Ass.dr. Merita Emini Sadiku, dr.sci., Interniste-endokrinologe-diabetologe

6:59 / 24.05.2013

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti, mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për çdo pyetje ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Ass.dr.Merita Emini Sadiku, MSc, PhD
Interniste-endokrinologe-diabetologe
tel: 044 161 069


Jam 22 vjeçare, e gjatë 1.66 dhe peshoj vetëm 49 kg. Dëshiroj të shtoj në peshë, por nuk e di se si?! Kam problem me oreksin. Ndodh që të mos uritem tërë ditën. Po marr edhe vitamina Oligovit, mirëpo nuk po më ndihmojnë aspak.
Ju lutem të më tregoni konkretisht çfarë lloj barnash apo vitaminash të përdor që të më shtohet oreksi?
Kam nevojë për ndihmën tuaj, sepse po ndihem shumë e demoralizuar. Unë konsumoj shume pemë, perime, ushqime shtëpiake, por çdo shujtë e shoqëroj me coca-cola. Kam dëgjuar se kjo pije të shëndosh, por te unë nuk ka ndikuar. Sado që ha çokollata, poashtu nuk më ndihmojnë.
Pres përgjigjen tuaj me shpresë që të më këshilloni. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, nga të dhënat që keni përshkruar ju keni BMI 17.8 kg/m2, pra jeni nën peshë. Norma e këtij indeksi është nga 18.5 deri në 25 kg/m2. Ju duhet të shtoni minimum 6-8 kg për të qenë në peshë normale. Për të bërë këtë, duhet t’ju vizitoj në mënyrë që të gjejmë shkakun e mosshtimit në peshë, pastaj të bëjmë programin i cili është shumëdimensional dhe ka të bëjë me ndryshimin komplet të stilit të jetës që keni bërë deri më tani. Ky trajtim përveç dietës specifike me kalori të përcaktuara, mund të përfshijë edhe trajtimin medikamentoz. Qysh tani ju rekomandoj të mos pini coca-cola.
Ju përshendes, dr.Merita.


Përshëndetje Dr Merita. Së pari, ju falënderoj për këshillat tuaja të vlefshme. Së dyti kam një pyetje. Jam 51 vjeç dhe këto dite kam zbuluar se vuaj nga gjëndra tiroide. Kam bërë analizat përkatëse (echo, shintigrafi, analizën e tiroides) dhe ne lobin dexter. Kam një nodus hypoekogen enfero-medial me dimensione 8x7 mm, me vaskularizim prezent, por jo të shprehur. Shintigrafia thotë se tiroidja ka pozicion normal, por shihet shpërndarje jo uniforme dhe lehtësisht e shtuar në pjesën e mesme të lobit dextra. Uptake 2.1%. Ju lutem, mund të më sqaroni nëse është shumë shqetësues një nodul me këto përmasa dhe si mund të përcaktohet natyra e nodulit. Në analizat që kam bërë nuk thuhet çfarë natyre ka. Ka nevojë të bëj biopsinë e nodusit?
Faleminderit paraprakisht.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Përmasat e nodusit të përshkruar nuk janë indikacion për biopsi. Për të bërë biopsinë (FNAB) përmasat duhet të jenë së paku mbi 1,5 cm. Por ju mund të bëni paraprakisht këto analiza: tireoglobulinen, kalcitoninen si dhe TSH. Gjithashtu në eko të gjëndrës tiroide duhet të përshkruhen prania ose jo e vaskularizimit të brendshëm (në nodul), kufijtë e nodusit, mundësisht struktura dhe prania ose jo e kalcifikateve. Këto ju ndihmojnë për të bërë dallimin e nodulit beninj apo malinj.
Ju përshëndes, dr.Merita.


E nderuar. Jam 45 vjeçar. Gjatë një kontrolli për fyt, më është vërejtur një gjëndër kur përpihem. Kam bërë analizat t3=2.24, t4= 90.11 dhe tsh=0.32. Kam bërë scintigrafinë që e citoj: në scintigram vizualizohet gjëndra tiroide e zmadhuar, nodose, me akumulim jo uniform. Nodusi palbabil që përfshin pjesën distale të lobit të djathtë, qartë i përkufizuar, lehtë i spostuar, prezantohet si nodus i ftohtë-afunksional.
Str.nodosa, nodus afunksional ( cysta ) lob. dex.
Më është preferuar operimi, por a ka mundësi shërimi me barna. Nuk kam probleme momentale me gjëndër, as dhimbje.
Flm për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
I nderuar, analizat hormonale që i keni përshkruar janë në normë. Në bazë të shintigrafisë ju keni strumë nodoze. Ajo çka ju kisha rekomanduar është se ju duhet të bëni një vizitë te endokrinologu ku duhet të bëni edhe një ultrazë të tiroides në të cilën do të shiheshin përmasat e nodusit gjë që do të mund të konkludohet për trajtimin e mëtejmë. Shërimi me barna ka efekt më të ngadalshëm si dhe ky shërim mund të rekomandohet vetëm në cistet e vogla.
Gjithë të mirat.


Përshëndetje doktoreshë. Unë që po shkruaj jam nga Tirana. Gruaja ime ka një mikroadenomë në hipofizë me përmasa 5*6 ml. Kurohet me dostinex, por kohët e fundit ndihet shumë keq. Ka dhimbje koke të hërë pas hershme. Prolaktinën e ka shumë të lartë - 90. Doktoreshë, do të lutesha shumë, a ka ndonjë preparat më të mirë se dostinexi, që të ulim nivelin e prolaktinës dhe të masën në hipofizë.
Edhe diçka tjetër, ne kemi një gocë dëshirë, do të kishim edhe një fëmijë tjetër, por duam të dimë pasojat dhe sa e rrezikshme është për gruan time po të ngelej përsëri shtatzënë.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Janë disa çështje të cilat i keni adresuar, tani t’i marrim me radhë:
- Trajtimi të cilin po e merr gruaja juaj Cabergoline (Dostinex) është njeri prej medikamenteve i cili rekomandohet për trajtimin e mikroadenomave hipofizare me sekretim te prolaktines. Dozat e këtij medikamenti rriten gradualisht. Por, ka raste kur ndaj këtij medikamenti mund të paraqitet rezistencë dhe niveli i prolaktinës nuk ulet, ashtu siç mund të ketë ndodhur në rastin e gruas suaj. Prandaj, ju rekomandoj të bisedoni me endokrinologun tuaj që të ndërroni trajtimin, p.sh. t’ju përshkruaj Bromocriptine (Parlodel).Trajtimi i hiperprolaktinomave ecë mirë, nuk keni nevojë të shqetësoheni dhe mjekimi zakonisht jep rezultate të mira si në uljen e masës në hipofizë, poashtu edhe në rivënien e funksionit gonadal (ciklit menstrual dhe ovulacionit), pra mundësinë e një shtatzënie të re.
- Tani sa i përket shtatzënisë se re, nuk ju kisha rekomanduar të planifikoni shtatzëninë derisa nuk normalizohen vlerat e prolaktines. Sigurisht ju ka thënë edhe endokrinologu juaj se gjatë trajtimit gruaja mund të ketë rregullim të ovulacionit dhe të mbetet shtatzënë, prandaj rekomandohet marrja e kontraceptivëve oral gjatë kohës që trajtohet për hiperprolaktinemi. Dhe, pasi të jenë stabilizuar vlerat e prolaktinës, atëherë mund të planifikoni shtatzëninë. Në tremujorin e parë të shtatzënisë, nuk rekomandohet marrja e këtyre barnave për shkak të efektit të tyre teratogjen (efektin e dëmshëm tek fetusi).
Çdo të mirë, dr.Merita.


Përshëndetje Dr.Merita. Jam një 60 vjeçar, kam diabetin 10.3. Përdori Diabos në mëngjes, pastaj gjatë racionit të drekës dhe darkës Siofor 850.
A janë këto barna adekuate? Çka duhet përdorur për normalizimin e sheqerit në gjak?

PËRGJIGJE:
Zotëri i nderuar. Barnat të cilat po i merrni dhe glikemia mbi 10,3 mmol/l, tregojnë se nuk e keni nën kontroll sëmundjen e diabetit.
Rekomandimi im është të kujdeseni në mënyrë strikte për ushqimin duke u konsultuar me endokrinolog ose diabetolog si dhe të bëni analizën e HbA1c për të vlerësuar kontrollin e kësaj sëmundje në tre muajt e fundit. Nga rezultati i kësaj analize mund të konkludohet për trajtimin e mëtejmë, krahas dietës diabetike.
Ju përshëndes.


Përshëndetje e nderuar. Unë lajmërohem nga Franca. Para një viti jam operuar nga dhe paratiroideja. Terapija ime është: levotyrox150 mg, vit. D. Kam një problem me gjirin e djathtë, më dhemb shumë. Dhimbja përcillet edhe në krahun e djathtë kam rrjedhje nga gjiri (ujë të gjelbër). Analiza tregon infeksion. Prolaktina rezulton e rritur – 68.
Doktoreshë, a është e mundur që prej prolaktinës t’i kem këto dhimbje, a kam gjasa të lindi fëmijë edhepse mjekët e Francës më thonë se s’do të kem probleme.
Ju falënderoj për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
E nderuar, në bazë të asaj që keni shkruar, unë mendoj që nuk po e merrni dozën e duhur të Levotiroksinës, gjë që pasqyrohet edhe me rritje të prolaktinës dhe simptomat si ajo që e keni përshkruar (rrjedhja e gjirit). Gjithashtu edhe shenjat tjera shoqëruese, mendoj, që janë pasojë e kësaj.
Sigurisht që me këtë sëmundje, pra hipotireozë, pas heqjes së tiroides, ju mund të mbeteni shtatzënë, por duhet të merrni trajtimin me doza të përshtatshme të hormoneve zëvendësuese të tiroides, siç është Levotiroksina (T4) si dhe të stabilizoni nivelin e prolaktinës.
Ju rekomandoj të bëni këto analiza: TSH dhe FT4 të cilat ju tregojnë saktë se si po trajtoheni, pra a keni arrit të frenoni TSH-në në nivelin normal, apo është mjaft i lartë, siç edhe unë po mendoj që e keni. Gjithashtu duhet të bëni edhe analizën e kalciumit për të parë nëse po e trajtoni mirë hipoparatiroidizmin, pasi i keni të hequra gjëndrat paratiroide gjatë operimit të tiroides.
Ju përshëndes.


Përshëndetje doktoreshë. Gjyshja ime vuan nga hipertensioni dhe ka dhimbje shpine gjatë gjithë kohës. Sheqerin e ka pas njëherë të rritur, ka ciste në veshkë. Ka dy javë që nuk dëgjon mirë,ka dhembje veshi dhe i ka dalë një gjëndër në krahun e dorës së djathtë.
Gjyshja ka vizituar mjekë të ndryshëm, por pa ndonjë mjekim.
Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Gjyshja juaj përveç diabetit dhe hipertensionit, të cilat duhet të trajtohen te internisti ose endokrinologu, ajo paska edhe probleme tjera, siç janë cistet në veshkë për të cilën i duhet të bëjë së paku një ultrazë, pastaj analizat tjera laboratorike përkatëse për të parë funksionin e veshkave. Duke pas parasysh që ka edhe sëmundjet e lartpërmendura të cilat, gjithashtu, e dëmtojnë funksionin e veshkës. Poashtu, të konsultohet edhe specialisti i ORL-së për ankesat e veshit.
Ju përshëndes.


Dr.Merita! Ju uroj gjithë të mirat. Ne jemi nga Shqipëria, banojmë në qytetin e Korçës. Kam një problem me vajzën time, 22-vjeçe. Është operuar nga gjëndra tiroide, ka 1.5 vjet, me diagnozën tiroiditis Hashimoto. Pas operacionit, është mjekuar me levotiroksinë, në doza të ndryshme sipas nivelit të analizave, dhe që varirojnë nga 0.75 mg- 1.5 mg. Tani në këtë moment analiza e TSH= 73, para tre muajsh e kishte 97, dhe ka përdorur 1.5mg levotiroksinë. Më shqetëson fakti se gjendja klinike nuk është e dëshirueshme, sepse ka lodhje, këputje të trupit dhe nuk e kupton se kur i vjen kjo gjendje, ndërkohë që ka edhe rënie të pulsit.
Doktoreshë kam nevojë për këshillën tuaj. Gjithashtu a ka ndonjë medikament tjetër përveç levotiroksinës.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Zonjë, me vlerën e lartë të TSH që ka vajza, janë të kuptueshme edhe simptomat që përshkruani. Por, sidoqë të jetë, ju duhet të konsultoheni patjetër me endokrinologun për rritjen graduale të levotiroksinës. Ka edhe preparate tjera si liotironina, por nuk është më efikas se levotiroksi. Pra, duhet rritur dozat patjetër, por paraprakisht vajza duhet të bëjë ekzaminim objektiv dhe së paku një EKG. Deri më tani unë mund të gjykoj se vajza nuk ka marrë dozën e duhur të levotiroksinës, prandaj dhe nuk ka arritur të frenojë nivelin e lartë të TSH-së.
Shpresoj t’ju kam ndihmuar, çdo të mirë!


Përshëndetje doktoreshë. Gjyshes sime, diabeti i saj është paraqitur qe 2 vite. Në fillim nuk ka vërejtur mundim, por tani qe një muaj, niveli i sheqerit i është rritur nga 7-8, në 10-14. Kjo rritje e sheqerit ka bërë që t’i humbet oreksi, të ketë lodhje të tepërt dhe pafuqi. Në fillim nuk ka përdorur asgjë, para një viti ka përdorë vetëm në mëngjes - një herë në ditë, ilaçin e diabetit, kurse për momentin po e përdor 3 herë në ditë, por gjendjen e ka gjithnjë të njëjtë. Analizat biokimike kanë dalë mirë, përveç glukozës së rritur dhe sedimentacionit të rritur. Kurse në urinë, kohët e fundit po i paraqitet glukoza.
Ju falënderojmë dhe presim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, nga ajo çfarë keni me shkruar më lartë, po kuptoj se gjyshja juaj nuk e ka nën kontroll të duhur sëmundjen e sheqerit. Barin te cilin fillimisht e ka përdorë një herë në ditë dhe tani po e përdorë tri here në ditë, nuk e keni shkruar emrin e tij, prandaj nuk mund të konstatoj nëse po e përdor barin adekuat dhe dozën adekuate.
Prania e lartë e glukozës në gjak dhe në urinë tregon se trajtimin të cilin po e merr nuk është ai adekuati. Lodhja dhe humbja e oreksit mund të jenë nga diabeti dhe komplikimet e tij, por nuk përjashtohen edhe sëmundjet tjera. Prandaj, ju rekomandoj të konsultohet me mjekun e saj endokrinolog ose me diabetologun.


Përshëndetje doktoreshë dhe faleminderit për kontributin tuaj. Jam 26 vjeçe, qe një vit më është shfaqur gjëndra tiroide. Përdori Letrox çdo mëngjes nga një.
Pyetja ime është se a shkakton probleme gjëndra në mbetjen shtatzënë, gjatë shtatzënisë dhe te fëmija, ngase planifikoj të krijoj familje.
Cilat janë këshillat tua dhe çka më rekomandoni.
Pres përgjigjeje dhe njëherazi ju falënderoj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, deri sa mjekohesh me rregull për hipotireozë, nuk ke nevojë të brengosesh si për mbetjen shtatzënë, gjatë periudhës së shtatzënisë dhe për fëmijën. Por, për të gjitha këto duhet të konsultohesh me endokrinologun tënd që kontrollet të jenë të rregullta duke mbajtur nivelin e hormoneve të tiroides (TSH, FT4) dhe dozimin e medikamentit që në rastin tënd është Letrox-i. Kështu do t'i shmangësh komplikimet e mundshme nga trajtimi joadekuat dhe jo i rregullt.
Ju përshëndes.


Ju lutem doktoreshë, më tregoni a është normale vlera e sheqerit në gjak 5.9 tek fëmija 4 vjeç?

PËRGJIGJE:
Vlera e glikemisë të cilën e përshkruani është normale. Nëse fëmija ka ndonjë shenjë klinike si pirje uji në sasi më të mëdha, humbje peshe, urinim të shpeshtë etj., për të larguar çdo dyshim rreth sëmundjes së sheqerit, mateni një glikemi rasti gjatë ditës dhe nëse ajo del më pak se 11.1 mmol/l ose 2 orë pas ushqimit nëse glikemia është më pak se 8 mmol/l, nuk ke nevojë të brengosesh.
Vlerat e lartëpërmendura vlejnë për gjak venoz, ndërsa nëse e matni me aparat manual (me shpim në gisht), ky është gjak kapilar dhe vlerat e glikemisë janë për 1.1 mmol/l më lart nga vlerat e gjakut venoz.
Ju përshëndes.


Përshëndetje doktoreshë. Së pari ju falënderoj për mundësinë e këshillave që na jepni. Mami im vuan nga sëmundja e sheqerit qe 8 vit. Deri para dy muajve nivelin e sheqerit e ka mbajtur deri 13.5, mirëpo qe dy muaj vazhdon të jetë 25.7. Ka qenë në ambulancë, ka marrë një infuzion dhe pas 24 orëve ka zbritur në 13.5.
Mami merr dy lloje tabletash për diabet: Diamicron 60 mg në esëll si dhe Metfin 1000 mg gjatë ushqimit; tabletat për tension Enalapril 10 mg. Insulinë nuk është duke përdorur.
Ju lutem na ndihmoni. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Nga ajo çfarë keni shkruar, unë mund t’ju them që mjekimin të cilin po e merr nëna juaj nuk është më i përshtatshmi për gjendjen të cilën e ka tani. Niveli i glikemisë të cilin e keni përshkruar është shumë i lartë dhe ajo duhet të vizitohet sa më shpejt nga endokrinologu për të filluar trajtimin e duhur dhe për të bërë analizat e nevojshme lidhur me komplikimet e mundshme në zemër, veshka, vazat e gjakut, nervat e gjymtyrëve të poshtme, etj. Në bazë të këtyre rezultateve vendoset nëse do të ketë hapësirë ende për t’u trajtuar me tableta apo duhet patjetër të fillohet trajtimi me insulinë. Mjekimi me insulinë nganjëherë është i nevojshëm vetëm për trajtimin e rasteve akute për një periudhë të shkurte dhe nëse ka rezerva të mira të sekretimin të insulinës nga pankreasi i vet pacientit (kjo shihet nga disa analiza specifike), atëherë mund të vazhdohet përsëri mjekimi me tableta, por gjithmonë duke mbajtur në norme glikeminë dhe parametrat tjerë të nevojshëm për kontrollin e diabetit.
Ju përshëndes.


Përshëndetje Dr. Merita. Jemi një çift nga një fshat i Tetovës. Jemi prindër të 3 fëmijëve, dy vajza dhe një djalë. Djalin e kemi më të vogël, tek i cili qëndron edhe "problemi". Djali është 13 muajsh dhe kemi vërejtur se shumë ujë është duke konsumuar. Në shtëpi kemi një aparat për matjen e sheqerit. Një mëngjes e kishte vlerën 5,3, kurse pas disa ditëve e dërguam në ambulancën e fshatit, gjithashtu në mëngjes, ku vlera ishte 7. Ju lutem të më tregoni a janë këto vlera që duhet të shqetësohemi, apo janë vlera normale për një fëmijë 13 muajsh.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Të nderuar, vlera e sheqerit ne gjak 5,3 mmol/L në mëngjes nuk është kriter për diagnozën e diabetit, por vlera tjetër 7 mmol/L (gjithmonë nëse është 8 deri 12 ore pa ngrënë asgjë) dhe konsumimi i tepërt i ujit janë shenja që duhet kërkuar ndihmë mjekësore, sepse dyshimi për diabet ekziston.
Unë ju rekomandoj të konsultoheni me pediatrin sa më parë që është e mundur.
Ju uroj çdo të mirë.


Përshëndetje. Jam 46 vjeçar, para 9 viteve e zbulova rastësisht se kam rritje të triglicerideve deri në nivelin 12.5. Me terapi (Vasilip 20 mg) e zbres deri 3,5. Tash vonë, e kam sërish 13.
Doktoreshë, dua t’ju pyes nëse ka shërim kjo sëmundje apo gjithnjë duhet të jem me terapi?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Vasilip 20 mg nuk është trajtimi më adekuat për trigliceride. Ai më së shumti ndikon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe vetëm 30% ndikon në trigliceride. Unë ju rekomandoj që të merrni barnat që bëjnë pjesë në grupin e fibrateve, p.sh. Lipantil, por gjithmonë të përshkruara nga endokrinologu për dozën e duhur si dhe analizat laboratorike paraprake.
Ju duhet t’i nënshtroheni një diete për uljen e yndyrave. Kështu paralelisht dietës, edhe barnat do të ndikojnë që për një kohë të shkurtë t’i normalizoni trigliceridet.


Përshëndetje e nderuar. Mami im ka 11 vite që është me diabet, por problemi është që nuk i përdor barnat dhe sado që ne dëshirojmë t’ia japim, ajo kundërshton. Por, ky nuk është problemi i vetëm: ajo shpeshherë flet me veten, qan, pastaj qesh. Me babanë tonë fjaloset. E kemi pasur te mjeku, por askush nuk na ka dhënë një diagnozë të saktë.
A ka mundësi që diabeti të ketë lënë pasoja në të?
Ju lutem, të më jepni ndonjë këshillë.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Së pari, është mjaft e çuditshme që nëna juaj për një kohë kaq të gjatë me diabet të mbetet pa trajtim dhe të rezistojë ndaj sëmundjes. Megjithatë, duhet patjetër të fillojë sa më shpejt që është e mundur trajtimin me barna dhe të marrë informata të nevojshme sa i përket përdorimit të ushqimeve të përshtatshme për sëmundjen e diabetit si dhe cilat janë principet bazë të mbajtjes nën kontroll të diabetit. Sigurisht që për të gjitha këto duhet kurajo, angazhim edhe të anëtarëve të familjes aq më shumë kur kemi të bëjmë me pacientë të cilët vështirë e pranojnë sëmundjen.
Problemet që ke përshkruar janë pasqyrë e gjendjes së kontrollit të dobët të diabetit, e këto janë pasojë e sheqerit të ulët në gjak, apo siç njihet me termin hipoglikemia, ku në këtë rast më së shumti pëson truri duke u reflektuar me çrregullimet emocionale, të folurit e pakontrolluar, irritim, nervozizëm pa asnjë shkak, depresion, sjellje jo e përshtatshme e shumë shenja tjera të ngjashme, për të cilat jo rrallë edhe pacienti ndihet keq pas stabilizimit të gjendjes. Por, nuk përjashtohen edhe çrregullime tjera psikike të cilat mund të jenë të pranishme në ndërkohë që sëmundja e diabetit veç dihet.
Ju rekomandoj që ta sillni nënën tuaj për një vizitë, për të vlerësuar saktë gjendjen.


Përshëndetje e nderuar. Jam 29 vjeç dhe qe 5 vite kam probleme me diabetin dhe trigliceridet. Para 15 ditëve, sheqerin e kisha 9.7, ndërsa trigliceridet 5.3. Mjeku më ka rekomanduar Metformin 500 mg dy herë në ditë, gjysmë ore para buke dhe Atorvastatine 20 mg para gjumit. Mirëpo, edhe pse po përdori terapinë, sheqeri herë zvogëlohet në 8.5, herë në 9.5, ndërsa nuk arrin të zbres më shumë edhe pse kam vendosur një regjim të rreptë të dietës në ushqim. Doktoreshë, sa duhet te jetë koha e përdorimit të terapisë në mënyrë që të reagoj një terapi dhe të zbres sheqeri, sepse mjeku më thotë se rritja e sheqerit, rrit edhe nivelin e triglicerideve. Të lutem, më shpjego për pasojat eventuale? Faleminderit, me respekt. 

PËRGJIGJE:

Në bazë të të dhënave që keni përshkruar, ju keni diabetin tip 2, i cili mjekohet me hipoglikemiant oral, ashtu siç edhe keni tentuar deri më tani. Por, unë mendoj se nuk jeni duke e marrë trajtimin ashtu siç duhet dhe kjo është reflektuar në kontrollin jo të mirë të glikemisë. Gjithashtu Metformina 500 mg është marrë gabim gjysmë ore para bukës. Ky bar duhet të merret sapo të filloni të hani, pra me ushqim. Doza 500 mg 2 herë në ditë, ndoshta është e pamjaftueshme. Kjo varet prej peshës trupore dhe reagimit të organizmit tuaj, gjegjësisht insulinës, ndaj këtij bari. Përveç këtij bari ka mjaft zgjedhje tjera të cilat do të kishin mundur të të ndihmonin, p.sh. barnat që i takojnë grupit të sulfanilureve, një ndër ta është glimepiridi që në treg gjendet si Trical ose Amaryl. Këto barna nxisin pankreasin për të sekretuar insulinë e cila ulë sheqerin në gjak. Këto barna merren gjysmë ore para buke dhe doza e fillimit mund të jetë 1ose 2 mg, një herë në ditë dhe mund të rritet gradualisht në kohëzgjatje një javore. Dieta është shumë e rëndësishme tek diabetikët, por duhet të përpilohet nga diabetologu, dietologu ose endokrinologu. Sa më i rregullt të jeni me konsumimin e ushqimit të shëndetshëm, aq më pak do të keni nevojë për barna. Ndërsa sa i përket rritjes së triglicerideve, edhe këtu jeni duke marrë barna gabim. Atorvastatina nuk është bari më i mirë për trigliceride,  por për kolesterol. Ky preparat vetëm 30% ndikon në trigliceride. Ju duhet të mjekoheni me fibrate. Terapia e duhur për uljen e glikemisë ndikon shume shpejt brenda ditëve. Ju nuk duhet te prini aq gjate, por ju rekomandoj të vizitoheni tek endokrinologu ose diabetologu për të filluar terapinë e duhur. Ju uroj shëndet.


Doktoreshë, e kam vërejtur qe disa muaj se qafa më është fryrë në mes. Mjeku familjar më tha që të vizitohem tek endokrinologu për gjëndrën tiroide. Kohët e fundit po më doket se kam shtuar në peshë dhe flokët po më bien. Nuk e di nëse janë këto shenja prej kësaj gjëndre. Unë nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim tjetër.
Çfarë mjekimi duhet të marr.
Të përshëndes.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Shenjën e fryrjes në qafë të cilën e përmendni, në mjekësi njihen si strumë apo gushë e cila nënkupton zmadhimin e gjëndrës tiroide. Ky zmadhim i kësaj gjëndre mund të shoqërohet me funksion të shtuar të gjëndrës që njihet si hipertireozë, por mund të haset edhe në funksion të ulur të gjëndrës-hipotireozë. Hipotireoza (për të cilën unë po mendoj që jeni e sëmurë edhe ju) jep këto simptoma: probleme me kujtesë, lodhje, depresion, tharje të lëkurës, shtim të peshës, rënie të flokëve, konstipacion (jashtëqitje të rralla), mosdurim i të ftohtit.
Ju rekomandoj që para se të mjekoheni duhet të bëni këto analiza TSH, FT3 dhe FT4, nëse këto dy të fundit dalin të ulura dhe TSH e lartë, duhet të merrni patjetër mjekimin me zëvendësues të hormoneve të tiroides gjegjësisht Levotiroksine.
Ju përshëndes.


E nderuar doktoreshë. Vjehrra ime është 45 vjeçare dhe qe 8 vite i është lajmëruar diabetit i sheqerit tipi 2. Përdorë tableta Siofor® 850, të cilat i merr 3 herë në ditë me bukë.
Ne jemi shumë të brengosur dhe deshëm të pyesim se a ka mundësi t’i ndërpres barnat pasi sheqeri tani i del maksimum 6, apo keni ndonjë terapi natyrale pa i përdorur barnat.
Duke pritur përgjigjen tuaj, ju përshëndes.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Mjekimin të cilin e merr vjehrra juaj siç po duket ka pasur efekt duke zbritur sheqerin në 6 mmol/L, çka do të thotë një kontroll i mirë i glikemisë tek diabetikët, por unë nuk jam dakord që kjo terapi të ndërpritet, sepse do të çrregulloheshin vlerat e sheqerit menjëherë. Por, vetëm matja e sheqerit në mëngjes ose esëll nuk mjafton. Për mua është shumë e rëndësishme të matet sheqeri në gjak 2 orë pasi të merr ushqimin, pra 2 orë pas mëngjesit, pas drekës ose pas darkës. Nëse këto vlera janë nën 8 ose 9 mmol/L, atëherë kemi të bëjmë me një rregullim të mirë të sheqerit. Për të parandaluar ose vonuar shfaqjen e komplikimeve tek diabetikët, duhen patjetër kontrollet e rregullta dhe ushqimi i rekomanduar nga mjeku.
Ju përshëndes.


Përshëndetje. Burri im ka probleme me pankreasin, si dukuri është shfaq edhe sëmundja e sheqerit. Është vetëm 46 vjeç dhe nuk ka fare përgjegjësi për shëndetin e vet. Ka kontakt me mjek në Suedi, nuk i merr tabletat kundër sëmundjes se sheqerit me kohë. Ka pas probleme disa herë me dhembje të padurueshme në pjesën sipër barkut. Dhembjet në pankreas i kane filluar para 4 vjetësh.
Si t`ia bëj me të? Vet jam motër medicinale, kur e këshilloj, kujton se unë vetëm po i zmadhoj gjërat.
Ju lutem të më përgjigjeni.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar, me aq sa munda te kuptoj burri juaj vuan nga sëmundja e sheqerit si rezultat i sëmundjes paraprake të pankreasit. Tani duke ditur shkaktarin e sëmundjes së sheqerit, ndërkohë që duhet mjekuar me rregull diabetin si me medikamente ashtu edhe me ushqime dhe aktivitet fizik, duhet t’i kushtoni rëndësi edhe mjekimit të vet pankreasit që në këtë fazë, në bazë të të dhënave që keni shkruar, mund të jetë një formë e pankreatitit kronik. Duke patur parasysh që kjo sëmundje mund të jap komplikime mjaft serioze si ascit(grumbullim të lëngjeve në bark), pseudociste të pankreasit, efuzion pleural (grumbullim të lëngjeve në mbështjellësin e mushkërive), trombozë (trashje e gjakut) në venën e shpretkës si dhe hipertension portal (nga dëmtimi i mëlçisë), iu rekomandoj që sa më parë burri juaj duhet t’i bëjë disa ekzaminime, si në vijim: ERCP (kolangipankreatografine endoskopike retrograde), ose MRCP (rezonancën magnetike me kolangipankreatografi) ose ultrasonografi endoskopike, ekzaminime të cilat me shumë lehtësi mund t’i bëni në ndonjërin nga spitalet ku jetoni në Suedi, gjithmonë në konsultim me gastroenterologun. Ndërsa, për mjekimin adekuat te diabetin duhet ta konsultoni endokrinologun, por unë qysh tani po iu këshilloj që asnjë nga barnat për mjekimin e diabetit nuk jep efekt nëse vet burri juaj nuk kujdeset për ushqimin të cilin duhet ta marrë, sepse kjo sëmundje detyrimisht është e lidhur me ushqimin. Mjekimi është i pakuptimtë nëse ushqimi është i çrregullt!
Gjithashtu rekomandoj të mos konsumojë fare alkool dhe duhan.
Ju përshëndes.


Përshëndetje dr. Merita. Jam 27 vjeçare, 1.56/52, mirëpo unë kam dëshirë të jem më e shëndoshë, sepse dukem më bukur. Për shkak se dua të shtoj peshë kërkoj këshillën tuaj për barnat e duhura dhe ushqimin e duhur. Para gjashtë muajsh jam bërë nënën, për herë të parë. Foshnjën e ushqej me gji. Në shtatzëni kam shtuar 10 kilogram, të cilën pastaj e kam humbur të tërën.
Pres përgjigjen tuaj.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Në bazë të të dhënave tuaja për peshën dhe gjatësinë, ju keni Indeksin e masës trupore 22, që do të thotë se keni peshë normale për gjatësinë trupore. Por, meqë dëshira juaj është që të shtoni peshë, atëherë ekziston mundësi që kjo të arrihet me dietë të caktuar, pra ushqime të zgjedhura të cilat konsiderohen për shtimin e peshës si dhe marrjen e disa vitaminave nga ekstraktet bimore të cilat rrisin oreksin.
Ju thoni që keni humbur peshën të cilën e keni fituar gjatë shtatzënisë brenda 6 muajve. Pas lindjes keni humbur 10 kg, gjë e cila nuk rekomandohet, sepse kjo mund të çojë drejt pakësimit të qumështit të gjirit deri edhe në ndërprerje. Prandaj ju patjetër duhet të vini të konsultoheni në mënyrë që të filloni një dietë me ushqim të shëndetshëm e cila do të mundësonte ruajtjen e kualitetit të qumështit nga gjidhënia si dhe shtimin gradual të peshës suaj deri sa ju të jeni e kënaqur. Unë qysh tani, përmes këtij shkrimi mund t’ju rekomandoj të mos i humbni tri racione të rregullta ushqimore të cilat, sidomos dreka, duhet të jetë e pasur me sasi të mjaftueshme të mishit, bukës dhe perimeve, si dhe konsumimi një herë në ditë të produkteve të qumështit, qoftë qumësht i plotë i pasterizuar 3.5% rreth 200 ml, qoftë djathë, kos ose produkte tjera të qumështit. Për të gjitha ushqimet si dhe sa shpesh duhet të konsumohen, ekzistojnë programe specifike në kuadër të shërbimit endokrinologjik në vendin ku punoj.


Përshëndetje doktoreshë. Uroj të jeni mirë. Jam 20 vjeçare dhe gjithmonë kam pas frikë nga sëmundja e diabetit, sepse halla ime ka qenë e sëmurë dhe ka ndërruar jetë. Kohët e fundit kam dhembje koke nga pjesa e ballit, q më kalon nis marr ndonjë Paracetamol.
Kam frikë se do të sëmurem nga diabeti, simptomat që kam nuk përputhen me ato që kam lexuar për këtë sëmundje.
Unë shpresoj ta studioj mjekësinë dhe kjo sëmundje do të m’i shuante shpresat.
Suksese në punën tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Në bazë të asaj që ke përshkruar, nuk po e shoh të arsyeshme të brengosesh deri në këtë shkallë për mundësinë e pasjes së sëmundjes së sheqerit, sepse nuk ke asnjë simptomë të kësaj sëmundje. Dhimbja e kokës mund të jetë me origjinë të shumëfishtë, ka sëmundje të shumta të cilat japin këtë simptomë, por shpesh kjo mund të jetë edhe me natyrë psikike nga streset e përditshme.
Nëse kjo ju shqetëson edhe më tutje, është mirë të lajmëroheni te neurologu, ndërsa për informata më të hollësishme rreth sëmundjes së diabetit, lirisht mund të vini të më takoni.


Përshëndetje. Ka 12 vjet që jam me diabet, por qe një vit nuk kam bëre kontroll te mjeku. Brengosem sepse, pavarësisht që po mundohem ta kontrolloj sheqerin, ndjehem jo mirë seksualisht. Kjo po ndikon në raportet me bashkëshorten e cila dyshon se po e tradhtoj. Unë këtë nuk e bëj, sepse familjen e konsideroj të "shenjtë".  Ju lutem, më shkruani çfarë duhet të bëjë ose çfarë më këshilloni.
Ju faleminderit që na dhatë mundësinë t'ju shkruajmë.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Problemin të cilin e keni përmendur, në mjekësi njihet me diagnozën disfunksion erektil. Pra, çrregullim i cili pamundëson zhvillimin ose mbajtjen e ereksionit të penisit gjatë marrëdhënieve seksuale, e cila është komplikim i sëmundjes së diabetit. Ndryshe njihet edhe me termin impotencë. Në këtë rast ka dëmtim të vazave të gjakut dhe nervave të cilat e kontrollojnë ereksionin që vijnë si pasojë e rritjes së sheqerit në gjak. Ekzistojnë metoda të ndryshme të trajtimit të kësaj sëmundje duke përfshirë këtu terapinë medikamentoze. Përveç trajtimit të rregullt të glikemisë, të cilën duhet ta bëni tek mjeku juaj ose diabetologu, për detajet rreth trajtimit dhe këshillave të disfunksionit erektil, ju rekomandoj te kontaktoni urologun.
Me respekt.


Përshëndetje. Jam 40 vjeçar, kam yndyrat në nivel shumë të lartë, kolesterolin 7.5, trigliceridet deri në 16.5. Ulja më e madhe e tyre bëhet ndonjëherë deri në 4.5. Kam përdorur shumë hapa nga Evropa dhe Amerika. Para dy vite kam bërë edhe koronarografinë, incizimin e venave (ato ishin të pastra), kam pasur problem me pulsin e zemrës, aritmi. Në Tiranë, në spitalin turko-amerikan kam bërë elektrofizologjinë me ablacion me sukses. Jam kontrolluar te shumë mjek kardiolog, tani para dy ditëve kam bërë sërish ergometrinë. Kam dhimbje të padurueshme në anën e majtë, para dhe në shpinë. Dhimbjet nuk më pushojnë nga dy javë. Kur më pushon dhimbja në anën e majtë, atëherë kam dhimbje në anën e djathtë.
Dua ta di mendimin tënd, mund të jenë këto dhimbje nga niveli i lartë i yndyrave, apo nga diçka tjetër?
Mbes me shpresë të marr një përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Çrregullimi i yndyrave të cilin e përshkruani, bënë pjesë në çrregullimet e yndyrave të përziera. Jam mjaft kurioze të di saktë trajtimin të cilin e keni marrë deri më tani për të gjykuar nëse e keni marrë atë të saktin, sepse çrregullimet e yndyrave nuk trajtohen të gjitha njësoj. Ekzaminimet kardiake të cilat i keni kryer deri më tani, unë mendoj se kanë qenë me vend, sepse ju keni përjashtuar sëmundjet e arterieve koronare të cilat çojnë drejt infarktit të zemrës. Pra, me sa kuptova nga ajo çfarë keni shkruar, ju nuk keni të bëni me ndonjë nga këto sëmundje të cilat prekin arteriet e zemrës, por që rreziku i ndodhjes së tyre është mjaft i lartë nëse çrregullimi i yndyrave nuk trajtohet me kohë. Për këtë ju rekomandoj që sa më parë të filloni trajtimin e duhur për normalizimin e yndyrave. Dhimbjen e gjoksit me kohëzgjatjen të cilën e përshkruani nuk përkon me dhimbjen anginoze apo ndryshe ta quajmë me dhimbjen e cila vie si rezultat i ngushtimit të arterieve të cilat e furnizojnë muskulin e zemrës me gjak. Gjithashtu me ekokardiografi ju keni përjashtuar edhe ndonjë patologji tjetër kardiake që mund t’ju jepte dhimbje si p.sh. prania e likidit në mbështjellësin e zemrës apo perikarditi, etj. Pra, dhimbja në gjoks përveç nga zemra mund të ketë origjinë edhe nga ezofagu apo gabzherri si rezultat i rritjes së aciditetit në lukth e që mund të jep refluks ezofageal, apo çrregullim i motilitetit të ezofagut dhe të manifestohet me dhimbje të ngjashme me të cilat i përshkruani ju. Pastaj mund të jenë nga kockat ose muskujt e kafazit të kraharorit, ose ankthi, nga stresi i vazhdueshëm psikologjik ose fizik.
Ju mund të vini të vizitoheni për të filluar trajtimin adekuat për çrregullim të yndyrave dhe për të gjetur shkaktarët e mundshëm të dhimbjeve të cilat i keni.
Ju përshëndes.


Përshëndetje. Së pari ju falënderoj për mundësinë e komunikimit dhe informacioneve që na jepni. Babai im (58 vjeç), ka 14 vjet që vuan nga diabeti. Shqetësimet më të mëdha filluan para një viti dhe çdo ditë që po kalon po bëhet edhe më keq. Po e kalon shumicën e kohës në spital, por nuk ka ndryshime aspak. Ndjehet gjithmonë shumë i lodhur, i merret fryma shpesh herë, ka djersitje. Veshkën e ka të dëmtuar, nuk ka fuqi të eci as 5 minuta, sheqeri nganjëherë i ulet, nganjëherë i ngrihet. Po përdor insulinë dhe ca barna të tjera për veshka, por nuk ka farë përmirësim!
Ju lutem, na ndihmoni. Çdo informacion i juaji do ishte shumë i vlefshëm për mua dhe familjen time.
Ju faleminderit edhe njëherë.

PËRGJIGJE:
I nderuar. Diabeti mellitus, ashtu siç ke mundur ta kuptosh edhe nga vet gjendja e babait tënd, është një sëmundje metabolike ku komplikimet në sisteme dhe organe të ndryshme ndodhin si rezultat i hiperglikemisë apo sheqerit të lartë në gjak. Me kalimin e viteve, atëherë edhe kur kontrolli i kësaj glikemie nuk ka qenë me rregull, fillojnë të paraqiten komplikimet të cilat prekin mjaft organe të rëndësishme, siç janë sytë, veshkat, vazat e gjakut, nervat, e si rezultat i këtyre të fundit, pra edhe mjaft organe tjera të rëndësishme të organizmit, e veçmas zemrën.
Me aq sa mund të kuptoj nga ajo që keni shkruar, përveç prekjes së veshkave në këtë rast, që mund të jap problemet që keni shkruar, desha të theksoj që duhet të konsultohet edhe kardiologu për të vlerësuar funksionin e zemrës, që në këtë rast, unë mendoj, se ky është shkaku i gjendjes së rëndë të babait tuaj. Trajtimi me insulinë edhe atë me terapi intensive insulinike (para çdo racioni ushqyes) si dhe para se të fle (pra deri edhe 4 herë në ditë), është më se i domosdoshëm. Ngritjet dhe uljet e vlerave të sheqerit në gjak vijnë si rezultat i dozimit jo të mirë të insulinës ose parregullsisë së racioneve ushqimore gjatë ditës. Duhet të bëhet profili i glikemisë (të matet sheqeri disa herë gjatë ditës) para ushqimit, 2 orë pas ushqimit, para gjumit, por edhe në gjumë rreth orës 3 të mëngjesit në mënyrë që të dihen luhatjet e sheqerit gjatë 24 orëve. Vetëm në këtë rast, mund të bëhet caktimi i saktë i dozave të insulinës. Të gjitha këto trajtime duhet të bëhen në spital dhe pas stabilizimit të gjendjes, të diskutohet për llojin e trajtimit të mëtejmë me insulinë si dhe duhet të marrë informata të mjaftueshme për mënyrën e përdorimit të ushqimit, kontrollin e glikemisë, vizitat e rregullta tek endokrinologu, i cili pastaj bënë vlerësimin për konsultat tek profesionist të tjerë në baze të vlerësimit të rreziqeve për komplikime.
Për çdo informate tjetër, mund të më kontaktoni.
I uroj shërim sa më të shpejt babait tuaj.


Jam 35 vjeçare. Lindjen e parë e kam pasur para 5 muajsh. 2 muajt e fundit të shtatzënisë jam diagnostikuar me Diabet gestacional. 2 javë kam përdorë antidiabetik oral e 6 jave insulinë. Ajo që më shqetëson shumë është se çfarë mendoni për shtatzëninë e ardhshme, sa janë gjasat që të më shfaqet sërish diabeti pasi që shumë keq e kam përjetuar në shtatzëninë e parë marrjen e insulinës dhe mbajtjen e dietës. Pas lindjes diabeti më është tërhequr.
Ju faleminderit për çdo informatë.

PËRGJIGJE:
E nderuar. Fillimisht desha të të jap disa informata për diabetin gestacional. Ky lloj i diabetit shfaqet vetëm gjatë shtatzënisë për shkak të sekretimit të disa hormoneve të cilat mund të pengojnë veprimin e insulinës, e cila është përgjegjëse për shpërndarjen e sheqerit nga gjaku në qelizat e trupit. Duke qenë se insulina në këtë rast pengohet ta kryej këtë veprim, si rezultat rritet sheqeri në gjak dhe kjo gjendje ndryshe quhet edhe insulinorezistencë ose e njohur si diagnoze e veçantë, diabet gestacional. Fillimisht ashtu siç e keni cekur edhe ju, tentohet vetëm me ushqime të normalizohet ky sheqer i rritur, por kur kjo nuk është e mundur, atëherë terapia më e mirë dhe më e shëndetshme si për ju dhe për beben tuaj, ka qenë insulina. Pas lindjes diabeti gestacional nuk vazhdon më ashtu si nuk janë edhe me hormonet e placentës të cilat e kanë shfaqur këtë gjendje. Por, shqetësimi juaj tani është se sa janë gjasat që edhe në shtatzëninë e ardhshme të përsëritet kjo sëmundje. Nga studimet që janë bërë rreth kësaj sëmundje, rezulton se gratë të cilat kanë pasur diabet gestacional, kanë 40-50% mundësi t’u përsëritet ky diabet në shtatzëninë e ardhshme. Gjithashtu, rrezik tjetër është edhe shfaqja e diabetit tip 2, i cili është diabet kronik, pra që kërkon trajtim gjate tërë jetës. Për këtë lloj të diabetit mundësitë e paraqitjes menjëherë pas lindjes janë më të ulëta, pra diku 10%, ndërsa kjo përqindje rritet në 10 deri 20 vitet e ardhshme, e që mund të shkojë nga 40-60%.
Prandaj, rekomandimet e mia janë si në vijim: para se të planifikoni të mbeteni shtatzënë, duhet patjetër të keni peshë normale, pra të ndryshoni stilin tuaj të jetës si në qasjen ndaj ushqimeve të cilat ju mundësojnë humbjen e peshës si dhe aktivitet të rregullt fizik, gjë për të cilën ju duhet të konsultoheni me mjekun profesionist të kësaj fushe, pra endokrinologun.

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Ass.dr.Merita Emini Sadiku, MSc, PhD, Interniste-endokrinologe-diabetologe
Ass.dr.Merita Emini Sadiku, MSc, PhD, Interniste-endokrinologe-diabetologe
Ass.dr. Merita Emini Sadiku, dr.sci., Interniste-endokrinologe-diabetologe
Ju pyetni - mjeku përgjigjet
 
 
Magazina
18:36 / 25.05.2013
Lady Gaga, Foto: Twitter

Gaga do të kthehet në koncertin e Beyonce

Fansat e Lady Gagas nuk duhet të presin edhe shumë që ta shohin idhullin e tyre në skenën muzikore.
Teknologji
17:54 / 25.05.2013
BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

Edicioni i radhës i BarCamp Prishtina, sponsorizuar nga IPKO Foundaiton dhe që është i trembëdhjeti me radhë, me 29 maj 2...
Ekonomi
15:45 / 25.05.2013

AKR: Akuzat ndaj Ismajlit, me karakter elektoral

Aleanca Kosova e Re, ka reaguar ndaj shkrimeve nëpër media, në të cilat ministri ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, a...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.