peshë/, të kontrollohet sheqeri në gjak dhe disa enzime si: CK (kreatin kinaza) LDH (laktatdehidrogjenaza etj.). Sa i përket diagnozës, ajo mund të jepet edhe për agjitim, shqetësime të ndryshme, jo vetëm për çrregullim mendor, d.m.th. diagnozë më të rëndë.


I nderuari dr. Drevinja. Jam 21 vjeçar, kam problem me kontrollin e adrenalinës edhe pse shpesh ndikon pozitivisht në punë. I përfundoj punët me shpejtësi mjaft të madhe që njeriu normal nuk mund t’i përfundojë, por nganjëherë më shfaqet në raste kur nuk duhet të shfaqen. Kur është puna për ndonjë vendim të rëndësishëm, psh., intervistë pune ose ndonjë gjë tjetër të rëndësishme, në stomak fillojnë disa ndjenja të çuditshme dhe vazhdojnë me dridhje të trupit, pastaj shtangem dhe nuk mund t’i shprehi ato informacione që i posedoj. Pas kësaj, më kaplon një uri e madhe. Në pamje dukem mjaft vital, ndoshta pak i hollë dhe nganjëherë nuk i kam lëvizjet e koordinuara dhe jo të balancuara. Në trurin tonë janë 5 fusha kryesore: memoria, vëmendja, shpejtësia, fleksibiliteti dhe zgjidhja e problemeve. Këto fusha i kam trajnuar në mënyrë efektive; vetëbesim kam mjaft. Për ide të reja jam mjaft produktiv. Jam tip karizmatik dhe orator, por të shprehem siç dua, nganjëherë nuk mundem për shkak të shtimit të adrenalinës. Doktor, a është ky problem biologjik apo psikologjik? Nëse është problem psikologjik, do të doja të m’i tregoni disa teknika për kontrollin e adrenalinës.
Flm.

PËRGJIGJE:
Djalosh, nuk ke nevojë për brengosje, problemi yt nuk është fare për brengosje, sepse ti po funksionon, je elokuent, inteligjent, ke ndjenja kreative. E ndoshta si personalitet je më temperament, i shpejt, por kongruent me moshën dhe elanin tënd djaloshar. Ajo që të kaplon uria dhe nëse problemet me lëvizjet – koordinimin, i korrespondojnë kësaj urie, të këshilloj për përcjellje të sheqerit në gjak. Dmth nga këtu del pastaj, a të mendojmë për probleme konstitucionale, rrethanore, energji djaloshare, adrenalinë. Sa i përket qendrave të ndryshme në trurin tonë, prodhimi i adrenalinës, është problem mjaft kompleks të cilin e studion neuroshkenca. Krejt në fund, bëni përpjekje që t’i eliminosh faktorët rrethanor- situatat stresuese që të bëjnë të reagosh furishëm.


I nderuar doktor. Jam 47 vjeçar dhe vitet e fundit kam problem me sistemin nervor. Acarohem shumë shpejt dhe për çdo gjë, bëhem temperament, shumicën e rasteve ndodh që edhe të emocionohem, më pas filloj të qaj nga e mocionet. Para 10 viteve kam përdor Prozak 20 mg për 3 vite me radhë. Deri në përgjigjen tuaj, ju përshëndes.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, mundohuni që t’i tejkaloni shkaqet që ju i dini. Ajo çka ka shkuar t’iu shërben të nxirrni mësime dhe ta planifikoni të ardhmen tuaj. Disa nga ngjarjet mund edhe të mos evitohen-harrohen, mirëpo ajo që evitohet duhet evituar. Nëse gjendja ose diagnoza juaj është depresioni, duhet të vazhdoni me antidepresiv, nëse depresioni paraqitet me ankth duhet të përdorni anksiolitik, për një kohë të shkurtër, ju propozoj buspiron 10 mg ose oxazepam 15mg, dy herë në ditë ose vetëm në mbrëmje. Bëni përpjekje që të ndryshoni karshi të gjithëve e më shumë për me të dashurit tuaj. Këtë do ta bëni duke ju përkrahur bashkëshortja juaj, rrethi juaj. Nëse, nuk ec, nuk mundeni, duhet informata shtesë nga terapeuti juaj. Unë mendoj që shumë gjëra do të rregullohen dhe ju ngadalë do të jeni më i kënaqur me gjendjen dhe raportet në rrethin tuaj.
Përshëndetje.


I nderuar Dr. Drevinja. Unë jam 36 vjeçar. Para 10 vitesh për shkak të ngarkesës emocionale, kam pasur shtangim të muskujve, por pas kontrollit te mjeku, më kaloi. Që nga ajo kohë, unë jetoj me barna qetësuese. Kam përdorë disa vite Bensedin 2mg, pastaj bensedim 5mg. Pas 5 viteve me vështirësi të mëdha jam liruar nga kjo varësi e tmerrshme. Jam liruar brenda 3 javësh me një skemë duke e lënë grandualisht. Mirëpo, pas 14 muajve, kam filluar prapë të përdor pak nga pak, Loram dhe Lorazepam 1 mg. Çdo mëngjes, ende pa ngrënë bukë e marr një tabletë 1 mg. Pastaj në mesditë edhe një, deri 3 tableta në ditë Loram ose Lorazepam, 1mg. Muajve të fundit kam filluar të marrë Loram ose Lorazepam 2.5 mg. Shpesh e ndaj përgjysmë këtë pilulë, por nganjëherë e marr të plotë. Unë kam simptoma të agorafobisë dhe një depresion të lehtë, ndoshta. Jam shumë i interesuar të braktis barnat që gjithmonë i mbaj në xhep. Askund nuk shkoj pa to. Të lutem doktor, më trego, si mund të lirohem nga Loram dhe Lorazepami? E di që nuk mund të shkëputem brenda dites. A ka skemë të lirimit nga këto pilula duke zvogluar gradualisht marrjen e tyre. Nuk pi kurrë alkool, as ilaçe tjera. Të falënderoj shumë për këshillat tuaja.

PËRGJIGJE:
I nderuar, vërtet këto që thua janë shenja të vartësisë nga lorazepami, si dhe simptomat e agorafobisë të cilat të mbajnë në ankth që ta kesh në xhep lorazepamin. Të duhet një përgatitje psikologjike të cilën tashmë e ke, duke njohur pasojat e lorazepamit, duke njohur agorafobinë dhe tani duhet sjellë ndryshe, dmth fillojmë me braktisjen dalëngadalë duke vendos barna të tjerë. Pikësëpari, forcim vetjak psikologjik, një dozë e vogël antidepresivi, mund të përdorësh fluoxetin 10 mg, para dite. Sa i përket lorazepamit, nëse ke mundësi, ekziston një anksiolitik i ngjashëm për nga veprimi i cili nuk krijon vartësi, quhet buspiron, 10 mg. Fillo të zvogëlosh sasinë e lorazepamit duke zëvendësuar me 5 ose 10 mg buspiron dhe kështu me radhë disa javë. Të nevojitet përkrahje familjare dhe përkrahja nga terapeuti yt. Mendoj që shpejt do t’ia dalësh.


Përshëndetje doktor. Një person i afërm ka disa mundime. Vuan nga çrregullimi bipolar dhe insomnia. Merr Litium Carbonate si antidepresant dhe për insomni është duke përdorur Lendormin, por në treg nuk po gjendet, ndaj, po përdor një çaj për gjumë dhe nganjëherë merr diazepam, ose zolpidem. Është bërë tolerant ndaj shumë lloje të barnave, ndaj po kërkoj ndihmë nga ju të më sugjeroni ndonjë ilaç me më pak efekte anësore pasi që ka disa komplikime në organizëm dhe që është efektive në hipnozë. Ndihma juaj do të më ndihmonte shumë doktor. Ju faleminderit për mirëkuptim, me respekt.

PËRGJIGJE:
Është problem të them diç më shumë pa e ditur sasinë e litiumit në gjak. Sidoqoftë, barnat të cilat janë duke u referuar e që shkojnë mirë me litiumin janë: olanzapina, diazepami, mirëpo te rasti në fjalë, druaj në përdorim të tepruar të lendorminit, ajo komponenta psikologjike që nuk e gjenë lehtë mashtron se është ndonjë bar i mirë! Sa i përket antidepresivit, këtë mund të vendos vetëm psikiatri i tij i cili vlerëson psikosimptomatologjinë, në shumicën e rasteve nuk jepet për shkak të ndërrimit-kalimit në fazë tjetër, mani ose depresion. Pagjumësia sigurisht është simptomë e rikeqësimit të sëmundjes, prandaj të kontrollohet litiumi gjithsesi, ose edhe duhet bërë diçka rreth terapisë.


I nderuari doktor Fahri. Jam një vajzë 19 vjeçare, studente, me mësime jam shumë e mirë, por kam nevojë për ndihmën tuaj. Qe 4vite jam në lidhje me një djalë. I dashuri im është rrëzuar dhe ka pasur gjakderdhje në kokë, me ndihmën e Allahut gjithçka shkoi shumë mirë dhe tashti ai është mirë. Problemi im është që familja tash më bën pengesë në lidhje me të dashurin tim. Për shkak të prindërve, një kohë jam larguar nga ai, por përsëri jemi bashkë. Kur jam me të, i harroj problemet e familjes. Edhe në lidhjen tonë, nganjëherë kemi disa probleme të cilat i kalojmë, por më bën të lëndohem shumë. Të dashurin tim, shkuarja në fakultet dhe veshja ime, e bëjnë shumë xheloz, etj. Të lutem, më ndihmo!
Geta.

PËRGJIGJE:
Geta, gjithçka hapur, me djaloshin, me xhelozinë e tij, me familjen, peshoni gjërat mirë, jeta është e vështirë, më pastaj e lumtur! Në emocione nuk duhet të përzihet njeri, vetëm se ke kujdes me xhelozinë e djaloshit, nëse ajo duhet korrektuar, bëhu këmbëngulëse.


Përshëndetje Dr. Fahri. Para 9 viteve kam pas një sulm në mes të rrugës dhe një marramendje të fortë  ku kam humb vetëdijen. Pas disa ekzaminimeve të EEG dhe CT së trurit, vlerat kanë dalë mirë pa asnjë problem. Sulmi ka ndodhë vetëm një herë. Por, pas 2 viteve më ka ndodh një frikë. Ankth, marramendje  dhe më vinte një nxehtësi prej këmbëve deri te koka. Një nxehtësi e shpejtë...por, unë mendoja që frika po vjen për shkak se mos po sëmurem si atëherë dhe nuk u paraqita te psikiatri. Ndonjëherë merrja tab. Bedoxin. Përkundër frikës edhe ankthit, thjeshtë e mposhta me mendime se do të më kaloj dhe nganjëherë kur ishte sulmi më i fortë, qaja dhe më kalonte për një kohë nuk kisha sulme dhe kështu frika me vinte, sidomos në vende publike ku kishte shumë njerëz, ankth si me dashtë me ikë prej dikujt...Tani më ka kaluar, por nganjëherë po kam shqetësim dhe një ndjenjë të keqe, ashtu edhe pak frikë se mos po më kthehet sëmundja. Ju lutem, më tregoni se çfarë të përdor dhe çfarë të bëj.

PËRGJEGJE

Para disa ditësh, është mbajtur Konferenca e parë me karakter ndërkombëtar për epilepsinë në Prishtinë,  me ekspert vendor, ekspert nga Shkupi dhe Zagrebi. Kështu që  po ju them atë çka ishte një nga referencat: Nuk ka epilepsi me një sulm të humbjes së vetëdijes. Dmth largoje këtë nga koka nëse mendon ende se je e sëmurë ose do të kthehet etj. Ajo që ju po thoni është pikërisht ankthi, dyshime, pasiguri, frikë nga sëmundja ose më mirë ta them fobi nga sëmundja. Brengën zëvendësoje me sigurinë se nuk ka qenë epilepsi. Së bashku me bedoxin unë të them merr ndonjë qetësues të lehtë, apaurin 2mg 2 herë në ditë, jo gjatë. Më shumë komunikim, angazhime në punë, biseda me të afërmit, shëtitje, hobi dhe ankthi tejkalohet.    


Përshëndetje doktor i nderua. E kam bërë CT e kokës dhe vlerat janë në kufij të normales. Mirëpo, e kam të paqartë se çka do të thotë "atrofi e lehtë  e masës kortikale subfrontale që nuk i përgjigjet moshës së pacientit”. Unë jam 16 vjeçar. Ju faleminderit për mirëkuptim.

PËRGJIGJE

Asnjë shqetësim, ti je 16 vjeç, shumë inde si dhe indet e trurit tek ti rriten ende për shumë vite. Atrofi e korës në regjionin nënballor dmth, masa e korës së asaj pjese të trurit, rritja, fryrja nëse më lejohet të them kështu tek rezultati i CT ka dalë më e hollë, dmth  do përmirësohet (sepse ti po rritesh). Kurse, ajo  që nuk i përgjigjet moshës, fare mos të brengos, më tepër është zhargon i interpretuesve të CT-së.      


I nderuari Dr. Fahri. Jam 33 vjeçare kam qenë në depresion para 10 viteve dhe më ka zgjat më shumë s

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sci- neuropsikiatër
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
0:45 / 21.05.2013
The Doors

Ndërron jetë Ray Manzarek, njëri nga themeluesit e “The Doors”

Njëri nga themeluesit e bendit legjendar “The Doors”, Ray Manzarek, ka ndërruar jetë në moshë 74-vjeçare.
Teknologji
15:40 / 20.05.2013
Komisioni Evropian premton treg unik mobil, para vitit 2015

Komisioni Evropian premton treg unik mobil, para vitit 2015

Edhe pse Bashkimi Evropian promovon integrimin më të thellë mes shteteve anëtare, kjo gjë nuk vërehet tek çmimet e roami...
Ekonomi
9:26 / 21.05.2013

Trepça të mbrohet me ligj

Pas deklarimit të ambasadës amerikane, ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Halil Çela ka deklaruar se ta...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.